Flet moderatori dhe spikeri i talentuar “Mjeshtri i Madh” Dhimitër Gjoka:
- -Si filluam në RTSH emisionin “Një dritare për bashkatdhetarët”
- -Dokumentarët për Ekrem Bardhën, i arratisur gjatë regjimit komunist, për bisnesmenin Frenk Kadia, që solli kompaninë e taksive në Tiranë mbeten dritare të reja
- -Kasem Trebeshina më ka habitur me kurajën që debatoi me Enver Hoxhën
- -Nuk harroj mikpritjen që na bënë në ERT, televizioni shtetëror grek në vitin 1994
- -Gazetari Spiro Kavakopulos: Ma ka lënë babai amanet të vij në Shqipëri
- -Si filluan në TVSH, Vjollca Vokshi, Reiz Çiço, Rajmonda Nelku, Eni Vasili, Ilva Tare, Erenestina Halili, Armir Shkurti, Esmeralda Mulaj
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Viti 1990, por dhe të tjerët që pasuan, sollën ndryshime në jetën politike, por edhe transformime sociale dhe braktisje të mëdha të vendit. Shqipëria u hap nga një izolim gati 45-vjeçar si shtet i Diktaturës së Proletariatit. Era e re e demokracisë solli një marrëdhënie të re në shoqërinë shqiptare. U krijuan parti të reja, organizata dhe shoqata që i dhanë shtysë demokracisë, ndërsa zhvillimi ekonomik nisi rendjen drejt kapitalizmit. Sigurisht edhe RTSH filloi një frymëmarrje tjetër…
- Edhe në vitet e para të demokracisë RTSH ishte i vetmi televizion në Shqipëri. Çfarë ndodhi në këto vite me këtë gjigand të ekranit të vetëm shqiptar?
Televizioni, si i vetmi ekran, pasqyronte hap pas hapi çdo ndryshim, për mirë dhe për keq, që ndodhte në Shqipëri dhe në botë. Filluan të vinin shumë bisnesmenë, të cilët interesoheshin për të kryer investime në fusha të ndryshme, pasi Shqipëria ishte një vend i paeksploruar, që ofronte mundësi zhvillimi për bizneset. Dhimitër Pecani, një prej gazetarëve emblemë, i cili ka lënë gjurmë suksesi me punët e tij në historinë e Televizionit Shqiptar hodhi idenë e krijimit të një cikli dokumentarësh me titull “Një dritare për bashkatdhetarët”, me grup pune në përbërje të së cilit, krahas tij, do të isha unë si regjisor dhe në kamera mjeshtri Gaspër Shllaku. Pecani e titulloi kështu ciklin, pasi shumë bashkatdhetarë të ikur para çlirimit, apo edhe të arratisur gjatë regjimit të diktaturës, në forma nga më të ndryshme, ktheheshin me mendimin e mirë për të bërë diçka për vendin, të investonin sipas mundësive aty ku ata e shikonin të arsyeshme. Ne si ekip u takuam me shumë prej tyre dhe sollëm në ekran punë shumë të mira rreth jetës dhe aktivitetit aty ku ata jetonin, punonin dhe kishin krijuar familje. Do të veçoj këtu dokumentarët për Ekrem Bardhën, një biznesmen i fuqishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me origjinë nga Kolonja, i arratisur gjatë regjimit komunist, për bisnesmenin Frenk Kadia, që solli kompaninë e taksive në Tiranë,për sportistin e talentuar kosovar Enver Cakiqin, i cili zhvilloi i pari në Shqipëri sportin e bukur të karatesë, apo dokumentarin për bisnesmenin Sulejman Gërguri edhe ky me origjinë nga Kosova, i cili kishte krijuar industri të fuqishme në Bërno të Çekosllovakisë si edhe në Ulm të Gjermanisë.Vlen të theksoj këtu penën e jashtëzakonshme të Dhimitër Pecanit, për ndërtimin e skenarëve, por edhe planet e mrekullueshme të xhiruara me profesionalizëm të lartë të Gaspër Shllakut. Punë intensive, ku pasioni, ishte motoja e ditës. Orë të tëra në sheshet e xhirimit, e po ashtu edhe në studiot e montazhit ku rrëmbeheshim dhe koha ikte pa u marrë vesh se ishte ditë apo natë. Këta dokumentarë, por edhe të tjerë nga ky cikël lanë mbresa të thella tek teleshikuesit, të cilët në forma të ndryshme, nga Tirana por edhe nga i gjithë vendi, na sillnin përgëzimet e tyre. Ishin dokumentarë që ngjallnin sado pak një shpresë se jeta në Shqipëri do të bëhej më e mirë edhe pse varfëria kishte pllakosur anë e mbanë vendin.
-Një nga dokumentarët e veçantë për mua mbetet ai për Kasem Trebeshinën?
-Po! Me skenarin e Violeta Vilës, në atë kohë shefe e Redaksisë së Kulturës realizova dokumentarin në dy pjesë “Shkrimtari që nuk foli me bashkëkohësit”, kushtuar shkrimtarit Kasëm Trebeshina, i burgosuri i diktaturës për mendimet e tij, që binin ndesh me regjimin e Enver Hoxhës. Edhe sot, ky është i vetmi dokumentar, ku ka rrëfyer vet ky shkrimtar disident që la pas një korpus të madh veprash, mjaft prej të cilave të pabotuara. Ndihem i keqardhur për zhgënjimin që Kasem Trebeshina mori prej bashkëkohësve të tij, të cilat kulmuan me braktisjen që ai i bëri Shqipërisë në vitet e fundit të jetës. Është vërtet e çuditëshme që ai edhe ditën e përcjelljes së fundit, atje në Ankaranë e largët, nuk mori atë respekt që i takonte prej bashkëkombasve të tij.
-Po me vendet fqinje a filluat bashkëpunimin për shkëmbim eksperiencash?
Në kuadrin e një marrëveshjeje që ishte bërë midis ERT – Radio Televizionit Grek dhe RadioTelevizionit Shqiptar, një ekip i përbërë nga gazetarë, teknikë dhe montazhierë, gjithsejt njëzetegjashtë, pjesë e të cilit isha edhe unë, shkuam në Athinë për një kurs njëqind orësh për gazetari elektronike, menaxhim dhe drejtues prodhimi. Ishte viti 1994. Në aeroportin e Athinës na priti zonja Evi Demiri Drejtoreshë e Marrëdhënieve me Jashtë e ERT-it,ish gazetare, një grua simpatike me trup mesatar, e gjallë, me zë kumbues dhe me një vështrim që të impononte respekt. Në koktejlin e organizuar në hotelin “Athens Gate” ishte i pranishëm edhe presidenti i ERT zoti Eugjenos Janakopulos dhe drejtues të tjerë, gazetarë dhe regjisorë, si edhe ambasadori ynë në Greqi Hysen Çabej. Takime, biseda të ngrohta, buzëqeshje, dolli…E nesërmja gdhiu e ftohtë në Athinë. Autobuzi u nis në orën tetë e tridhjetë minuta. Vargu i makinave, semaforët në kryqëzimet e shumta të rrugëve e zgjatën udhëtimin nga hoteli për në godinën e kanalit të dytë të ERT-it rreth dyzet minuta. Të gjithë u befasuam kur përpara nesh u shfaq një godinë e bukur rrethuar nga një pyll i vogël me pisha e oborr të madh ku ishin parkuar vetura. Salla ku do të mblidheshim ishte një teatër me rreth dyqind vende. Ajo shërbente për koncerte dhe regjistrime të emisioneve të ndryshme. Mirësjellja e kolegëve grekë ishte e prekshme nga të gjithë. Përveç drejtuesve që u bënë të njohur për ne qysh një ditë më parë, na kishin rrethuar edhe kolegë të tjerë të shumtë që do të ishin bashkëbiseduesit tanë gjatë gjithë kohës së qëndrimit tonë atje, por edhe të tjerë punonjës të ERT-it, kuriozë, sa që parasalla u mbush në atë mëngjes të ftohtë me avujt e kafeve të ngrohta, me tymin e duhanit, e sidomos me pyetjet kureshtare të cilave ne me dashamirësi u kthenim përgjigje. Presidenti i ERT-it, pasi na uroi mirëseardhjen, tha se këto seminare janë të dobishëm së pari për një njohje e bashkëpunim reciprok mes dy radiotelevizioneve e, së dyti afrojnë më shumë dy popujt tanë fqinjë. Në emër të grupit tonë përshëndeti dhe falenderoi Ferdinand Murati, drejtor i Departamentit Social-Ekonomik në Televizionin Shqiptar si edhe Spiro Konduri, kryeinxhinier i Radio Tiranës. Të njëzetegjashtë kursantët u ndanë në tre grupe. Kjo ndarje solli njohje të reja dhe më të afërta me kolegët grekë. Të paharuara do të mbeteshin për grupin e gazetarisë elektronike, pjesë e të cilit isha edhe unë, leksionet e profesor Dhimitri Jemeliosit, këtij njohësi të shkëlqyer të televizionit, studiues, gazetar dhe regjisor. Kishte ardhur enkas nga Nju Jorku. Ai jepte leksione në shumë universitete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britaninë e Madhe, të cilat kishin të bënin me profesionin në gazetari dhe regjisurën radiotelevizive. Gjithashtu ai ishte autor i shumë librave në këtë fushë. Qysh në fillim, ai na shprehu keqardhjen që nuk e njihte dhe nuk kishte asnjë statistikë për Radiotelevizionin Shqiptar. Por orët e leksioneve ktheheshin edhe në orë bashkëbisedimi, e kështu ne morëm prej tij një përvojë të madhe, por edhe ai fitoi prej nesh një njohje të re për një radio me jetë pesëdhjetepesë vjeçare dhe për një televizion tridhjetëekatër vjeçar. Spiro Kavakopulos, simpatik, ashtu i shkurtër, pak esmer dhe tepër energjik ishte studiues i harmonizimit të lidhjes së tre komponentëve për tendencën e gazetarit të radios sot në botë, gazetar, spiker dhe teknik transmetimi. Respekti për ne, qe i dukshëm tek ky personalitet i gazetarisë. Kjo dukej në çdo fjalë dhe veprim që bënte. Babai i tij para luftës së dytë botërore kishte qënë deri në Tiranë me grupin e tij të sazeve. Këtë na e tha atë ditë kur papritur na mori për vizitë në shtëpinë e tij. -Ma ka lënë amanet im atë, që patjetër të vij në Shqipëri, në vendin tuaj të bukur! – Dhe ashtu të emocionuar nga biseda e ngrohtë dolëm si grup në fotografi. Pas nesh ishte e varur në mur fotografia e të atit. Dr.Kastorasi, ky zotni burrë rreth të pesëdhjetave nga Kallamata, pak i hequr në fytyrë, me trup mesatar. Kishte kryer studime për kinematografi në Hungari dhe për median në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai qe autor i teorisë së sistemeve për median në përgjithësi. Në fillim paksa i ftohtë, na shikonte me habi, por shpejt ndërroi mendim aq sa u bë shumë i dashur me ne. Orët e ngjeshura të leksioneve nuk i mjaftonin edhe në kohën e lirë dëshironte të ishte pranë nesh e të dëgjonte shumë për Shqipërinë. Ne dinim shumë për historinë e Greqisë së lashtë, por edhe të re, ndërsa për të ishte njohja e parë me shqiptarë. -Nuk e njoh Shqipërinë, – tha një çast, – por nëpërmjet jush, në mendjen time fiksova një popull të ditur, të etur për dije dhe kulturë! Orët e ngjeshura të leksioneve në ditët e javës, të cilat dalloheshin nga një korrektesë e shkëlqyer e grupit, na sillnin një fundjavë me pushime argëtuese të organizuara më së miri. E tillë ishte edhe ajo e shtunë për në qytetin e Nafplios. Pasi dolëm nga lëvizja marramendëse e makinave në qytet, Athina në atë kohë zinte një nga vendet e para në Europë për numrin e automjeteve, hymë në autostradën me drejtim për në Peloponez. Këngët greke në magnetofonin e autobuzit e bënë udhëtimin më të këndshëm. Para nesh u shfaq madhështor kanali i Korinthit. Aparatet fotografike që kishim me vete fiksuan dëshirat tona në pika të veçanta të tij. Pushimi i shkurtër ia la përsëri vendin udhëtimit. Rruga e ndërtuar në vijën bregdetare të Peloponezit na shfaqte para syve bukuri të rralla.
Stacioni i dytë, Epidavrus. Kjo mrekulli e botës antike u shfaq ashtu papritur pas atyre pemëve të larta rrëzë kodrës. Ky amfiteatër me atë kumbim zëri dhe me kapacitet rreth dymbëdhjet mijë vendesh na mahniti. Kishte aty vizitorë nga shumë vende të botës. Përsëri fotografi, kujtime të bukura. Për një çast qëndrova në mes të skenës për të provuar se si zëri do të shkonte lart në rreshtin e fundit ku ndodheshin ulur disa pjestarë të grupit tonë. Unë vetëm sa fola nën zë një emër që ndodhej lart dhe përsoni reagoi në mënyrë të menjëhershme. Aty ishte e veçanta e atij amfiteatri. Pastaj u ngjita unë në rreshtin e fundit dhe për t’u bindur edhe vet për këtë përcjellje të zërit u kërkova kolegëve të flisnin diçka nën zë. Ishte një mrekulli. Të dukej sikur personin që fliste në skenë e kishe pranë veshit dhe pse distanca ishte relativisht e madhe. Ne u ndodhëm në Greqi në një kohë kur shumë shqiptarë kishin emigruar dhe çdo ditë shtoheshin aty për të gjetur një jetë më të mirë. Mes tyre kishte bashkatdhetarë korrektë, të cilët punonin ndershmërisht, por pati edhe të tjerë që prishnin qetësinë me veprime e sjellje jo të hijëshme. Kështu, qe krijuar një imazh jo i mirë për shqiptarët në përgjithësi. Doktor Jani Lejson, një nga lektorët tanë, studiues dhe teoricien i menaxhimit për tendencat e reja në botë, në fund kur do të ndaheshim, na tha:-Kam lexuar për letërsinë e Shqipërisë dhe kam parë se kemi shumë gjëra të përbashkëta. Njoh shumë mirë edhe historinë e Skënderbeut, por nuk njoh historinë tuaj të re. T’ju them të drejtën, nuk doja të vija dhe t’u jepja leksion, sepse kisha ndaj jush një njohje shumë të keqe nga shtypi i përditshëm këtu në Greqi, por megjithatë i thashë gruas të shkoj njëherë t’i njoh këta intelektualë të Televizionit Shqiptar. Erdha, bisedova me ju dhe ju them se jeni shumë të dashur, dinjtozë, të shkathët dhe të mprehtë. Është kënaqësi e madhe të punosh me ju! Ju falemnderit për besimin që më dhatë!
- A pati largime masive të personelit të RTSH në vitet e para të demokracisë? A u ndie mungesa e tyre?
- Në këtë situatë të ikjeve të mëdha që e përfshiu Shqipërinë, pati edhe mjaft profesionistë, gazetarë dhe punonjës të tjerë të televizionit që U pa e arsyeshme që në sistemin radioteleviziv të merreshin elementë të rinj, në fushat ku organika ishte pakësuar. Filluan audicionet për të marrë të rinj gazetarë dhe moderatorë lajmesh. Erdhën për të marrë pjesë, shumë të rinj, që kishin ëndërr të punonin në televizion. Në gjithë atë mori pjesëmarrësish, pati djem dhe vajza shumë të talentuar, me të cilët u bëmë kolegë si pjesë e kolektivit televiziv. Edhe ata, ashtu si ne dikur, e nisën punën me përkushtim dhe shumë shpejt zotëruan ekranin. Erdhën Elda Kasapi, Vjollca Vokshi, Reiz Çiço, Rajmonda Nelku, Eni Vasili, Ilva Tare, Erenestina Halili, Armir Shkurti, Esmeralda Mulaj e plotë të tjerë, të cilët më pas u bënë profesionistë të zot.
Redaksia e Lajmeve tashmë kishte një shef të ri. Ai ishte Artjan Tepelena. Puna e tij e përkushtuar i dha kësaj redaksie një ritëm tjetër. Gazetarët e rinj ishin mjaft kërkues. Në kohë rekord mësuan shumë rreth gazetarisë televizive. Punët që sillnin tregonin mjaft mirë ambicjet e tyre për më të mirën e mundëshme. Pati nga ata gazetare që rrinin tërë kohën e lirë në studio për t’u aftësuar për ekranin. Një gazetar televiziv nëse nuk është i aftë të dalë dhe të komunikojë punën e tij para kamerës nuk mund të jetë i tillë. Dhe kjo ishte kuptuar mirë prej tyre. Pikërisht pse ishte ky përkushtim që arritën shumë shpejt të ishin protagonistë të ekranit. Artjan Tepelena diti ta sjellë Redaksinë e Lajmeve në nivele të larta profesionale. Kërkesa e llogarisë ndaj gazetarëve në aftësimin e vazhdueshëm ishte moto e punës së tij të përditshme.