Flet sociologu, “Mjeshtri I Madh”, Gëzim Tushi: Ja si duhet të jetë njeriu përballë shoqërisë dhe vetes
– Në Shqipëri në emër të famës, suksesit, karrierës, fitimit, imazhit, protagonizmit, dukjes, po prishen radikalisht balancat sociale
-Tek ne po merr forma jo reale jetesa individualiste, etja për fitim dhe famë duke u zhveshur nga ana sociale.
– Shoqëria jonë që të rregullohet ka nevojë të rindërtojë mbi parime të drejta humane të balancuara.
– Shoqëri moderne nuk është ajo që ka vënë në qendër të saj njeriun që mendon vetëm për vete, egoist dhe asocial.
– Sot, njerëzit ndihen të çorientuar dhe kanë dyshime ekzistenciale për mundësitë e kufizuara për të jetuar si dikur.
– Ndërtimi i jetës moderne, bazuar në parimet liberale dhe individualiste, nuk do të thotë aspak mohim i vlerës të të jetuarit në grup
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Ka shumë arsye që në shoqërinë tonë po ndodhin procese sociale, që nëse nuk i percepton drejt, të bëjnë pesimist në mundësinë që si çdo shoqëri tjetër të mund të “mirë rregullohet” sipas standarteve të jetës së qytetëruar individuale e sociale. Unë besoj se disa pasoja që ndeshim, janë të pranishme nga keqkuptimi i thelbit empirik të filozofisë liberale dhe deformimi paradoksal i tipologjisë individualiste të jetës së sotme shoqërore. Kohët e fundit janë shtuar njerëzit që mendojnë, se jeta mund të bëhet e lirë dhe moderne duke mohuar, duke neglizhuar, duke mos pranuar nevojën që ka shoqëria për njerëz që kanë në themel të personalitetit të tyre, ndjenja të natyrshme morale dhe sens social. Ja si shprehet socialogu Gëzim Tushi për këto probleme…
-Kohët e fundit janë shtuar njerëzit që mendojnë, se jeta mund të bëhet e lirë dhe moderne duke mohuar, duke neglizhuar, duke mos pranuar nevojën që ka shoqëria për njerëz që kanë në themel të personalitetit të tyre, ndjenja të natyrshme morale dhe sens social. Si qëndron ky problem në shoqëri sipas analizës suaj?
Problemi nga mënyra si shfaqet nuk është thjesht empiric, apo qoftë edhe sociologjik. Për mendimin tim, ai është thelbësisht filozofik dhe ka nevojë për trajtim me një hermeneutikë të qartë, të saktë në mënyrë që të kemi konvertime të qarta normative dhe subjektive për raportet e ndryshuara midis privates dhe publikes, sociales dhe personales tek njeriu i sotëm. E vërteta është se ka shumë konfuzion dhe interpretime të njëanshme, të sforcuara të këtij raporti, i lidhur me botkuptimin e sociologëve kur është fjala për aspektin teorik, apo me parapëlqimet kontardiktore të njerëzve me natyrë komunitariste apo individualiste. A ka ide, mënyra për ta zgjidhur si duhet këtë koalicion që është sa teorik dhe social, aq dhe empirik, i lidhur me jetën dhe botën reale të njeriut? Nuk është e lehtë sot të japësh “formula” e të gjesh zgjidhje adekuate për raportet e ndryshuara të njeriut dhe lidhjet e tij me “veten dhe shoqërinë. Filozofi dhe sociologu i njohur Slavoj Zizek mendon se, “Duhet ndarë vetë individi në një pjesë universale dhe në një pjesë individuale, në një pjesë publike dhe në një pjesë private (ku privatja nënkupton konakun dhe familjen bashkë me sferën publike joshtetërore të shoqërisë civile dhe ekonomisë)”. Slavoj Zizek, “Dhuna”, f. 147. Padyshim, është normale që në shoqërinë tonë të pësojnë ridimensionime të thella konceptet për mënyrën, stilin e të jetuarit. Njerëzit ndihen të çorientuar dhe kanë dyshime ekzistenciale për mundësitë e kufizuara për të jetuar si dikur në mega bashkësi supersociale, apo në grupimet me strukturë tradicionale. Por ndërtimi i jetës moderne, bazuar në parimet liberale dhe individualiste, nuk do të thotë aspak mohim i vlerës së raporteve dhe marrëdhënieve sociale që janë në themel të jetës së njeriut.
Një raport i ri, modern, demokratik i harmonizimit dialektik të parimeve individualiste e qëndrimeve liberale me ato sociale dhe tendencat e reduktuara komunitariste, është rruga, që duhet ndjekur, një nga kushtet universale të paplotësuara në jetën tonë, konditë sine qua non për të patur një “shoqëri të mirë rregulluar”. Në kohën e sotme është e qartë se shoqëritë e njëanshme, të orientuara nga filozofia që ushqen ndjenja dhe mendime tërësisht individualiste, apo tërësisht komunitariste, nuk janë shoqëri funksionuese e të mirë rregulluara si duhet.
Individi, shoqëria dhe përgjegjësia e ekzistencës personale si qëndron sot?
Parimet dhe vlerat e pakontestueshme të individualizmit, që duhen vlerësuar gjithnjë më shumë, nuk mund të qëndrojnë as në kuriz të shoqërisë, as kundër parimeve, normave, vlerave normale të konfirmuara të jetës komunitare. Një raport i ri, modern, demokratik i harmonizimit dialektik të parimeve individualiste e qëndrimeve liberale me ato sociale dhe tendencat e reduktuara komunitariste, është rruga që duhet ndjekur, një nga kushtet universale të paplotësuara në jetën tonë, konditë sine qua non për të patur një “shoqëri të mirë rregulluar”. Në kohën e sotme është e qartë se shoqëritë e njëanshme, të orientuara nga filozofia që ushqen ndjenja dhe mendime tërësisht individualiste, apo tërësisht komunitariste, nuk janë shoqëri funksionuese e të mirë rregulluara si duhet. Duke e vlerësuar këtë moment delikat të shoqërisë moderne, këtë difekt apo këtë rrezik që vjen nga moderniteti social, lideri klasik i liberalizmit modern John Raëls, mendon se, “nuk duhet të ketë asnjë arsye të momentit pse qëllimet e njerëzve në një shoqëri të mirërregulluar duhet të jenë në pjesën më të madhe individualiste”. M. Sandel, Liberalizmi dhe kufijtë e drejtësisë, f. 102 . Natyrisht individualizimi i jetës është një konstante e pakthyeshme e shoqërisë tonë, është tipar esencial, kuintesencë e shoqërisë moderne. Por thellimi i individualizmit deri në përmasat e anomisë sociale, është një nga shkaqet që shoqëria jonë të “mirë rregullohet”. Që të realizojmë këtë sfidë, duhen rregulluar “ekuilibret sociale” në marrëdhëniet midis individit dhe shoqërisë, midis tendencës individualiste dhe nevojës për ndjenja sociale e komunitare, si bazë për harmonizimin të interesave reciproke. Mënyra individualiste e të jetuarit, është “vlerë e shtuar” e modernitetit, “kusht i panegociueshëm” për suksesin, karrierën dhe prosperitetin individual të njeriut. Sepse sot suksesi individual nuk arrihet në “turmë”. Por nuk është normale që në emër të famës, suksesit, karrierës, fitimit, imazhit, protagonizmit, dukjes, që janë ndjenja kuintesenciale të njeriut modern, të prishen radikalisht balancat sociale, të deformohen raportet e njeriut me familjen, grupet sociale, shoqërinë në tërësi. Shoqëri moderne nuk është ajo që ka vënë në qëndër të saj njeriun që mendon vetëm për vete, egoist dhe asocial, eksentrik, që ndjek “rrugën e tij” pa pyetur se ç’thonë të tjerët. Duke arsyetuar mbi bazën e dukurive sociale nuk është deri në fund e qartë, nëse vetëm individualizmi si “entitet” më vete është kusht për ndërtimin e shoqërisë moderne apo që shoqëria moderne ka si produkt integral dhe tipik individualizimin e jetës dhe sjelljes së njeriut. Të gjithë e ndjejmë se nuk është shoqëri e “rregulluar mirë” nëse ajo punon që t’i mbajë njerëzit të ndarë, të veçuar, pa lidhje sociale me njëri tjetrin. Ca më tepër, duke e perceptuar “jetën private” tepër ngushtë, duke e “detyruar” njeriun që të jetojë i “mbyllur brenda vetes”, pa patur lidhje dhe relacione të domosdoshme sociale. Kjo nevojë për të qënë njëherësh “vetja” dhe në të njëjtën kohë edhe i lidhur me të “tjerët” ka ndryshuar shumë, sepse duket qartë se prirja është të kufizohen lidhjet me “shoqërinë e madhe”. Në këtë kontekst, sipas logjikës së kohës moderne, kemi filluar të ndjejmë humbjet që janë “kosto”, nga reduktimi evident i marrëdhënieve sociale. Sipas mendimit tim, është e vërtetë që lidhjet sociale kanë ndryshuar në “sasi”, por ato duhet të bëhen më cilësore, të vërteta. Sepse në thelb në shoqërinë shqiptare janë shtuar mundësitë, janë zgjeruar nevojat, imperativat e “padukshëm” që njeriu të krijojë, të mbajë marrëdhënie sociale dobiprurëse me të “tjerët”, nëpërmjet antarësive sociale, lidhjeve të shumta dhe të shumëfishta interpersonale. Gjithnjë njerëzit diskutojnë dhe janë të shqetësuar me disa realitete superindividualiste që kanë sjellë zbehjen e lidhjeve intime të gjakut, fisit, fqinjësisë që janë lidhje të dukshme, intensive, dominante për shoqërinë tradicionale të së kaluarës. Ato mund të ndryshojnë formën dhe intensitetin e tyre, por nuk duhen zhdukur mekanikisht, por duhen zëvendësuar me “lidhje të reja” më moderne. Sepse njeriu si pjesë e shoqërisë, krijon korrelacione më të zgjeruara, intensive, dobiprurëse përmes marrëdhënieve me shumë asociacione, shoqata, grupe interesi, të cilat gjithsesi kanë në platformën e tyre realizimin e disa “qëllimeve kolektive”, të cilat njeriu i vetëm sado i fortë dhe individualist të jetë, nuk mund t’i realizojë pa patur lidhje sociale me njerëzit e tjerë. Në esencë të fundit është koha që liria individuale të kuptohet edhe si “përgjegjësi sociale”. Kjo do të thotë që ajo nuk presupozon me patjetër një drejtim të njanshëm vetëm individiualist, që njeriu të thellojë vetëm njërën anë të personalitetit, atë që ka të bëjë me theksimin evident të natyrës individuale dhe të spikatjes së individualizmit të tij.
Gjithnjë njerëzit diskutojnë dhe janë të shqetësuar me disa realitete superindividualiste që kanë sjellë zbehjen e lidhjeve intime të gjakut, fisit, fqinjësisë që janë lidhje të dukshme, intensive, dominante për shoqërinë tradicionale të së kaluarës.
Privatja nuk është individualja që i kundërvihet të përbashktës
Qëllimi i shoqërisë moderne nuk është të “veçoj” njerëzit artificialisht nga njëri tjetri në “emër të lirisë” individuale, t’i izolojë nga nevojat e natyrshme për të patur “lidhje sociale”, të shfaqura si aftësi për “socialitet” dhe “sociabilitet”. Ne kemi nevojë të kemi koncept kulturor dhe human më të gjërë, duke kuptuar se njeri i lirë nuk është ai që jeton i mbyllur në “vetvete”, apo që mbetet në i “kyçur” kornizat e ngushta të “jetës private”. Ka ardhur koha për një rishikim social të raporteve midis njeriut, individualitetit të tij, nevojës për jetë sociale, marrëdhënie shoqërore me natyrë komunitare. Natyrisht pa cënuar dhe deformuar prirjet e modernitetit për liri, individualitet dhe individualizëm. Sepse, “Në epokën e liberalizmit kultura mbijeton, por vetëm nën formën e saj të privatizuar si një mënyrë jetese, si një bashkësi besimesh e praktikash, por jo më si një rrjet publik normash e rregullash”. Slavoj Zizek, Po aty f. 147.
Shoqëria shqiptare sot nuk është më “bashkësi e pakufizuar” si dikur, as nuk funksionon si “totalitet i strukturuar” i individëve amorfë, pa individualitet dhe personalitet. Por koha kërkon të drejtpeshojmë më mirë gjërat, në mënyrë që ta bëjmë shoqërinë më të mire nga ana sociale. Kjo do të thotë se duhet të punojmë më shumë, sidomos me të rinjtë për të krijuar koncept të drejtë, të balancuar, midis nevojës së njëkohëshme për “individualitet” por dhe për “socialitet”. Por fakti që njerëzit janë të ndryshëm, të dallueshëm në identitetin e tyre, që kanë “sisteme qëllimesh” të larmishme, të ndryshueshme nuk është argument për të mohuar nevojën që ata kanë për marëdhënie e lidhjeve sociale të arsyeshme midis tyre. Natyrisht dialektika e lidhjeve dhe raportet e individit me shoqërinë, në kohën tonë pothuaj është “përmbysur”. Jeta moderne, natyra liberale e shoqërisë shqiptare nuk mund të funksionojë noramalisht, nëse në themelin ekzistencial, në thelbin e filozofisë së saj nuk vëmë idenë bazë, se “individët janë qenie të ndryshme, të dallueshme”.
Shoqëria jonë që të rregullohet ka nevojë të rindërtojë mbi parime të drejta humane të balancuara, marrëdhëniet midis individit dhe bashkësisë, pa cënuar as identitetin e përveçëm, individualizmin e njeriut, por as qëllimet e mira që duhet të kemi si bashkësi sociale dhe shoqëri e “rregulluar mirë”. Filozofët e sociologët e modernitetit i kanë dhënë përgjigje koherente, raporteve të reja të privates me publiken.
Por kjo nuk e përjashton natyrën e “qëllimeve sociale”, praninë e domosdoshme të nivelit normal të “ndjenjave komunitare”, që duhet të jenë të pranishme në jetën e njeriut. Ai nuk mund të jetë qënie që i drejtohet vetëm “vetes” dhe nuk do të dijë për të tjerët. Sigurisht raportet e këtyre “kufijve” nuk janë asnjëherë fiks, të determinuar. Distanca e njeriut, e qëllimeve, objektivave të tij nga ato të shoqërisë, është e natyrshme të ekzistojë dhe të thellohet. Sepse në shoqërinë tonë “identitetet e veçanta” të njeriut po bëhen të qarta, të individualizuara, gjithnjë e më të “ngushta”, që të detyrojnë të mbash një “distancë individuale” të caktuar nga interesat e të tjerëve, apo të shoqërisë në tërësi. Por kjo nuk do të thotë që shoqëria jonë duke u bërë moderne, të neglizhojë “statusin e përbashkët” të shoqërisë. Apo ca më keq, që atë ta vemë poshtë këmbëve të individit egoist, pa qëllime sociale. Shoqëria jonë që të rregullohet ka nevojë të rindërtojë mbi parime të drejta humane të balancuara, marrëdhëniet midis individit dhe bashkësisë, pa cënuar as identitetin e përveçëm, individualizmin e njeriut, por as qëllimet e mira që duhet të kemi si bashkësi sociale dhe shoqëri e “rregulluar mirë”. Filozofë e sociologët e modernitetit i kanë dhënë përgjigje koherente, raporteve të reja të privates me publiken. Sipas këtyre të fundit “privatja është hapësira, që sundohet prej kreativitetit dhe imagjinatës së shfrenuar dhe ku konsideratat morale thuajse gjithnjë pezullohen, ndërsa hapësira publike është vendi ku ndodh ndërveprimi social, hapësira ku detyrohemi t’u bindemi rregullave që të mos lëndojmë të tjerët”. Kjo është arsyeja pse konceptimi i privates është i lidhur me një lloj reaksioni social tejet të fuqishëm, kundërshtues ndaj kolektivizmit mekanik, jetës në turmë dhe shoqërisë me unitet të plotë, sikurse ishte shoqëria shqiptare tre dekada më parë. Por nga ana tjetër, edhe publikja duhet vlerësuar si “hapësirë e domosdoshme e solidaritetit social”.




















