Drejtori i ARRSH-së Afrim Qëndro: Dëmshpërblimi për të prekurit nga projekti i Unazës. Kryeministri Rama, kundër bllokimit të rrugëve, KKT: Miraton lejen nga Pallati me shigjeta tek sheshi “Shqiponja”

950
Sigal

Do vlerësohen subjektet me vërtetim pronësie, të prekurit e tjerë-3 vite qira dhe kredi të buta

Drejtori i ARRSH-së Afrim Qëndro zbardh dëmshpërblimet që do t’u jepen banorëve të “Unazës së Re”

Në kuadër të projektit për “Unazën e Re”, ARRSH, bashkia e Tiranës dhe policia Rrugore kanë hartuar një plan për menaxhimin e trafikut në këtë zonë ku do të kryhen punime. Në një deklaratë të përbashkët për mediat, Afrim Qëndro, drejtor i ARRSH-së bëri me dije se, duke nisur nga muaji janar, aksi që nis nga Dogana dhe deri tek shkolla Teknologjike do të jetë me tre korsi. Ai po ashtu bëri me dije se sheshi”‘Shqiponja” nuk do të jetë më rreth-rrotullim por një gjysmë unaze.

Drejtori i ARRSH-së Afrim Qëndro: Ja si do menaxhohet trafiku

“Ne do të fillojmë me kantierin. Kantieri ka dy faza. Ne kemi ditë që po punojmë me policinë dhe sektorin e transportit në bashkinë e Tiranës. Kemi pasur dhe bashkëpunim me inxhinierët e kompanive. Ku qëndron plani i menaxhimit të trafikut? Do ketë tre korsi, në ikje dhe në ardhje duke nisur nga muaji janar. Kantieri do të zhvillohet nga pjesa e ‘Astirit’, ku kemi pak ndërsa që preken. Do funksionojnë të gjithë semaforët. Tek sheshi “Shqiponja” s’do e kemi më rrethrrotullim, por do kemi një gjysmë unazë. Kur vjen nga unaza nuk mund të rrotullohesh në vend, por do shkosh deri tek Casa Italia. Në asnjë moment trafiku për përdoruesit e rrugës dhe qytetarët, s’do jetë i bllokuar gjatë kësaj kohe që do bëhet projekti. Do ketë një vështirësi trafiku, dhe për këtë policia ka marrë të gjitha masat”, tha Qendro.

Qëndro: Ja mënyra e dëmshpërblimeve

Afrim Qëndro teksa u ndal tek dëmshpërblimi i qytetarëve, të cilët prej disa ditësh protestojnë, tha se do të bëhen të gjitha vlerësimet e objekteve. Ka shumë objekte që nga verifikimi mund të riformatohen. Në këto raste në bazë të ligjit do të bëjmë vlerësim bashkë me qytetarët të objektit, ku do të jepet aprovim që kjo banesë mund të qëndrojë në këmbë, që do të thotë pjesa që preket do të prishet dhe pjesa që mbetet do të vijojë të qëndrojë. Por kjo do të jepet nga inxhinieri. Nuk do të skualifikohet pjesa që mbetet por do të ketë një rivlerësim të godinës nga inxhinieri në bashkëpunim me hipotekën”, pohoi ai. Afrim Qëndro, Drejtori i ARRSH i konsideroi spekulim pretendimet e banorëve për ndryshim të aksit të unazës së madhe. “Aksi që lidh shkollën teknologjike me sheshin Shqiponja nuk ka lëvizur. Kemi një rrugë që ka karakteristikë ’A urban’. Nëse do e bënim vetëm kategori A pa rrugë dytësore, do e ndanim qytetin në dy pjesë. Qëndro konfirmoi edhe një herë atë ç’ka tha ministri Gjiknuri, se asnjë prishje e objekteve me dokument zyrtar nuk do ndodhë pa dalë VKM dhe fondi përkatës për dëmshpërblim. “Kemi verifikuar 102 objekte me pronësi se 135 me legalizim po presim që ALUIZNI të bëjë skualifikimin ose kualifikimin e objekteve, më pas do veprohet me Inspektoriatin Ndërtimor për prishjen e objekteve, por kjo pasi të jenë regjistruar për bonus qiraje në Bashki. ARRSH është institucion shtetëror dhe i pret qytetarët në institucion. E kam bërë deklaratë dhe e them, kanë trokitur mbi 60 % e poseduesve. Unë nuk jam inxhinier të shkoj të sqaroj protestuesit. Kanë ardhur grupe me deputetë, pa deputet dhe individë të veçantë. Për ç’kanë ardhur janë sqaruar iu është qarë halli. E kuptoj shqetësimin, i kam pritur, i kam sqaruar, i kam analizuar të gjithë situatën. Institucionet nuk funksionojnë në rrugë, por nëpër zyra. Lidhur me akuzat e ngritura për kostot e rrugës, Qëndro u shpreh se analogjia që bëhet nuk është e drejtë. Kemi 2.3 km rrugë urbane dhe 4.6 km rrugë dytësore, ka dy nën kalime, dy mbikalime që do të thotë kosto që ka ndërtimi i mbikalimit është më vete, jo në koston e rrugës. Vetëm mbikalimi bën 1.5 mld – përfundoi Qëndro.

“Unaza e Re”, ARRSH grup pune për vlerësimin e banesave

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka ngritur grup pune për vlerësimin e banesave që preken nga projekti i “Unazës së Madhe”. Grupet e Punës do bëjnë matjet dhe vlerësimin për pasuritë që preken nga projekti. Detyrat e grupeve, sipas urdhrit që mban firmën e kreut të ARSH-së, janë:

  • Matja dhe vlerësimi i të gjitha pasurive që preken nga projekti.
  • Kryerja e të gjitha korrespondencave me institucionet shtetërore për marrjen e dokumentacionit dhe konfirmimeve që nevojiten për plotësimin e kërkesës për shpronësim.
  • Plotësimin e kërkesës për shpronësim për të gjitha pasuritë pronë private sipas legjislacionit në fuqi.
  • Dorëzimin e kërkesës për shpronësim brenda muajit dhjetor.
  • Në bashkëpunim me institucionet shtetërore, të kryejnë matjet, vlerësimin si dhe përgatitjen e dokumentacionit tekniko-ligjo për kalimin kapital për të gjitha pasuritë shtetërore që preken nga projekti i zbatimit.

KKT miraton lejen për segmentin nga mbikalimi i Pallatit me Shigjeta tek rreth-rrotullimi “Shqiponja”

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi pardje  lejen zhvillimore për Bashkinë e Tiranës për projektin e mbikalimit të “Unazës së Madhe” , ndërkohë që subjekti zhvillues është Autoriteti Rrugor Shqiptar. Lista e vendimeve të miratuara nga KKT këtë herë ka qenë më modeste me vetëm katër në total ku dy të tjerët kanë të bëjnë me ndërtimin e mbikalimeve për këmbësorët në aksion Kukës-Morinë dhe Thumanë-Milot.

  1. Leje Zhvillimi për objektin: “Rehabilitimi i segmentit rrugor ‘Mbikalimi i Pallatit me Shigjeta rreth-rrotullimi ‘Shqiponja’, Bashkia e Tiranës”, me subjekt zhvillues Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Kryeministri Rama: Jeni shprehja spektakolare e degradimit total të të menduarit

Kryeministri Rama e ka dënuar bllokimin e rrugës nga ana e banorëve të “Unazës së Re” dhe ka kërkuar lirimin e saj, gjë që, sipas tij, i hap rrugën zhvillimit të qytetit. Kryeministri Rama: “Pa asnjë gajle bllokojnë qarkullimin dhe natyrisht janë shprehja më spektakolare e një degradimi total të të menduarit shoqëror dhe politik të këtij vendi. Por që të kesh aplikuar për legalizim, s’do të thotë se je legalizuar. Nëse shtëpia jote bie mbi shtratin e lumit, mbi tubacionet e ujësjellësit, kanalizimit, mbi linjat elektrike dhe kështu me radhë. Janë qartësisht të përcaktuara në ligj. Një godinë nuk mund të kthehet në pronë të ligjshme kur cenohet prona e ligjshme e përbashkët. Ka një abuzim të madh me këtë koncept. Nuk është e njëjta gjë që të kesh ndërtuar një shtëpi për të futur kokën në një territor ku s’je bërë pengesë dhe të ndërtosh 5, 6, 7, 8 kate për biznes në shtratin e rrugës dhe të pretendosh pas 15 vitesh dëmshpërblim, 100%. Po për çfarë? Kundrejt të drejtës morale të atyre që, jo vetëm që s’kanë zaptuar, por kanë respektuar dhe kanë paguar taksat. Duhet të marrim para nga buxheti për të dëmshpërblyer zaptuesit profesionistë? Thirrja ime është që ata njerëz të largohen nga rruga për t’i hapur rrugë zhvillimit dhe mos të turpërojnë dhe të bëhen gazi i botës dhe mish për top të atyre që s’u ka ngelur asgjë në shpirt dhe u ka ngelur një flamur i grisur dhe bëjnë opozitës.