“Martesa e dytë”, romani i ripërtëritjes së familjes

1136
Sigal

Nga Halil Rama

Pas tri dramave për fëmijë e një studimi për folklorin, Flamur Buçpapaj boton romanin e mirëpritur nga lexuesi

Në vlerësimin që para dy vitesh, shkrimtari i mirënjohur Teodor Laço i bënte gazetës “Koha Jonë” si promovuesja më e mirë e letrarëve të rinj, ndër të tjera do të shprehej për “një tufë poetësh, zëra të rinj poetik që derdhën frymëzimin e tyre, veçanërisht nga tre burime: Tropoja – farefisi Buçpapaj, Hamit Aliaj e të tjerë; Preç Zogaj, Ndoc Gjetja, Agim Isaku nga Lezha; Petrit Ruka, Ilirirjan Zhupa, Qazim Shemja nga Tepelena, ‘provincialë’, por që më vonë u bënë autorë të njohur të letërsisë dhe gazetarisë”. Dhe pikërisht nga “dinastia krijuese Buçpapaj”, po spikat një tjetër autor, që përveçse si themelues dhe drejtues i Radio “Nacional” po hedh hapa të sigurt edhe në prozën e gjatë. Kështu, Flamur Buçpapaj, pas tri dramave për fëmijë e një studimi për folklorin në zonën e Tropojës, botoi më së fundi romanin “Martesa e dytë”, që është mirëpritur nga lexuesi. Ngjarjet në roman zhvillohen në një fshat të thellë malor, që autori e quan thjesht Bokë. Aty ku komunizmi bëri gjëmën duke synuar të zhdukë emrin e familjeve të mira. Në këtë vend, një rrafshnaltë poshtë një mali të lartë, rastësia apo fati, i bashkoi Jetonin me Borën që përpiqen të ringrenë emrin e familjes së tyre të nëpërkëmbur nga komunizmi. Galeria e personazheve në romanin e Flamur Buçpapës është e gjerë, por rreth këtyre dy të dashuruarve gjer në marrëzi ndërthuren jetë dhe realitete shqiptare që gjallojnë si të vërtetë.

Pa dashuri nuk ka rilindje të jetës

“Martesa e dytë” është padyshim një roman tërheqës, me ngjarje e personazhe të përshkruar mjeshtërisht. Autori, Flamur Buçpapaj ka skalitur veçanërisht portretet e Borës dhe Jetonit, por personazhe interesantë janë edhe nënë Ajshja, magjistarja Bukurije, Naimi, shoku i ngushtë i jetonit murgeshat si dhe motra e vogël e Borës. Subjekti tepër interesant të bën të mos largohesh prej tij nga faqja e parë deri te e 218-ta. Jetoni dhe Bora, dy personazhet kryesorë, të lidhur që në gjimnaz, të dy nxënës shembullorë krijojnë një familje solide. Por Jetoni që rridhte nga familje bajraktarësh nuk lejohet të vazhdojë studimet e larta dhe sa vjen demokracia emigron në Gjermani, ku brenda një harku kohor pesë vjeçar merr shtetësinë gjermane, ndërkohë kryen dhe studimet e larta për jurisprudence. Bora, nga ana e saj, ndonëse vajzë qyteti ruan nderin e burrit duke u kthyer në robinë e fatit të saj, si shërbëtore e vjehrrës e deri duke kryer punët më të rënda të bujqësisë e blegtorisë. Siç e përshkruan autori “Bora, një gërshetim i bukurisë me zgjuarsinë, me ndershmërinë dhe bujarinë…,një gjë e bekuar që rrezaton hijeshi dhe paqe…”, do të bëhej më e respektuara në fshatin Bokë, jo vetëm për faktin që ruajti nderin e burrit, por edhe pse shërbeu vullnetarisht si mësuese e fëmijëve të fshatit. Lajtmotivi i saj ishte “Pa dashuri nuk ka rilindje të jetës”.. Dhe mbi të gjitha për të ishte dashuria për Jetonin që do të ringjallte shtëpinë e bajraktarit të zonës. “Bora kishte mbledhur folklorin e zonës dhe fjalët e urta popullore, duke bërë në mend që një ditë t’i botonte në një libër me folklorin e zonës dhe poezi…”. Ndërsa “Jetoni krenohej: E kam nusen poete, filozofe!…”.

Tragjedia e ripërtëritjes së familjes

Fshati Bokë shtrihej më lart se Valbona, thuajse dy orë të mira më këmbë, ku siç shprehet autori F. Buçpapaj gjithë frymëzim: “në mëngjes me pi çaj mali, në darkë qumësht më mazë e të hash bukë çerepi, është jetë përrallore…ushqim bio…”. Pikërisht këtu po e rindërtonte jetën Bora, vajza e kolme nga qyteti. “gjithë kjo femër, me gjithë këtë gjoks e gjithë këto këmbë që s’e ka prekur njeri për pesë vjet.., e që siç meditonte herë pas here ajo vetë: “gati po bëhem e virgjër!”. Autori përshkruan aq bukur ndjenjën e dashurisë njerëzore, madje duke filozofuar për dashurinë. Nisur nga profili i personazhit kryesor t romanit të tij, Bora, autori jo më kot shprehet se “Femrat kanë nevojë për dashuri në radhë të parë…për ngrohtësi, mirësjellje, seksi është i fundit…Për Zotin e kam harruar fare seksin!!!!”. Edhe vjehrra Ajshja, mendonte si për çudi të njëjtat gjëra: “Është e re e shkreta dhe ia kërkon trupi, se rinia pa dashuri është si mali pa gjethe dhe ngjason me ndonjë zog të vetmuar.”. Por fati i keq, edhe pas ekzaminimeve mjekësore kishte rezultuar se kjo krijesë hyjnore nuk mund të lindte fëmijë. E kjo sipas Kanunit do të shkaktonte gjëmën, sepse Jetonin do ta detyronin të kryente një martesë të dytë me një grua tjetër, vetëm për të lindur fëmijë e për të ripërtërirë familjen e bajraktarit… “Të gjithë uronin që Bora të qëndronte në atë shtëpi dhe në atë fshat dhe se ajo të mos bënte zgjedhje radikale, të largohej..Kjo do të ishte një tragjedi, jo vetëm për familjen e tyre, por dhe për fshatin e tyre i cili jetonte me bëmat e saj dhe respekti i tyre për të është shumë i madh. Të gjithë e donin dhe krenoheshin me të. Ajo ishte bërë e famshme jo vetëm për ato që bëri, por dhe për kujdesin ndaj të varfërve dhe Zotit… Ndaj dhe Jetoni përulej para saj me admirim…”. Më tej autori shprehet se “Ankthi se nuk lindte fëmijë e kishte shoqëruar Borën gjatë gjithë kohës, edhe pse mjekët ia kishin thënë troç, se veçse një mrekulli do ta bënte të lindte fëmijë…Se Zoti, i kishte thënë magjistarja Bukurije, e bën fëmijën nga toka dhe jo nga barku i Nanës…Zoti e bëri njeriun për ta bërë zot të këtij planeti. të gjithë ata që bëjnë kundër vullnetit të Zotit kanë për ta pësuar…”. Pikërisht në këtë vorbull gjykimesh edhe Jetoni do të lëkundej para presionit të farefisit, që i bindej përcaktimit të fatit të Borës nga magjistarja Bukurije. Ndonëse investon në infrastrukturë e në përpunimin e produkteve bujqësore e blegtorale, si e si që ta lumturojë sa më shumë edhe nusen e tij të bukur Borën, edhe ai “pranon pa dashje” martesën e dytë. Dhe kur Bora viktimizohet pikërisht nga ky fakt, edhe Jetoni “harron martesën e dytë” dhe deshi të vetëvritej, duke pirë një kuti me ilaçe. Fati e deshi që ai, ndonëse rast i rrallë, të shpëtonte, pas gjëmës së madhe që shpoi qiellin pranveror të fshatin Bokë.

Dashuria vazhdon dhe në botën tjetër

“Jetoni e rregullonte varrin e saj tek bliri, 100 metra afër shtëpisë, që e kishin mbjellë ditën e martesës së tyre. I vadiste lulet çdo mëngjes. ishte e njëjta dashuri si në jetë. Dashuria vazhdon dhe në botën tjetër. Gruan të cilën e dashuron me të vërtetë nuk mund ta duash vetëm në këtë botë. Ajo e meriton dhe në jetën tjetër…”. Dashuria e Jetonit për Borën është më e madhe se çdo rregull, Kanun….Megjithatë, nusja e dytë erdhi sërish në këtë shtëpi, disa muaj pas vdekjes së Borës, e cila ishte larguar për të mos u kthyer kurrë, një orë pasi kishte ardhur për herë të parë nusja e dytë. “Ajo erdhi. ka fat!. E gjeti çdo gjë të ndërtuar, burrin, shtëpinë e të gjitha….Dridhem kur e kujtoj se ajo do të prekë burrin tim, shpresën time që mendoja se nuk do të ndahesha kurrë deri në vdekje…”, kishte shkruar në letrën e saj të lamtumirës, Bora, gruaja e bukur. Dhe kjo ndodhi, sepse siç shkruan autori në këtë roman “Humbja e dashurisë është njëlloj sikur të ndalojë dielli dhe të mos ketë më ditë… Dhe se dita është njësia themelore e jetës dhe se “jetë pa dashuri si duket nuk ka në qytetin verior”, ku personazhi kryesor i tyre po i lëkundte marrëdhëniet me jetën.”. Megjithatë, Jetoni që po ripërtërinte shtëpinë e të parëve, ishte ndër të parët që deklaronte dashurinë e tij për gruan e parë. “…Në zemrën time s’do të ketë më vend për dikë tjetër, vetëm ajo Bora, që s’do të shkrijë kurrë në jetën time sa të vdes. Ajo ishte dhe është ylli i jetës sime…” Si për të përligjur këtë filozofi të jetës në fshatin e largët malor, autori e përmbyll kësisoj romanin “Martesa e dytë”: “Pas një viti në shtëpinë e Jetonit, lindi një vajzë e vogël, e bukur, me emrin Bora. Të gjithë e pritën dimrin që të shikojnë çfarë bore ka rënë nga qielli…”

Gëzohu kur e sotmja ka kënaqësi, të nesërmes nuk i dihet

“Jeton, mos më merr për të çmendur dhe as për të fiksuar. Unë jam e vetmja femër që të dua me shpirt dhe se shpirti nuk vdes kurrë. Ai endet në ajër për jetë të jetëve..Një jetë në dy trupa!…Ika Jeton..të dua…të pres të vish të më marrësh”.. Mjafton qoftë edhe vetëm ky perifrazim për të kuptuar filozofinë e autorit Flamur Buçpapaj për jetën. Kjo del qartë edhe në dialogun e sipërmarrësit të ri të fshatit Bokë me shokun e tij të ngushtë, Naimin, teksa i thotë: “Gëzohu kur e sotmja ka lezet, të nesërmes nuk i dihet”. Brenda kësaj filozofie janë edhe idetë e personazhit kryesor për shtetformimin e progresin. Me gjithë predikimet, trajtimi i një teme mjaftë delikate, si ajo e ruajtjes së traditës familjare, sidomos të një familje bajraktari të nëpërkëmbur nga komunizmi ia rrit vlerat autorit, i cili me një gjuhë të pasur ka përshkruar një histori rrëqethëse shumë afër reales. Por, Flamur Buçpapaj dëshmohet edhe si njohës e përçues i filozofisë së jetës dhe shtetformimit, duke sjellë fakte të reja edhe nga koha e sundimit të ideologjisë komuniste si dhe nga postdiktatura. Nga analiza e mirëfilltë e këtyre fakteve autori arrin në përfundimin se çdo gjë e re sjell dinamizëm, organizim të ri. Kjo edhe për faktin se shqiptarët kanë qenë gjithmonë në agresion.. Gjithsesi, autori me keqardhje konstaton se krahas sulmeve të jashtme kemi vrarë vazhdimisht njëri-tjetrin dhe se shumë pak njerëz kanë falur gjakun me njëri tjetrin. “Si nuk doli një burrë si Anton Çeta në Kosovë të ndalojë gjakmarrjen, sidomos në Veri?”, ngre pyetjen autori. Dhe duke perifrazuar intelektualin e mirëfilltë që ka qejf të ecë demokracia përpara e të kapim hapin e Evropës, sepse regjimi komunist na ka lanë shumë mbrapa (Komunistët janë të pandreqshëm si gungaçi, që vetëm vdekja ua shëron gungën, shprehet ai), “Elita që punon më mirë për popullin e vet qëndron më gjatë në pushtet. Ajo kujdeset për infrastrukturën, papunësinë, progresin shoqëror”.