Dr. Quka: Konsumatorët rrezikojnë vdekjen nga produktet hormonale

    597
    Sigal

     Flet dr. Abaz Quka, neurolog: Ju tregoj produktet e rritura artificialisht dhe rrezikun prej tyre

    Përdorimi pa kriter i hormoneve dhe pesticideve te bimët bujqësore fruta-perime, është gjithnjë një shqetësim i përditshëm i konsumatorëve. Ditët e fundit ministri i Bujqësisë në Lushnje praktikoi një  model se si mund të kontrollohen në laborator fruta-perimet për përmbajtjen  e ngarkesave kimike. A është e mjaftueshme kjo? Problemi është parandalimi. Blerësi dhe shitësi janë në dilemë të njohjes së prodhimeve të prekura ose të kultivuara në mënyrë artificiale. Çfarë duhet të kemi parasysh kur të blejmë fruta-perime në treg? Nga se dallohen frutat e perimet e rritura me hormone? Cilat organe preken nga përdorimi i perimeve të tilla? Shenjat e sëmundjes dhe masat që duhet të merren në kushte shtëpiake. Për këto probleme do të na informojë në intervistën për “Telegraf” mjeku neurolog, dr. Abaz Quka.

     Dr. Abazi, çfarë rreziqesh paraqet përdorimi i fruta-perimeve me hormone?

    Të gjithë jemi të rrezikuar nga përdorimi i këtyre produkteve të cilat i marrim si për  “bio”,  por në fakt janë rritur me elementë farmaceutikë që dëmtojnë shëndetin. Konsumimi i tyre është me efekte të menjëhershme (intoksikacione akute) dhe të ngadalta. Në qoftë se këto pesticide janë me përbërje fosforike, atëherë japin shqetësime në organizmin e njeriut që manifestohen me dhimbje barku, të përziera, të vjella, djersitje, ngushtimi bebeve të syrit dhe nëse janë në sasi akoma më të lartë, krijojnë probleme në frymëmarrje, nxirje të buzëve dhe deri në vdekje. Shfaqen me çrregullime në tretjen e ushqimit, me dobësi të përgjithshme. Intoksikacionet akute ndodhin zakonisht, kur spërkaten perimet dhe shkon dikush e i konsumon. Në qoftë se këto perime merren në mënyrë të përsëritur, qoftë edhe në doza të vogla, atëherë këto japin dëmtime në disa organe.

     Cilat organe dëmtohen më tepër?

    Në radhë të parë dëmtohet sistemi që ka të bëjë me organet e riprodhimit dhe do të ndodh që çiftet e reja nuk do të lindin fëmijë. Së dyti, mund të dëmtohet sistemi nervor, i cili është më i ndjeshëm, truri. Mund të shfaqen dhimbje koke, depresione, gjendje ankthi, dhimbje nervore dhe çrregullime mendore. Shfaqen ose sëmundje të organeve ose sëmundje psikologjike që kanë të bëjnë me stresin. Përdorimi i pesticideve ndikon në prodhimin pa kriter të hormoneve të trupit si te hipofiza etj. Këto shenja mund të shfaqen edhe gradualisht, jo në çast.

     A ndikon në imunitetin e njeriut përdorimi i perimeve të tilla?

    Sigurisht e dëmton imunitetin. Vetë organizmi ka një sistem mbrojtës ndaj të gjitha sëmundjeve, sidomos ndaj sëmundjeve mikrobiale ose virale. Të gjithë njerëzit që përdorin perimet e rritura me hormone, veç dëmtimeve që thamë: fertilitetin, riprodhimin etj, dëmtojnë edhe sistemin imunitar. Më pas do të shfaqen sëmundje infektive, mikrobiale, virale. Ka një rritje të sëmundshmërisë nga përdorimi i këtyre lëndëve.

     A janë më të rrezikuara moshat e vogla? 

    Këto pesticide janë të dëmshme për çdo moshë, por veçanërisht më të rrezikuar janë fëmijët. Gruaja shtatzënë duhet të bëjë shumë kujdes. Përdorimi i ushqimeve me hormone janë të ndaluara rreptësisht në shtatzëni. Kur fëmija është në barkun e nënës dhe ajo konsumon të tilla produkte ka më shumë rreziqe. Sidomos në tremujorin e parë të shtatzënisë mjekësia rekomandon që nënat e tilla të mos marrin asnjë medikament, sepse është periudha që formohet embrioni i fëmijës. Pesticidet janë lëndë helmuese të cilat po u morën në tremujorin e parë të barrës, fëmija rrezikohet të dalë me dëmtime, para kohe, nën peshë dhe mbi të gjitha me sëmundje të trurit. Por jo vetëm në tremujorin e parë, por edhe në muajt e tjerë duhet ky kujdes. Pra sa më i vogël të jetë fëmija, aq më i ndjeshëm është ndaj ushqimeve me hormone.

     Si mund të ndihmohen lexuesit e gazetës, përdorues të perimeve me indikacione kimike?

    Një sasi e vogël e helmeve që mund të mbetet te frytet apo perimet do të eliminohet nëpërmjet larjeve me ujë. Lihen për disa orë në ujë dhe pastaj thahen e konsumohen. Arsyeja është se një pjesë e hormoneve mbesin në sipërfaqen e frytit apo perimeve.

     Është gjithnjë efektive larja e fruta-perimeve?

    Larja nuk e eliminon 100%  medikamentin nxitës. Te trangulli, domatja etj., lëndët kimike futen edhe në brendësi të tij, kështu që edhe larja nuk e eliminon  plotësisht, prandaj duhet që të kontrollohen normat shkencore se në çfarë sasie do të hidhet edhe në cilën kohë do të hidhet. Rëndësi ka edhe koha e vjelja e prodhimeve. Shumë fermerë  synojnë ta nxjerrin prodhimin para kohe. Lëngu hormonal në këtë rast është më i rrezikshëm.

     

    Te cilat bimë përdoren më tepër hormonet

    Te domatja, speci ….sallata, spinaqi, trangulli. Te këto përdoren më shpesh pesticidet prandaj t’u ruhemi përdorimit të tyre. Këto rriten më shpejt edhe helmimet më të shumta nga këto fruta kanë qenë.

     Si mund të bëhen sa më pak të dëmshme këto perime?

    Duhet që bujqësia të ketë agronom dhe veterinerë që të kontrollojnë sasinë e përdorimit dhe të venë para përgjegjësisë personat abuzues. Specialistët i dinë me kompetencë këto praktika. Ndodh që vetë fermeri, i pashkollë, duke mos  u konsultuar me specialistin, i kalon masat e përdorimit, i bën pa kritere dozat dhe kështu dëmton konsumatorin.

     Po mishi që ne blejmë si është, bio?

    Siç ndodh te bimët, ndodh edhe te kafshët. Lëndët hormonale (hormonet e rritjes) përdoren edhe te kafshët, qoftë te shpendët, qoftë te gjedhët. Duke i injektuar këto lëndë viçat, qengjat, etj., rriten, bëhen më të mëdhenj. Këto e marrin hormonin ose nga goja, ose me injeksione. Këto nuk japin ato që quhen helmime akute, siç japin lëndët toksike, por bëjnë e para, që mishi të mos jetë i shijshëm, e dyta, të mos i ketë ato vlera kalorike po të jetë tamam bio, natyrale dhe e treta, këto japin dëmtime në shëndet, por dëmtime të vogla dhe graduale që shfaqen pas disa vitesh (vdekje e ngadalshme). Nuk japin dëmtime të shpejta dhe të kuptueshme. Fermerët nga që duan t’i shesin dhe të fitojnë i përdorin për të rritur kilogramët.

      Po problemi i mishit që shitet kudo në qytete a është i dëmshëm?

    Duhet kontroll dhe ndjekje serioze nga organet kompetente. Sado nivel të ketë fermeri, nuk ka ato njohuri që ka specialisti i asaj fushe. Këtë punë duhet ta organizojë shteti nëpërmjet levave të tij në bazë e ato që ka Ministria e Bujqësisë. Po i bëri të sakta këto kontrolle shteti, atëherë fermeri nuk e shkul apo nuk e vjel prodhimin jashtë kritereve.

     Po te pemët ekziston hormoni?

    Këtu është më e pakët. Se pema ka një natyrë tjetër rritjeje dhe nuk mund të bëjë efekt shpejt. Por ka edhe raste që prodhimi nga pema vilet para kohe dhe përdoren pesticidet. Pjekja e parakohshme është vënë re më shumë te domatja dhe trangulli sepse këto janë produkte që populli i përdor shumë dhe fshatarët duke dashur që të kenë sa më tepër fitime, i spërkatin, fusin lëndë hormonale duke i lyer sipërfaqen domateve ose trangullit, ose hedhin më shumë pesticide për t’i mbrojtur këto nga infeksionet. Duke pasur më shumë lëndë toksike, bima nuk do të ketë shijen e duhur, nuk do të ketë ato vlera, por mbi të gjitha do të jetë edhe i dëmshëm për shëndetin.

     Në Shqipëri këto medikamente futen nga jashtë. Si mund të bëhen sa më të kontrolluara?

    Kjo varet nga organizimi, nga shteti. Deri tani ky kontroll ka munguar. Aktualisht farmacitë që merren me këtë fushë, tregtojnë çdo gjë. Gjithçka që shitet duhet të jetë e dokumentuar dhe e kontrolluar nga shteti. Gjithashtu shteti duhet të vërë para përgjegjësisë personat abuzues. 

     Si mund ta dallojë  qytetari nëse një produkt bujqësor është rritur me hormone?  

    Kjo është e vështirë për t’u dalluar me sy. Pjekjet e stimuluara me hormone nuk e kanë formën e zakonshme tulore, kanë deformim në trup. E dyta, nuk e kanë shijen natyrale. Sa i takon dallimit nga konsumatori është e vështirë. Dallohet vetëm me aparate laboratorike. Kur domatja brenda është jeshile kurse në sipërfaqe e kuqe, tregon se është pjekur artificialisht.  Një shenjë tjetër është se trupi i sallatorit ose domates pjekur me nxitës dëmtohet lehtë, nuk reziston, fishket shpejt. Dëmin më të madh e sjellin përdorimi i pesticideve, sepse ato nuk dallohen dot, pasi janë bërë pjesë organike e brendshme e frytit. Dëmtimi më i madh vjen nga përdorimi lëndëve toksike.

     Mjekësia, institucionet tona, a janë të afta t’i kapin këto helme?

    Aparaturat ndodhen vetëm në kryeqytet. Atje ka laboratorë qoftë për hormonet që kanë ndikuar në pjekjen e parakohshme, qoftë edhe në lëndët pesticide që përdoren për rritjen e bimëve. Në qoftë se këto prodhime i çon në eksport dhe shteti përkatës i konstaton, atëherë bllokohet tërë prodhimi, siç ndodhi me Malin e Zi.  Pra, është më mirë edhe për fermerin që kontrolli të bëhet në kohën e duhur dhe të jetë shkencor. Duhet të ndërgjegjësohet vetë fermeri që ta bëjë çdo gjë brenda parametrave shkencorë.

     Ç’mund të thoni për shoqatën e konsumatorëve?

    Është një shoqatë, e cila  është inekzistente, përderisa nuk i ndihet zëri për të mbrojtur të drejtat dhe shëndetin e konsumatorëve. Askush s’është vënë para përgjegjësisë, vetëm llafe pa fund kemi dëgjuar.

     A ka pasur të shtruar në spital, të cilët kanë përdorur perime të rritura me hormone?

    Varet nga rezistenca e trupit. Ka ndodhur që vijnë në urgjencat tona njerëz të prekur nga përdorimi i perimeve me hormone. Kanë patur probleme në sistemin tretës, pafuqi, mungesë frymëmarrje  apo dridhje muskulore. Ka patur dhe nga ata që kanë ardhur me vonesë dhe kanë vdekur. Kur vijnë në spital në fazën e rëndë, nuk shërohen dot, prandaj duhet urgjent të vijnë në fillim të sëmundjes. Ka kundërhelm, por po të vish në kohë. Përdoret kryesisht atropina, serumet në sasi të mëdha dhe lëndë që shtojnë lëngun në organe si veshkat. Bëhet shpëlarja e organit. Mjekimi kryesor është me antidodë dhe mjekimi i dytë është me serume e lëndë që shtojnë filtrimin në veshka. Ka dhe pesticide që nuk kanë antidodë. Në këto raste jepen serume në sasi të mëdha, jepen vitamina dhe lëndë që shtojnë filtrin në veshka dhe bëhet shpëlarja e gjakut. Po arrite në spital qoftë edhe në gjendje të rëndë, është mundësia 99 % për të mbijetuar.

     A është një minë me sahat për njeriun kjo praktikë?

    Në fakt po, është. Prandaj duhet që shteti të bëjë kontrolle dhe të organizojë në mënyrë shkencore në çdo pjesë të vendit, në blegtori, në perimtari, që gjithçka të bëhet në mënyrë shkencore, sepse e para krijohet një presion psikologjik, ka një frikë, ka një ankth, dhe kjo krijon shqetësime nervore, krijon depresione nervore te njeriu konsumator dhe së dyti nga dëmtimi i vërtetë janë ato që thamë më sipër që shkaktojnë dëmtime të shpejta akute, duke helmuar organizmin e që rrezikojnë jetën dhe ose dëmtime afatmesme e afatgjata që dëmtojnë trurin, nervat, sistemin mbrojtës dhe gjithë organizmin e njeriut. Pra shkurtohet jeta, dëmtohet shëndeti, dhe e gjithë kjo kërkon një kontroll rigoroz nga instancat shtetërore.

      Ç’masa duhet të marrë shteti?

    Shteti duhet të marrë masa që së pari çdo gjë që konsumohet, të kontrollohet. Pra të ketë një sistem kontrolli, të ketë norma, parametra transparent që me ç’sasi përqindje do të spërkaten këto bimë, sa do të jetë sasia që duhet hedhur, kur do të bëhet vjelja e tyre? Specialistët e bazës të jenë në operativitet. Mendoj që ky kontroll ose ndihmë duhet bërë në fushë, te prodhuesi. Duhet bërë vjelja, kur sasia e pesticideve të jetë zero. Shteti s’duhet të bëjë sehirxhiun, por  të kontrollojë, të veprojë, të përgjithësojë e ndëshkojë po të jetë nevoja. Boll është bërë shaka deri më sot me shëndetin e popullit!

    -Ju faleminderit!

     Efektet

     Dhimbje barku

    Të përziera, të vjella,

    Çrregullime në tretjen e ushqimit

    Dobësi të përgjithshme

    Djersitje

    Ngushtimi bebeve të syrit

    Probleme në frymëmarrje

    Nxirje të buzëve

    Vdekje

    Intoksikacionet akute, kur sapo spërkaten

      

    Organet që preken

    Organet e riprodhimit

    sistemi nervor

    sistemi imunitar

    Organet hormonale, hipofiza  etj..

     

    Më të rrezikuarit

    Çdo moshë

    Më të ndjeshëm

    Fëmijët

    Gruaja shtatzënë, sidomos në tremujorin e parë të shtatzënisë

    Ku përdoren hormonet

    Domatja

    Speci

    Sallata

    Spinaqi

    Trangulli

    Shpendët

    Gjedhët

    Kozma Gjini