Maturantët para 2014-s, 5 ditë kohë për plotësimin e A1Z

493
Sigal

Matura 2014/ Ministria e Arsimit zbardh udhëzimin për plotësimin e Formularit A1Z

Ministria e Arsimit ka zbardhur udhëzimin për plotësimin e Formularit A1Z nga maturantët që e kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014 dhe duan të konkurrojnë për në universitet. Në këtë kategori nuk bëjnë pjesë vetëm kandidatët që nuk kanë aplikuar më herët në provimet e maturës, por edhe ata që kanë marrë pjesë edhe gjatë viteve të mëparshme në garën e pranimeve në universitete, por që nuk janë shpallur fitues, ose nuk kanë fituar degën që preferonin. Ministria e Arsimit sqaron në një udhëzim të veçantë rregullat që duhet të kenë parasysh këta kandidatë gjatë plotësimit të formularit A1Z për ta bërë atë të vlefshëm. Një rregull që duhet të kenë parasysh gjatë plotësimit të formularit on-line maturantët e vjetër, që i janë nënshtruar edhe më parë provimeve të Maturës është ruajtja e kodit personal. “Për aplikantët A1Z, të cilët kanë marrë pjesë në Maturën Shtetërore të viteve 2006-2013 dhe kanë një ose disa ID të maturës, në kutinë ‘ID e vjetër’ e maturës do të shënoni ID e fundit që ka marrë ky nxënës. Ndërsa kandidatët që nuk kanë marrë pjesë ndonjëherë në provimet e maturës kutinë e “ID së vjetër” duhet ta lenë bosh. Maturantët do të kenë pesë ditë kohë në dispozicion për plotësimin e formularit A1Z, që është kushti i domosdoshëm që ata të regjistrohen për të marrë pjesë në garën e pranimeve në universitetet publike të vendit.

  UDHËZUES PËR PLOTËSIMIN E A1Z

 1. Formulari A1Z plotësohet on-line. Procedura e plotësimit do të bëhet sipas një udhëzimi të veçantë.

2. Formulari A1Z plotësohet nga:

a) Maturantët para Maturës Shtetërore 2014;

b) Kandidatët që nuk janë shpallur fitues në asnjë program studimi në maturat e mëparshme;

c) Kandidatët që janë shpallur fitues në një program studimi në maturat e mëparshme, por nuk janë regjistruar ose janë çregjistruar gjatë vitit të parë akademik. Kur studenti vazhdon studimet në vitin e dytë e më tej, për të plotësuar Formularin A1Z duhet të marrë miratim në MAS.

d) Kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe aplikojnë për herë të parë në Maturën Shtetërore, si edhe ato që kanë aplikuar më parë dhe plotësojnë kushtet 2/b dhe 2/c të këtij Udhëzimi.

3. Kandidatët që duan të plotësojnë formularin A1Z duhet të paraqesin te mbikëqyrësi një vërtetim, modeli i të cilit do të dërgohet nga MAS. Vërtetimi, veç gjeneraliteteve, do të ketë këto të dhëna:

a) Provimet e detyruara dhe vlerësimet e shkallëzuara të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga kandidati.

b) Provimet me zgjedhje dhe vlerësimet e shkallëzuara të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga kandidati.

4. Plotësimi i Formularit A1Z fillon në Portalin Qeveritar dhe përfundon në shkollën që cakton DAR/ZA-ja.

5. Procesi i plotësimit të Formularit A1Z ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që do të quhet “mbikëqyrës”.

6. Mbikëqyrësi pajiset me kodin përkatës të hyrjes në sistem. Vetëm pasi mbikëqyrësi fut kodin në sistem, kandidati mund të përfundojë plotësimin e Formularit A1Z.

7. Lista me të dhënat e marra nga plotësimi i formularëve printohet, nënshkruhet nga maturanti dhe mbikëqyrësi dhe vuloset nga drejtori i shkollës, ku plotësohen formularët A1Z. Listat ruhen deri në përfundim të Maturës Shtetërore 2014.

I. Të dhënat personale

Plotësohen nga kandidati

– Tek pika 1, (numri personal i letërnjoftimit ID), kandidati shënon numrin e tij personal që është në dokumentin e identifikimit.

Për të dhënat 2-5, pas plotësimit nga kandidati, sistemi bën verifikimin e tyre dhe nëse ka pasaktësi, nuk lejon të vazhdohet aplikimi.

– Tek pika 6, kandidati shënon në fushat përkatëse, numrin e telefonit dhe adresën e email-it, të cilat duhet të ruhen të pandryshuara deri në fund të Maturës Shtetërore 2014, me qëllim që ai (kandidati) të marrë informacion në faza të ndryshme të procesit. Nëse kandidati nuk ka telefon, ose nuk dëshiron të shënojë numrin e telefonit, atëherë mbikëqyrësi shënon numrin e tij të telefonit.

– Tek pika 7, kandidati zgjedh nga lista Po ose Jo.

II. Të dhëna shkollore

Të dhënat shkollore do të plotësohen në bashkëpunim me mbikëqyrësin e sallës, ku bëhet aplikimi. Për plotësimin e saktë të kërkesave të këtij grupimi, kandidatët dhe mbikëqyrësi duhet të marrin informacion të saktë dhe të plotë për rubrikat përkatëse:

Plotësohen nga kandidati

– Tek pika 8; (emri i qytetit/fshatit), kandidati shënon emrin e qytetit/fshatit ku ndodhet shkolla ku ai ka studiuar.

– Tek pika 9; (emri i shkollës ku ka studiuar), kandidati shënon emrin e shkollës ku ai ka studiuar.

Plotësohen nga mbikëqyrësi

– Tek pika 10, mbikëqyrësi plotëson emrin e DAR/Za-së përkatëse.

– Tek pika 11, (Indeksi i profilit), zgjidhet nga lista numri dyshifror që i përket shkollës ku ka studiuar kandidati, ose ai që përcaktohet nga komisioni i njehsimit të diplomave për shtetasit që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit, sipas listës së miratuar nga MAS.

– Tek pika 12, (emërtimi i profilit) mbikëqyrësi plotëson emrin e profilit/degës.

III. Të dhëna lëndore

Plotësohen nga mbikëqyrësi

Zgjedhja e lëndëve bëhet në përputhje me Udhëzimin nr. 60, datë 26.12.2013, i ndryshuar me Udhëzimin Nr. 3, datë 07.2.2014, “Për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2013”. Të dhënat e mëposhtme, mbikëqyrësi i plotëson në mbështetje të vërtetimit të përmendur në pikën 3 të këtij udhëzimi:

ID e kandidatit: Shënohet ID që kandidati ka marrë në maturat e mëparshme. Nëse nuk ka marrë ID, fusha të mbetet bosh.

Vitit i përfundimit të shkollës së mesme: (zgjidhet nga lista”Viti i përfundimit të shkollës së mesme”).

– Nëse ka marrë dëftesë pjekurie të shënojë Po, nëse nuk ka marrë dëftesë pjekurie të shënojë Jo.

Lëndët e detyruara

Lëndët e detyruara që mbarten:

Lënda D1: Në këtë fushë shfaqet “Letërsi”. Mbikëqyrësi plotëson notën e kësaj lënde, që i njihet apo i është konvertuar nga komisioni përkatës si lëndë D1.

Lënda D2: Në këtë fushë shfaqet “Matematikë”. Mbikëqyrësi plotëson notën e kësaj lënde, që i njihet apo i është konvertuar nga komisioni përkatës si lëndë D2.

Lëndët e detyruara që do zgjidhen:

Nëse kandidati mbart lëndën D1, ai do të japë provim vetëm D2, prandaj zgjidhet “Lënda D2”.

Nëse kandidati mbart lëndën D2, ai do të japë provim vetëm D1, prandaj zgjidhet “Lënda D1”.

Nëse kandidati mbart lëndët D1 dhe D2, nuk do të zgjidhet as “Lënda D1” e as “Lënda D2”.

Lëndët me zgjedhje

– Lëndët me zgjedhje që do të mbarten:

Lënda Z1: Zgjedh nga lista lëndën Z1 që do të mbartë, vitin kur e ka dhënë dhe notën e shkallëzuar të saj.

Lënda Z2: Zgjedh nga lista lëndën Z2 që do të mbartë, vitin kur e ka dhënë dhe notën e shkallëzuar të saj.

Nëse lënda/lëndët e mbartura janë dhënë disa herë provim, do të zgjidhet nota e marrë në vitin e fundit.

Zgjedhja e lëndëve me zgjedhje:

Rastet e mbartjes së lëndëve me zgjedhje para vitit 2014

Mbartja e lëndëve nga maturat 2006-2013:

a) Kandidati që mbart nga maturat e viteve 2006-2013 dy lëndë me zgjedhje, nuk do të japë provim me zgjedhje.

b) Kandidati që mbart nga maturat e viteve 2006-2013 një lëndë me zgjedhje, duhet të zgjedhë për të dhënë provim vetëm një lëndë me zgjedhje, në përputhje me Udhëzimin Nr. 60, datë 26.12.2013.

c) Kandidati që nuk ka mbartur lëndë me zgjedhje nga maturat para vitit 2014, duhet të zgjedhë për të dhënë provim dy lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje. Lëndët e zgjedhura duhet të plotësojnë kushtin, jo më pak se 8 kredite.