Çeku familjar. Strasburgu dënon Italinë: “Keni diskriminuar të huajt”

    470
    Sigal

    ITALI/ Qeveria italiane bën dallime mes italianëve dhe të huajve

     Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut pranon padinë e një imigranti tunizian. “Nuk ekzistonin arsye të vlefshme për të bërë dallim mes italianëve dhe të huajve”

    – Të mos i njohësh të drejtën e një ndihme asistenciale një imigranti vetëm pse ai nuk është italian përbën diskriminim, për rrjedhojë është e paligjshme.

    Kjo është një nga pikat e forta të një sentence të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut  të Strasburgut që më 8 prill, pas 13 vjetëve betejë legale, ka dënuar Italinë t’i paguajë thuajse 20 mijë euro imigrantit nga Tunizia, Bouraoui Dhahbi. Babait të katër fëmijëve, në Itali i ishte mohuar, në të trija shkallët e gjykimit, e drejta e çekut për familjet me shumë bij. Tani duhet t’i paguajnë shumat e prapambetura, bashkë me to edhe interesat e dëmshpërblimin moral.

    Nga shtatori i shkuar imigrantët titullarë të lejes së qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë mund të marrin çekun familjar, por sentenca mund të krijojë një mundësi akoma më të favorshme. “Pohon në mënyrë të qartë që vetëm mungesa e një lejeje qëndrimi BE për qëndruesit afatgjatë nuk është argument i mjaftueshëm për t’i mohuar një punonjësi jokomunitar shërbimet e Ëelfare-it” thonë nga patronati INCA, që bashkë me avokatët e saj ka çuar përpara çështjen gjyqësore në favor të Bouraoui Dhahbi-t.

    “Kombësia e zotit Dhahbi ishte i vetmi kriter i përdorur për ta përjashtuar nga e drejta e çekut”shpjegon Gjykata e Strasburgut në një komunikatë. “Dhe meqë vetëm motive të rënda mund të justifikojnë dallime në trajtim sipas kombësisë, arsyet e buxhetit të pamjaftueshëm të dhëna nga qeveria italiane nuk janë motive të vlefshme për të mos i dhënë çekun zoti Dhahbi”.

    Në sentencë shkruhet që dallimi mes italianëve dhe të huajve në marrjen e shërbimeve asistenciale “është diskriminues nëse nuk bazohet në një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm” dhe që “autoritetet italiane nuk kanë dhënë motive të arsyeshme që mund të justifikonin përjashtimin e të huajve me qëndrim të rregullt në Itali nga përfitimi i disa të drejtave ligjore”. Shqetësimet për ruajtjen e bilancit publik janë të drejta por nuk mjaftojnë për të justifikuar një diskriminim. Për më tepër, duhet konsideruar që “punonjësi tunizian nuk ishte i huaj prej pak kohësh rezident në Itali, apo që kish shkelur ligjin e imigrimit”. As “nuk bënte pjesë në kategorinë e personave që nuk japin ndihmesën e tyre për financimin e shërbimeve publike, për të cilët një shtet mund të ketë arsye të forta t’u ndalojë përfitimin e shërbimeve sociale publike, siç janë programet e sigurisë shoqërore, e shërbimeve publike dhe të kurimit”.

    Këtu bazohet sentenca që dënon Shtetin Italian, që me sjelljen e tij nga Bouraoui Dhahbi-t ka shkelur parimet e Konventës Evropiane të të drejtave njerëzore, siç janë e drejta për një proces gjyqësor të drejtë, ndalimi i diskriminimit dhe respektimi i jetës private dhe familjare.

    Sipas avokatit Vittorio Angiolini, që ka ndjekur çështjen gjyqësore në Strasburg, sentenca “censuron një diskriminim që godet familjen dhe të miturit dhe nuk dëmton vetëm personin që e ka pësuar, por edhe shoqërinë që e praktikon (diskriminimin) apo e toleron, duke u ushqyer kështu me pabarazinë, farën e ndarjes”.

    “Vendimi i Strasburgut pohon qartë parimin e barazisë që institucionet tona vështirë të mos e mbajnë parasysh” nënvizon Claudio Piçinini, koordinator i zyrave të imigracionit të INCA-s. “Përmban në vetvete edhe konsekuencën se në lëndën e imigracionit Shteti italian nuk mund të tregohet shpërfillës ndaj personave të huaj që kërkojnë thjesht më shumë integrim dhe më shumë kohezion shoqëror; që janë edhe parimet themelore të Bashkimit Evropian”.

    EP

    Sqarim: Për problemet e emigracionit gazeta Telegraf do t’ju informojë çdo të hënë dhe të premte. Ditën e hënë do t;ju përgjgijemi pyetjeve të shumta për vizat në Australi. Ju mund të dërgoni pyetjet tuaja në adresën elektronike të gazetës Telegraf dhe në adresën: [email protected]

     

    ITALI/ Social Card për imigrantët. Deri në 30 prill për të kërkuar shumat e prapambetura

     

     Kriteret, formularët dhe udhëzimet për ndihmën ekonomike

    Kushparaqet kërkesë brenda 30 prill për të marrë edhe paratë e muajve të parë të vitit 2014 kur ishte e pamundur paraqitja e kërkesës edhe pse ligji u jepte të drejtën edhe imigrantëve. Kriteret, formularët dhe udhëzimet

    – Edhe imigrantët, komunitarë apo jokomunitarë me lejeqëndrimi BE për qëndruesit afatgjatë mund të kërkojnë kartën e parapaguar (e njohur si ‘Social Card’ apo ‘karta e blerjeve’), kartë e mbushur nga shteti me 80 euro çdo dy muaj që mund të shpenzohen për të blerë ushqime, për të paguar barnat dhe faturat e dritave e të gazit.

    Mund ta kërkojnë të moshuarit mbi 65 vjeç ose fëmijët nën 3 vjeç, e në këtë rast titullar është një nga prindërit, që kanë të ardhura familjare të ulëta. Pikë parësore referimi është treguesi i situatës ekonomike ekuivalente, i njohur si treguesi Isee, që duhet të jetë nën 6.781,76 euro dhe që kushdo mund të llogarisë falas në Qendrat e Asistencës Fiscale (Caf), pranë INPS-it apo në Komunën e rezidencës.

    Nga 1 janari 2014, ligji i fundit i stabilitetit u ka dhënë të drejtën e kësaj karte edhe të huajve me lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë, por deri pak javë më parë, kush paraqitej në zyrat e postave për ta kërkuar kthehej mbrapsht pa mbaruar punë. Vetëm në fillim të prillit, qeveria nxori një dekret zbatues që mundëson më në fund pranimin edhe të kërkesave të imigrantëve.

    Tani imigrantët jo vetëm mund të kërkojnë kartën sociale por u është dhënë mundësia të rikuperojnë edhe paratë e muajve kur për shkaqe që nuk vareshin nga ata nuk paraqisnin dot kërkesën. Dekreti sqaron se kush paraqet kërkesën deri më 30 prill do të ketë të drejtë të marrë edhe shumat e prapambetura, ato të muajve të parë të vitit 2014.

    Nga 1 maji të interesuarit do të kenë të drejtën e shumave vetëm nga çasti i paraqitjes së kërkesës.Kush përmbush kriteret bën mirë të nxitojë.

    EP