Trimëresha e jugut Merushe Nelo, ose ‘Shota e Çamërisë’

580
Sigal

E vetmja femër në çetën e Çamërisë dhe bashkëluftëtare e komandant legjendarit Muharrem Rrushitit

Ecnim drejt fshatit të Çamërisë, Shalsit, duke bartur në shpirt dhimbjen për humbjen e artistit, valltarit që nuk vallëzonte, por fluturonte, mikut tonë Taip Madani, i cili humbi jetën në aksident automobilistik tek ura e Bogazit para dy muajsh. Dhimbjen na i shtonte më shumë mendimi i shoqëruar me heshtje, se tanimë tek porta nuk do na priste miku, Taipi. Kalojmë mbi Bogaz, aty ku vala e lumit është dëshmitare e qindra heroizmave dhe dhimbjeve të kësaj treve krenare e martire të Shqipërisë dhe sepse mendojmë që edhe vdekja e Taipit u hyjnëzua teksa u përzje në valët e Bogazit, aty ku historia flet me gjuhën e sajë të dhimbjes dhe krenarisë së kësaj treve. Gjithë plogështinë na i largon panorama magjepsëse që shfaqet para nesh me gjelbërimin pranveror natyror dhe atë të duarve punëtore të këtyre njerëzve të papërtuar. Vreshta e ullinj, shumëllojshmëri pemësh frutore e perimore. Lagjja e Barçit, krahas ndërtimeve të reja edhe shtëpi të vjetra, disa deri në rrënim. Na fiksohen këto banesa të vjetra si relike heroizmi, qëndrese, kulture  e gjeneze. Midis banesave të vjetra e të reja të kësaj lagjeje, midis ndërtimit dhe rrënimit, dy banesa si kullat binjake qëndrojnë në këmbë duke nxjerrë ende tym nga oxhaku. Arkeologu dhe historiani Halil Shabani, duke parë interesimin tonë, na thotë se këto dy shtëpi –kulla janë njëra e Merushe Nelos dhe tjetra e Taip Madanit. Na shpjegoi se këto kulla, akoma më shumë tani që Taipi u largua nga jeta fizikisht, kanë shumë të përbashkëta. Dihet se Taipi valles çame i dha kartën e identitetit, por Merushe Nelo kush qe?  Që edhe kullat rrinë pranë e pranë? Merushe Nelo, nga ç’ka na tregoi historiani Shabani, mund të quhet me plotë gojën Shota e Çamërisë. Ishte e vetmja femër pjesëmarrëse në çetën e Çamërisë në krijimin e saj me komandant legjendarin Muharrem Rrushitit dhe në tëre Shqipërinë e jugut në fillimet e shekullit të xx, ndërsa Taip Madani bëri emër dhe lavdi në fund të shekullit të xx. Dy kulla që lindën personazhe historike që njëri hapi dhe tjetri mbylli shekullin e xx. Merushja veshi rrobat burrërore me dekorin kombëtar shqiptar dhe doli malit për lirinë e atdheut. Fustanella e kombit të kostumit kombëtar u bë shpat për armiqtë dhe palat e po kësaj fustanelle të kostumit kombëtar çam, i dhanë krahët e shqiponjës Taip Madanit dhe valles çame. Merushja bëri që zëri  luftarak e patriotik i Çamërisë të trondiste themelet e pushtetit të pushtuesit në kryengritjet antiosmane të viteve 1909-1912, ndërsa Tapi bëri të dëgjohej zëri i po kësaj Çamërie pas vitit 1960, kohë kur çamët nuk guxonin të shpreheshin për origjinën e tyre ndikuar edhe nga terrori fizik e psikologjik që u krijua pas goditjes së grupit të Teme Sejkos. Merushja  me shembullin, trimërinë, aftësitë mobilizuese ngriti në këmbë qindra luftëtarë për pavarësinë kombëtare, ndërsa Taipi ngriti në këmbë mijëra spektatorë e korri mijëra duartrokitje si dhe nxori qindra valltarë të valles çame. Duke dëgjuar këto histori dhe ndodhi, fakte dhe realitete, themi se pse historia dhe historianët e kanë harruar?!A nuk është një shotë e Jugut shqiptar dhe e Çamërisë? Shikojmë kullat pranë e pranë, histori në dy kohë dhe bëhemi pak supersticiozë, teksa na shkon mendimi se mos një forcë e mbinatyrshme mëkoi lavdinë e këtyre kullave në fillim dhe mbarim të shekullit XX. Dy kullat rrinë pranë e pranë dhe nga oxhaku nxjerrin tym të kaltër që shpërndahet në kaltërsinë qiellore si për të takuar shpirtrat e tyre e t’i çojnë të falat tona.