Beteja e Tendës së Qypit, nga më të lavdishmet e LANÇ

144
Sigal

78- vjetori i betejës historike nga më të mëdhatë dhe më të lavdishmet e luftës partizane

Në këto luftime për kapjen dhe mbajtjen e Tendës së Qypit, ranë trimërisht 17 dëshmorë 19-24 janar

Luftimet frontale

Beteja e Tendës së Qypit është një nga betejat më të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që u zhvillua gjatë operacionit të dimrit të ushtrisë gjermane të vitit 1944, kundër forcave partizane shqiptare. Me këtë operacion nazistët gjermanë synonin asgjësimin e forcave partizane, që kishin marrë zhvillim të vrullshëm në të gjithë vendin. Për shkatërrimin e bazave partizane gjermanët shfrytëzuan dhe konditat e malit me shumë dëborë e shumë të ftohtë të dimrit 1944. Qëllimi i komandës gjermane ishte të merreshin krahët e forcave partizane që gjendeshin në zonën Skrapar-Berat-Korçë, duke mbyllur shtigjet malore në kushtet e atij dimri të egër. Më 19 janar 1944 u formua me shpejtësi grupi i 3-të i Skraparit në fshatin Slatinjë, në vendin e quajtur Qafa e Liqenit. Komandant i grupit u caktua Zylyftar Veleshnja dhe komisar Iljaz Sevrani. Ideja e komandës së grupit të 3-të ishte që me forcat partizane të ndalonte depërtimin e trupave armike në drejtimin Berat-Skrapar dhe Korçë-Skrapar-Këlcyrë, me qëllim që t’u jepej mundësia forcave partizane të manovronin lirisht, për t’ju shmangur asgjësimit të tyre. Po ashtu ndihmohej formimi i Brigadës së 6-të në Përmet, si dhe tërheqja e të plagosurve nga spitalet dhe evakuimi i depove në Zagori e gjetkë. Për këto arësye, komanda që ditën që u formua grupi, studioi situatën e krijuar dhe parashikoj që luftimet për ndalimin e mësymjes së armikut t’i zhvillonte në drejtim të Tendës së Qypit, si vend zotërues në atë rajon, i favorshëm për mbrojtje dhe prej nga ku forcat partizane mund të jepnin kundërsulme nga lart poshtë. Më konkretisht vendosi që batalioni i dytë të mbrohej në rajonin Kodrat e Slatinjës-Veleshnjë-Kala, për të ndaluar mësymjen e armikut në drejtimin Sharovë-Tenda e Qypit. Ndërsa batalioni i parë të mbrohej në rajonin Munushtar-Therepel-Spatharë, për të ndaluar mësymjen e armikut në drejtim të Malit të Spatharës-Qafa e Murrizit.

Ilir Metaa, Presidenti Meta, në tendën e Qypit, nderon 17 heronjt

Kollona gjermane

Më 19 janar 1944, rreth orës 15.00, kollona gjermane e përbërë nga batalioni i parë i regjimentit 54, kompania e tetë e regjimentit 227 dhe bateria e tetë e regjimentit të artilerisë të divizionit 100-të, mbasi përshkuan Oparin dhe Tomorricën dhe pushkatuan në fshatrat e Skraparit 114 njerëz si në Velushë, Turbehovë, Kapinovë, Krushovë e gjetkë, mbërritën në Çorovodë. Rreth orës 16.00 të 19 janarit, mbasi vendosën një bateri artilerie në pozicion zjarri në sheshin e Çorovodës, hapën zjarr kundër kompanisë së parë të batalionit të dytë të grupit të tretë që ishte vendosur në Kala. Nga zjarri i artilerisë nuk pati të dëmtuar dhe partizanët qëndruan të patrembur dhe të patundur në pozicionet e tyre. Të nesërmen në mëngjez, 20 janar 1944, morën urdhër nga komanda e grupit të tretë që batalioni –I- të tërhiqet nga ato pozicione dhe të vendoset në mbrojtje në rajonin e kodrave Veleshnjë-Nishicë, në gatishmëri për të ndaluar lëvizjen e kollonës gjermane në drejtim të Tendës së Qypit. Kollona e trupave gjermane, në mëngjezin e datës 20 janar u nis nga Çorovoda në drejtim të Tendës së Qypit, kaloi Sharovën, u ngjit përpjetë dhe hyri në Veleshnjë dhe rreth orës 12.00 sulmoi pozicionet partizane të batalionit të dytë. Lufta u zhvillua e rreptë dhe me volum të madh zjarri nga të dyja anët. Trupat gjermane me sulmin e parë nuk mundën të shpartallojnë mbrojtjen e partizanëve, prandaj u detyruan të hapin gjithë forcat e tyre në formacion luftimi, të vendosin në pozicione zjarri artilerinë dhe mortajat dhe të hapin zjarr kundër forcave partizane, pastaj kaluan përsëri në sulm. Në kurrizin e kodrave të Veleshnjës dhe të Kodrës së Karakollit e deri në afërsi të Tendës së Qypit, u zhvilluan luftime shumë të ashpra. Gjermanët, megjithëse përsëritën disa herë sulmet e tyre të fuqishme, nuk mundën të përparojnë me lehtësi përpara. Ata shpesh herë u detyruan të ndalojnë sulmin, të riorganizohen, të bëjnë zjarr me artileri dhe mortaja kundër nesh, dhe pastaj të përsëritin sulmin e tyre. Vetëm pas tre orë luftimesh të ashpra, trupat gjermane mundën të përparojnë në drejtim të Tendës së Qypit dhe të rrezikojnë pushtimin e saj, mbasi në këtë drejtim luftonin vetëm forcat e batalionit të dytë, kurse forcat e batalionit të parë nuk ishin angazhuar në luftë në drejtim të Vendreshës e Spatharës. Kështu që gjithë barra e luftimeve kundra gjermanëve binte vetëm mbi batalionin e dytë, i cili mbrojti pozicionet e tij me guxim e patriotizëm dhe me këmbëngulje të fuqishme. Në këtë kohë, nga fshatrat e krahinës së Dëshnicës, po marshonin në drejtim të Tendës së Qypit, batalioni i tretë, batalioni i parë dhe një kompani e batalionit “Antonio Gramshi”, së bashku me komandantin e Brigadës së parë, Mehmet Shehu, i cili sa dëgjoi krismat e armëve, matanë Tendës së Qypit, erdhi me shpejtësi, përpara se të vinin batalionet e tij. Mehmeti u takua me komandën e grupit të tretë dhe pasi u njoh me situatën vendosën të krijojnë një shtab operativ të përbashkët për drejtimin e gjithë forcave partizane. Komandant u caktua Mehmet Shehu.
Ai përpiloi shpejt e shpejt planin e kundërsulmit dhe lajmëroi batalionet e tij të afrohen sa më parë në majën e Tendës së Qypit. Batalioni i tretë i Brigadës së parë, sapo mbërriti mori urdhër për kundërsulm dhe u hap menjëherë në pozicion luftimi. Së bashku me forcat e këtij batalioni do vepronin dhe partizanët e batalionit të dytë të Grupit të Tretë. U dha urdhëri që para se të hidheshin në kundërsulm, partizanët të hidhnin dy granatat e dorës, një nga një me komandën “granat hedh”, sepse në këtë mënyrë bënin më shumë efekt dhe zëvendësonin si të thuash një farë përgatitje artilerie përpara sulmit. Mbasi u hodhën granatat, gjithë partizanët u ngritën për kundrasulm nga lart-poshtë gjatë kurrizit të kodrave nga Nishica në Veleshnjë, nën tingujt e borijes së Haki Kapajt nga Gjerbesi i Mallakastrës.
Duke vazhduar sulmin përpara borija nuk po binte më vazhdimisht si më parë, sepse borizan Hakiu ishte goditur nga një plumb në fyt. Komandanti i batalionit, duke mos dëgjuar tingujt e bories, sepse nuk e dinte që borizani ishte plagosur dhe gjaku nuk e lejonte t’i binte bories, i dha urdhër atij të vazhdonte t’i binte borisë për të entuziazmuar partizanët në sulm. Haki Kapaj, për të zbatuar urdhërin e komandantit, me një gisht zuri plagën në fyt që të mos i rridhte gjaku dhe filloi t’i binte prapë bories, por kjo nuk vazhdoi shumë, sepse borija iu mbush me gjak përsëri dhe nuk jepte më tinguj.

Gjermanët organizuan zjarr të dendur

Gjermanët që organizuan zjarr të dendur kundër partizanëve me gjithë llojet e armëve; mitralozat “Sharrëz”, me zjarrin e tyre të dendur prisnin gjithë degët e drurëve si kosa që pret barin, bënë që sulmi i vrullshëm i partizanëve të ngadalësohej. Komandanti i kompanisë të batalionit të tretë Mefail Rizani nga Podgorica e Korçës, u ndesh ball për ballë e trup më trup me nazistët dhe duke luftuar me bajoneta vranë njëri-tjetrin. Në këtë kohë, një togë gjermane, pa u diktuar nga ana jonë, lëvizi gjatë përroit të Veleshnjës, me qëllim që të zinte Qafën e Murrizit në krahun verior të Tendës së Qypit, për të dalë në shpinë të forcave partizane që kundërsulmonin. Toga nuk mundi të dalë në Qafë, sepse parashikohej se mund të asgjësohej, prandaj dërgoi një grup të vogël zbuluesish, të cilët me fshehtësinë më të madhe dhe të maskuar shumë mirë, ju afruan Tendës së Qypit nga ana e Qafës së Murrizit, ku ndodhej vendvrojtimi i komandës së grupit. Zylyftar Veleshnja, duke vrojtuar luftimet që zhvilloheshin te Kodra e Karadakut u godit papritur dhe në befasi nga një zbulues gjerman në këmbën e djathtë dhe u rrëzua menjëherë për tokë. Ilijaz Sevrani, duke parë Zylyftarin të shtrirë, u ngrit në këmbë të shihte çfarë ka ndodhur, se nuk mendonte që gjermanët të jenë kaq afër kurse lufta bëhej larg përpara, por edhe ky u godit në nofull nga zbuluesi gjerman. Partizani Ali Zaimi nga Dobrusha, korier i komandës së grupit, shkoi të ndihmonte të plagosurit, por dhe ky u godit për vdekje nga zbuluesit gjermanë, të cilët mbasi kryen aksionin u larguan me fshehtësi pa u dëmtuar nga neve. Mitralozët “sharrëz” të gjermanëve, të vendosur në llogoret e luftës italo-greke në Kodrat e Karakollit, bënin zjarr të pandërprerë dhe shumë preçiz kundër partizanëve, të cilët u gozhduan në vend dhe nuk mund të lëviznin përpara nga ky zjarr i tmerrshëm. Partizani Abaz Rogu, i cili duke dashur të ndërrojë pozicion u godit nga një breshëri plumbash mitralozi në të dyja kofshët, u rrëzua për tokë dhe zuri të thërrasë: “o Skënder Malindi, hajde më merr se dhe unë për Shqipërinë u plagosa”. Në kodrën kryesore vjen Mehmet Shehu dhe si dëgjon thirrjet e Abazit, pyet çfarë ka ndodhur.

Ky zjarr i furishëm gjerman e uli pak tempin e sulmit partizan, por nuk e ndaloi dot atë. Komandanti i kompanisë Mefail Rozani nga Podgoria e Korçës, u ndesh trup me trup me gjermanët duke luftuar me bajonetë deri në vrasje të njëri-tjetrit. Në këtë kohë një togë ushtarësh gjermanë pa u diktuar lëvizi gjatë Përroit të Veleshnjës me qëllim që të kapte Qafën e Murrizit në anën veriore të Tendës së Qypit dhe për t’u dalë në shpinë forcave partizane shqiptare, që po kundërsulmonin. Gjermanët dërguan më parë drejt Qafës një grup të vogël zbuluesish, të cilët me fshehtësi të madhe dhe me maskim të përkryer mundën t’i afroheshin Tendës duke manovruar nga krahu i Qafës së Murizit.


Arritja e fitores

Situata e luftimeve sa vinte e po vështirësohej për forcat partizane. Edhe forcat e batalionit të tretë të Br. I-S. dhe ato të batalionit të dytë të Gr. 3. P. të Skraparit, me gjithë sulmet e tyre nuk kishin munduar që të shkulnin nga pozicionet e zëna trupat gjermane. Në këtë gjendje vetëm futja në luftim i forcave të reja mund të sillte ndryshime. Prandaj Mehmet Shehu vendosi që batalioni i parë i Brigadës- I- komanduar nga Xheladin Beqiri (Karadaku) të hidhej me shpejtësi në kundërsulm, së bashku edhe me forcat e tjera ekzistuese të batalioneve të dytë e të tretë të Grupit. Kodrat në drejtim të Karakollit u ndezën flakë e zjarr. Jo vetëm plumba e granata dore, por edhe predha e bomba të armëve të lehta të artilerisë u përdorën nga të dy palët. Ashpërsia e luftimeve arriti kulmin në përleshjet trup me trup dhe përgjakjet e forcave ndërluftuese nxisnin edhe më tepër egërsinë. S’kaluan shumë orë dhe situata po ndryshonte në favor të forcave partizane. Gjermanët filluan tërheqjen në drejtim të Çorovodës, duke lënë një sasi materialesh, armatimesh dhe nga ato të shërbimit të prapavijës. Partizanët kapën një top, një mortajë, pesë mitraloza të rëndë, disa mitraloza të lehtë, pushkë automatike dhe rreth pesëdhjetë kafshë me ngarkesa të ndryshme luftë e jetese. Kishin mbetur rreth 100 trupa gjermanë të vrarë. Pati edhe mjaft të tjerë të plagosur. Aty derdhën gjakun e 17 dëshmorë: Mefail Rozani, Sotir Beçka (Bulgareci), Sulo Buxheli, Ago Topulli, Sabri Caka, Leke (Aleks) Babaliu, Piro Gazepi, Fiqret Struga, Mario Kronika, Maksut Hyseni (Dobrenja), Gani Agolli, Xhuzepe Riki, një partizan me emrin Franko (italian) etj, si edhe me gjakun e 12 shokëve të plagosur.. Midis këtyre nga radhët partizane ishin edhe Zylyftar Veleshja, Iljaz Sevrani, Naim Therepeli, Abaz Rogu, Meçan Musai e Tahir Murrizi nga Vendresha e tretë, dhe disa nga partizanët e Brigadës I-S.  Në 78- vjetorin e kësaj beteje kujtojmë me respekt të madh dëshmorët që ranë duke luftuar heroikisht në fushën e nderit. Gjithashtu kemi respekt dhe për të gjithë ata që luftuan trimërisht në këtë betejë nga më të mëdhatë dhe më të lavdishmet e luftës partizane.

Fatmir Haxhiu autor i pikturës Tenda e Qypit

Jam frymëzuar nga lufta heroike e partizanëve të Brig.Parë Sulmuese, të cilët me trimëri në Tendën e Qypit, u përleshën fyt më fyt me Gjermanët. Për studimin e materiale plotësuese i jam referuar figurave konkrete që akoma jetonin si dhe shkova direkt në vëndin e ngjarjes. Vepra duke qënë e dimensionit të madh dhe me shumë figura në lëvizje, paraqiti vështirësi tekniko-profesionale, deri atëherë të panjohura për mua. Në konkursin kombëtar komisioni e vlerësoi me çmimin e tretë kombëtar. Edhe kjo vepër pati jehonë. Ajo u ekspozua për shumë vite në Pallatin e Pritjes në qytetin e Durrësit. Kjo është një tabllo me dimensione të mëdha (300×500) Figurat janë pothuaj mbinatyrale e jo natyrale, ku jo vetëm lëvizja e figurave, por edhe vetë tipat e karakteret kanë kërkuar mjaft punë e mund për të shprehur psikologjinë dhe botën e tyre të mbrendëshme. Tablloja për mendimin tim ka dinamizëm, është e vërtetë dhe bindëse, sepse kjo përleshje lidhet edhe me disa figura partizane të cilët dhanë jetën duke luftuar trup me trup pikërisht në majën e Tendës së Qypit, e cila ndodhet mbi zonën e Skraparit. Tablloja ka edhe një karakter egzotik, sepse në histori flitet për rastin e partizanit burizan, i cili edhe pse i plagosur me një plumb në fyt, mbylli plagën me gishtin e njërës dorë, që të mos i rridhte gjaku dhe me tjetrën vazhdonte t’i binte burisë që partizanët të hidheshin në sulm kundër gjermanëve. Në këtë tabllo kam hasur disa herë vështirësi për të dhënë jo vetëm vërtetësinë historike të ngjarjes por desha edhe që të përgjithësoj betejat trup me trup.