Bedri Alimehmeti/ Vitet ‘60- të ai që nuk i mban mend nuk duhet t’i ketë jetuar

    598
    Sigal

    Marrë nga libri në dorëshkrim “Broduej i Tiranës” . Përsiatje për një kohë që nuk kthehet kurrë më

    Kush e thirri i pari me këtë emër? Askush nuk e di. Ndoshta ishit ju që e bëtë i pari këtë, ndoshta ti, ndoshta unë, ndoshta një tjetër, apo dikush që nuk e njohim as unë e as ti. Kjo pak rëndësi ka. I rëndësishëm është fakti që dikush nga ne e bëri i pari këtë  dhe kjo është kryesorja.

         Ajo ishte një rrugë disi e ngushtë, e shkurtër madje jo më e gjatë se 100 metra, mu në qendër të Tiranës, që përballonte gjatë gjithë ditës një fluks të dendur kalimtarësh. U shpreha në kohën e shkuar vetëm sepse ndërtesat e njërit krah të saj nuk ekzistojnë më (me përjashtim të ish- hotel “Vjosës” sot hotel “Miniri”), dhe përderisa kemi të bëjmë me një krijesë, në fund të fundit edhe ajo rrugë është krijim i mendjes dhe i duarve të njeriut, që tashmë prej kohësh gjendet e gjymtuar, me një varr gjigand të hapur ndanë saj (gropa e Sheratonit të Hajdin Sejdisë), mua nuk më pëlqen të them është, përderisa ajo nuk është më ashtu siç qe.

         Dhe tek e përfytyroj siç ka qenë, ndiej diçka të më thyhet në thellësi të zemrës dhe vetvetiu më lind pyetja tronditëse; mos vallë edhe rrugën tonë të dashur regjimi diktatorial e kishte dënuar me vdekje? E pse jo, në atë natë të gjatë të territ komunist enverian një gjë e tillë ishte mëse normale, përderisa jetët e njerëzve nëpër burgje e kampe internimesh nuk llogariteshin fare.

         E si të mos e dënonte me vdekje këtë rrugë, të cilën disa “çunakë” kishin guxuar ta pagëzonin me emrin “Broduej” (Broadway). Emri i njërës prej rrugëve më të famshme e më të dëgjuara të Nju Jorkut. Po cilët ishin këta çunakë dhe nga e kishin dëgjuar këtë emër, përkimin e të cilit ata e kishin gjetur aq të përshtatshëm për rrugën e tyre?

         Ne ishim që të gjithë bij e bija familjesh të thjeshta e të nderuara qytetare tiranase, të nëpërkëmbura e të persekutuara nga regjimi komunist, të etur shumë për kulturë e dije, nxënës të gjimnazit “10 korriku”, që e përfunduam maturën në gjimnazin “Sami Frashëri”. Në pushimet midis orëve apo kur mungonte ndonjë mësues, shëtisnim zakonisht në këtë rrugë, e nëse do të na ndodhej ndonjë lek do të qerasnim njëri tjetrin. Edhe mbasditeve po aty na binte të kalonim kur shkonim tek shoku -shoku, apo në shkollë për konsultime. Ajo rrugë qe bërë vërtet pjesë e pandarë e jetës sonë. Atë pak kohë të lirë që na mbetej në mbrëmje, aty na pëlqente ta kalonim. Mbështetur në parvazet e mermerta të Farmacisë Nr.3 (sot hotel “Miniri”), ose tek dyqani i luleve (sot lulishtja para hotel “Tirana Internacional”), ose tek rrugica pranë karriges së Pac Llustrxhiut, ku mblidheshin futbollistët e Tironës, tek bomboneria “Odeon” (përballë nënkatëshit, ku gjendet dyqani “Contoir de Paris”). Në periudhën e dimrit rrinim brenda në MAPO (nga e cila tani ka mbetur vetëm bodrumi ku gjendet disko “Albania”), aty pranë ariut polar prej alabastre gjithnjë stoik mbi banakun e repartit të bizhuterive. Kur gjendeshim me lekë shkonim e pinim nga një krikëll birrë tek “Tymi” i xha Andonit dhe perifrazonim Majakovskin me vargjet e tij: “Ju shkoni ku të doni, unë do të shkoj në arkën e kursimit”, kurse ne thonim: “Ju shkoni ku të doni, ne do të shkojmë tek xha Andoni”. Na pëlqente të hanim ndonjë zupë, pastë apo shampite në pastiçerinë e vogël të Ismet Fetishit te lustraxhinjtë afër MAPO-s. Kështu kalonin ato mbrëmje të paharruara, në atë këmbim të dhjetëvjeçarëve ’50 -’60 të, në biseda për muzikën, sportin, shkencën, letërsinë, këngëtarët e artistët. Dhe pikërisht në atë kohë nëpër libraritë e Tiranës, u pa kopertina tërheqëse punuar bukur me ngjyra ku mbizotëronte e verdha me kafen, e një libri me titull “Një natë në Broduej” (tregime amerikane).

         Për ne dalja e këtij libri, qe vërtet një eveniment ose më saktë në atë kohë do të thonim qe një meteor, që na ndriçoi sado pak imazhin e asaj bote të magjishme të përtej oqeanit, e botës së lirë, që diktatura përpiqej të na e përçudnonte e sfumonte nëpërmjet një propagande të shfrenuar.

          Suksesin e atij libri e tregon fakti i shitjes së tij në kohë rekord. Çka flet për etjen e madhe që kishim ne të rinjtë e asaj kohe, për të mësuar diçka më shumë për atdheun e Elvis Preslit, Frenk Sinatrës, Merilin Monros, Marlon Brandos, Bill Halejt, Odis Redit, Çobi Çikerit etj., për të cilët ne arrinim t’i mësonim paksa vetëm nëpërmjet radios. Në bisedat tona ky libër qe i pranishëm çdo natë, derisa një mbrëmje tek po shëtisnim nëpër trotuaret e rrugës tonë të dashur, dikush nga ne tha: “Na mbytën këto emrat rusë, ngado që të ecësh, e ngado që të kthesh kokën vetëm ato ndesh; pastiçeri “Moska”, bar “Krimea”, hotel restorant  “Odesa”, pastiçeri “Vollga Don”, hotel restorant “Vollga” etj.. Do të ishte vërtet bukur sikur rruga jonë, që vërtet nuk është rrugë teatrosh, por ama me këtë ngushtësinë e saj karakteristike, dendurinë e dyqaneve, me kalimtarët e shumtë, me pijetoret aq tërheqëse, ta kishte emrin “Broduej”.

         Kaq,- tha ai- dhe më vonë pasi dëgjuam Çobi Çikerin te LLAKSI (siç i thonim ne stacionit radiofonik Radio Luxembourg, London W1) me një radio-dore aty tek kioska e gazetave ngjitur me dyqanin e mishit të Lik Demnerit, kur u ndamë se kush tha: “Nesër po prapë këtu te Broduej”.

         Dhe sot e kësaj dite askush nuk e mban mend se cili qe ai, por kjo pak rëndësi ka. I rëndësishëm qe fakti, që kjo ishte një lloj sfide, që i bënim diktaturës komuniste, në kushtet e një terrori të egër. Ndaj edhe kënaqësia jonë qe e tejskajshme. Dhe këtë e bënim ne këtu e mbi katër dekada më parë. Ne brezi i viteve gjashtëdhjetë, i dhjetëvjeçarit më të bukur të shekullit të kaluar, që ka mbetur i paharruar dhe nostalgjik në kujtesën e të gjithë atyre që e përjetuan.

         Qe një fat i madh për ne vërtet, që qemë bashkëmoshatarë të asaj periudhe, kur njerëzimi pushtoi hapësirat kozmike, ku shkenca dhe teknika pati zhvillime gjigande, ku muzika ngjiti në piedestal Bitëllsat e magjishëm, ku kinemaja, teatri, televizioni arritën nivele kulmore dhe mbarë njerëzimi u vu në rrugën e një zhvillimi e përparimi, që shumë shpejt do ia ndryshonte imazhin gjithë botës.

    Pak histori

                         Emërtimi i një rruge

           Sheshi “Skënderbej” ishte piketa e parë, nga ku niste përzgjatimin e saj drejt malit të Dajtit, Rruga e Dibrës dhe pikërisht tek kjo piketë niste edhe emërtimi i ri “Broduej”, që i kishim dhënë ne, fillesës së saj, teksa emërtimi “Rruga e Dibrës” sigurisht vinte që nga thellësitë e shekujve, në kohën e udhëtimeve me karvane. Madje, nga ky shesh-piketë nisnin edhe përzgjatimet e rrugëve të “Durrësit”, “Kavajës”, “Elbasanit”, “Shkodrës”, “Shëngjergjit” etj., të cilave menjëherë pas vitit 1944 komunistët e ardhur në pushtet shpejtuan t’u jepnin emërtime të reja. Rruga e Durrësit u quajt “Kongresi i Përmetit” (seç lidhje kishte ajo rrugë me atë kongres një Zot e di, aq më tepër që ajo nuk të çonte drejt Përmetit!), rruga e “Kavajës” mori emrin “Konferenca e Pezës”, e “Elbasanit” u pagëzua “Labinoti”, e “Shkodrës” u emërtua “Mine Peza” dhe e “Shëngjergjit” mori emrin e Heroit të Popullit, Ali Demi. Por edhe në kohën e mbretërimit të Zogut rrugët e Tiranës kishin pësuar po këtë fat me emërtimet e tyre. Kështu rruga e “Kavajës” mbante në atë kohë emrin “Bulevardi Benitto Musolini”. Rrugës së “Durrësit”, mbreti i pati dhënë emrin “Nana Mbretneshë” në kujtim të së ëmës, Sadijes, dalë nga dera e Toptanasve. Rruga e “Barrikadave” ndërtuar nga vetë ai u quajt “Rruga mbretnore”, rruga “Qemal Stafa” kishte emrin e Kryeministrit të atëhershëm “Koço Kotta” etj.. Ndërkohë e vetmja rrugë që nuk ka pësuar tjetërsime në emërtimin e saj që nga dita e përurimit e deri më sot është rruga “28 Nandori”, e cila nis nga kulla e sahatit e deri tek varri i Kapllan Pashës. Pas vitit 1944 edhe rruga e “Dibrës” mori emërtim të ri, madje pati fatin të mbante emrin e një atdhetari të nderuar si Bajram Curri. Po gjatë periudhës së mbretit Zog, ç’emërtim kishte pasur ajo?

           Nëpërmjet monografisë së orientalistit të shquar profesor Osman Myderrizit titulluar “Tirana 1604 1937” botuar prej bashkisë me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë (që na ra në dorë pasi e kishim emërtuar rrugën tonë), mësojmë që fill pas zgjerimit, asfaltimit dhe rregullimit të trotuarit në një gjatësi 2200 m dhe gjerësi 15 m, nga viti 1925 deri më 1934, mbreti Zog e kishte pas emërtuar me emrin e të atit Xhemal Pashë Zogollit.

           Vërtet përkimi kishte qëlluar i rastësishëm, po ndërkohë ai ishte edhe tejet domethënës, nuk kishte gjë më të bukur, teksa emri  “Broduej” i rrugës tonë të dashur tashmë përpos pështjellës së misterit njujorkez do të kishte edhe diçka mbretërore. E madje, sepse qe i tillë, nëpër trotuaret e kësaj rruge lëvizën heronjtë e romaneve të Kadaresë, Dritëroi i thuri vargje nëpër poezitë e tij (të mos harrojmë që të dy këta korifej të letrave shqipe preferuan të banojnë pikërisht në të vetmen godinë të ngritur në të për banim). Në festivalin XI të këngës Sherif Merdani, me muzikën e Alfons Balliçit, (kitarist i famshëm e virtuoz, që luante në orkestrën e “Vollgës”, të cilin enkas për ta dëgjuar ne braktisnim “Broduejn” shpesh herë), këndoi këngën “Rruga e Dibrës” (nuk guxonte kush në atë kohë ta quante “Broduej i Tiranës”), ndërkohë unë prej vitesh kisha thurur këto vargje për të:

          Dritë pamë ne në sytë e shoku shokut

         Broduej, ky emër që nuk do vdesë kurrë.

         Atë natë e famshmja rrugë e Nju Jorkut,

         Midis Tiranës sfidoi terrin diktaturë.

         Te dyqani luleve takoheshim çdo mbrëmje,

         Mburrnim Tironën, skuadrën tonë të fortë.

         Diskutonim filmat dhe letërsinë me ëndje

         Kadare, Remark, “Bibla” jonë “Tre shokë”.

         Më tej biseda ndizej për artistët,

         Njerëzit lumë gjallonin nëpër “Broduej”.

         Vajzat qeshnin,ne këndonim Bitëllsat;

         “O girl”,”Let it be” o “Yesterday”.