Analisti amerikan, David Philips/ Njoftimi i MEPJ për largimin e Yuri Kim minon raportet me SHBA. I takon DASH të informojë, jo qeverisë shqiptare

238
Sigal

Drejtori i Institutit për paqen në Universitetin Columbia, David Philips, tha se Ministria e Jashtme me njoftimin që bëri për fillimin e procedurave për zëvendësimin e ambasadores së SHBA-së në Tiranë Yuri Kim, tregoi papjekuri. Në një intervistë në Euroneës Albania, se marrëdhëniet Shqipëri-SHBA janë të rëndësishme, duke shtuar se ky proces në këtë rast është minuar. “Është roli i zëdhënësit të DASH. Është jo e zakonshme që të bëhet një lajmërim i tillë për largimin e ambasadores. Ky është një shembull i papjekurisë së Shqipërisë. Marrëdhëniet me SHBA-në janë shumë të rëndësishme dhe nuk duhet të minohet ky process, që duket se ka ndodhur në këtë rast”,– tha ai. Philips shtoi se qeveria shqiptare nuk i ndjek rregullat e DASH dhe nuk i zbaton ato dhe sipas tij kjo është mungesë respekti. “Qeveria shqiptare nuk i ndjek rregullat dhe nuk i zbaton ato. Kjo tregon mungesë respekti për partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht për SHBA, që është kritike për Shqipërinë. Zyrtarët shqiptarë kanë pasur informacione përsa i përket dhënies së këtij njoftimi. Zyrtarët shqiptarë mund të kenë informacione më pare, por kjo nuk do të thotë, që duhet ta njoftojnë para DASH. Kjo tregon papjekuri nga ana e tyre”,-përfundoi ai. Drejtori i Institutit për paqen në Universitetin Columbia, David Philips tha se ajo që kemi parë në Shqipëri gjatë rrugëtimit të ambasadores amerikane Yuri Kim, është shpallja ‘non grata’ e kreut të PD-së Sali Berisha. I ftuar në emisionin “Review” në Euronews Albania, ai tha se çdo individ ka të drejtë të njihet me dosjen e tij dhe të drejtën për të apeluar. Ai shtoi se në rastin e Berishës nuk u zbatua ligji që ai të përballet me akuzuesit e tyre. “Çfarë kemi parë gjatë rrugëtimit të Kim është vendimi për Sali Berishën. Nëse një individ, qoftë Berisha apo dikush tjetër, ata duhet të kenë akses në dosjen e tyre. Të kenë të drejtën për të apeluar, të përballen me akuzuesit e tyre dhe ky është një parim themelor përsa i përket zbatimit të ligjit, por këto parime nuk u zbatuan. Fakti që SHBA po lufton kundër korrupsionit, kjo duhet bërë në bashkëpunim me të gjitha qeveritë dhe duhet të jetë proces transparent bashkëpunues dhe pa surpriza. Luftimi i korrupsionit duhet të vazhdojë fort dhe kushdo të jetë në krye duhet të vazhdojë procesin që ai të jetë transparent dhe t’i lejojë të gjithëve aksesin në dosjen e tyre dhe t’i lejojë të gjithëve të drejtën për apelim”,– tha ai.