Rraqe të kohës së “Babaqemos” për të marrë tapinë e shtëpisë

1069
Sigal

Për të marrë tapinë sa më shpejt, qytetarët i çojnë Artan Lames legenë, tepsi, helmeta, lugë, brekushe, opinga dhe dybekë të vjetër

 Një javë më parë, në stacionin e autobusëve të jugut në Tiranë, takova një të njohurin tim, i cili jeton prej shumë vitesh në Kodër-Kamzë, ku ka ndërtuar edhe një shtëpi. Po nxirrte 3 thasë nga bagazhet e autobusit, të cilët kur po i tërhiqte zvarrë, bënin “trak-truk”, sikur kishte mbledhur kanoçe.

– Ç’i ke këto thasë o Bajram, me çfarë i ke mbushur?, – e pyeta.

– Janë ca rraqe të vjetra të kohës së “Babaqemos”, nja 2 legenë, 1 tepsi bakri, 5 sahanë alumini, 1 helmetë ushtari italian e Luftës së Parë Botërorë, 1 palë spaleta gjermane, ca brava e mentesha hauri, një palë çizme ushtarake greke të 1914-ës, 1 gjysmë uji, 10 lugë druri e bakri, 3 garuzhde turke, ca defterë tregtie të kohës së Ismail Qemalit, 1 ibrik, 1 palë opinga lopçari e ca poture shajaku të stërgjyshit tim, rahmet pastë. I kam patur në shtëpi në fshat, por më zuri halli e i solla këtu.

– Po ç’hall të zuri që i solle këtu, apo do hapësh ndonjë muze?, – e pyeta përsëri si me shaka.

– Lëre mos më pyet, po me ndihmo deri tek kafja, e atje ta tregoj unë pse më duhen, se është mesele e gjatë, – m’u përgjigj Bajrami, duke tërhequr thasët zvarrë.

Kur u ulëm në kafe, ai më tregoi, se përse i kishte sjellë “rraqet”, siç i quajnë në zonat e jugut orenditë dhe sendet e vjetruara.

Bajrami më tregoi një gjë tepër interesante, që më tepër krijonte humor, se sa çudi. Ndërsa pinim kafen, më tregoi se me këto rraqe, ai do të zgjidhte hallin e legalizimit të shtëpisë. Rraqet e vjetra që i mbante “kot” në haurin e lopës, do t’ia çonte si “dhuratë” Artan Lames, drejtorit të ALUIZNI-it, që t’i shpejtonte letrat e legalizimit. Sipas rrëfimit të Bajramit, kështu kishin bërë shumë hallexhinj të tjerë. I kishin çuar rraqe të vjetra drejtor Artanit dhe kishin marrë tapitë brenda 1 jave. Pesë persona ishin nga zona e Bajramit. Sipas Bajramit, këtë “lojë” e kishte hapur vetë Artan Lame, i cili kur i shkonin në zyrë hallexhinj për legalizimet, i pyeste nëse kishin orendi e sende të vjetra. Kush thoshte “kam”, Artani i lutej t’ia sillte, se duheshin “për studime e ekspozita”. Ata që sillnin, u jepej tapia brenda javës, nga dita e dorëzimit të rraqeve në një magazinë, tek rruga e “Elbasanit”. Filluan, të sillnin rraqe të vjetra e të merrnin tapitë. Kështu bëra edhe unë. I shkova në zyrë Artanit e i thashë, se kisha ca raqe të kohës së “Babaqemos”.

Ai, më tha: – Çfarë sende e orendi të vjetra afro 100- vjeçare te kesh, bjeri tek unë.

– Po unë, kam hallin e legalizimit, pa nga ato të sjellë unë sa të duash, – i thashë.

– Sill çfarë ke, se legalizimin e rregullojmë kollaj, – më tha drejtori.

Dhe ja ku erdha or mik, me këto rraqe, do bëj legalizimin e shtëpisë brneda javës, se kam 9 vjet që vërdallisem.

Ky ishte rrëfimi i Bajramit. Kaq mjafton për të kuptuar, se Artan Lame e ka harruar detyrën për të cilën është emëruar në krye të ALUIZNI-t. Burime nga brenda ALUIZNI-t, konfirmojnë, se drejtori Lame, ka kohë që po filmon edhe tapi e formularë të disa mbiemrave të njohur të zonave të ndryshme të vendit, duke i arkivuar ato si “vlerë historike muzeale”. Ndoshta, ai mendon se ALUIZNI është “Institut i Kulturës Popullore” dhe se ai është në detyrën e historianit, arkeologut apo muzeologut dhe po përdor procesin e legalizimit, për të mbledhur relike nga hallexhinjtë, në shkëmbim të dhënies së tapisë sa më shpejt. Kujtojmë, se katër ditë më parë, gjatë një takimi me hallexhinjtë që kanë ndërtuar prej 22 vjetësh shtëpi e lokale dhe presin legalizimin e objekteve prej 9 vjetësh pas daljes së ligjit “Berisha”, Kryeministri Edi Rama bëri një si tip “gjysmë shakaje” për largimin e Artan Lames nga detyra e kreut të ALUIZNI-t. Nuk e dimë saktë, se cilat janë shkaqet e vërteta të kësaj “gjysmë shakaje” të bërë nga Edi Rama, i cili në lidhje me emërim-shkarkimet e zyrtarëve të lartë, dimë se nuk bënë kurrë “gjysmë shakaje”. Zëra ka shumë. Ca “gojë të liga” edhe brenda qeverisë, thonë se Artan Lame po bënë legalizime me klientelizëm dhe për këto “marifete”, Ramës i shkojnë qindra letra në ditë. Ca zëra thonë, se Artan Lame shpik “armiq” personal dhe u prish objektet. Të tjerë zëra, që kanë mbërritur deri tek Edi Rama, kanë lidhje me klientelizmin në emërimet dhe punësimet brenda e në krye të zyrave të ALUIZNI-it në Tiranë dhe rrethe, madje deri edhe emërime, shkarkime e mos pranime emërimesh kundër “referencave” të krerëve të lartë të qeverisë. Ndoshta, “gjysëm shakaja” e Ramës mund të ketë lidhje edhe me “fushatën” e Lames, për mbledhjen e relikeve nga hallexhinjtë, në shkëmbim të dhënies së tapive sa më shpejt, duke e kthyer ALUIZNI-in, në “Institut të Zbulim-Grumbullimit të Objekteve të Traditës Popullore”.

 Përparim HALILI