Qeveria në ndihmë të bashkisë

595
Sigal

Fejton nga Hyskë Borobojka

Një mëngjes pa vajtur akoma orari zyrtar, takova Dule Lushin, që e kishte marrë me yrysh. Për ku me kaq ngut? – e pyeta. Për në Bashki! – ma preu shkurt. -Të marrësh pjesë në diskutimin e gjatë, të prishet apo jo Teatri Popullor? -Teatrin e kam në Qeveri dhe Estradën në Parlament. Por nxitoj të marr “ndihmën sociale”. U çudita, pasi e dija, që zoti Dule ishte në një punë të zgjedhur, prandaj mora guximin dhe e pyeta: -Pse marrkan “ndihmë sociale” edhe ata që janë në punë shtetërorë?! Për punën që bëj në zyrë marr rrogën e ndonjë shpërblim të vogël, ndërsa në Bashki do vete të marr “ndihmë sociale për qentë e mi! Që ta marrish vesh zotrote, nuk kam, as dhen, as dhi, as lopë në shtëpi, por mbarështoj një tufë me qen, duke filluar nga Baloja i madh, bashkëshortja e tij, bushtra, një zagar e dy kone race! Zoti Dule më fliste me pasion të madh për qenërinë e tij. Ndërsa unë vrisja mendjen se ç’punë të dobishme bën qenëria e tij, që ai kishte marrë kaq vrull për në Bashki të kërkonte “ndihmë sociale” për kopenë e qenve. Por zoti Dule si burrë i mençur, nuk më la t’i shtrydhja mendtë, se qenëria e tij bënte një punë të lavdëruar, që nga muzika me lehjet, angullitje, kuisjet e deri në shërbime të tjera të rëndësishme, pasi tri herë në ditë, në mëngjes, drekë e darkë, i nxjerr trotuareve, lulishteve e shesheve për të kryer nevojat personale. Me jashtëqitjet e tyre ujitin e plehërojnë lulishtet, lulet, rrugët, sheshet, madje edhe bulevardet e urat mbi lumin e Lanës. Prandaj, të lutem shumë, u takon si një e një që bëjnë dy “ndihma sociale”. Bashkia mbjell pemë gjithandej, por ato, po s’u vaditën e plehëruan thahen. Por uji është me orar dhe vjen me pikatore. Ta thotë Dulja ty. Po t’i kishte dhënë “Tender” për ujitjen e palmave që mbolli kryeministri në autostradën Tiranë-Durrës. Ato të gjora nuk do të thaheshin për ujë More zoti Dule ku i mban e i strehon këtë lukuni qensh? – e pyeta. Qenëria ime për punën e dobishme shoqërore që bën e meriton të bashkëjetoje me mua në katin e gjashtë të pallatit 33, sipas moshës së Krishtit. Baloja im është aq i zgjuar e i mençur sa hipin e zbret vetë me ashensor, Sa futet në ashensor e di përmendësh numrin e katit tim. Me putrën e këmbës së djathtë shkel butonin numër 6. Madje një ditë kur po zhvillohej një ndeshje futbolli, hyri në stadium dhe këshilloi arbitrin të gjykonte drejt e të mos mbante anësi, sulmuesit topat t’i drejtonin nga porta dhe jo nga spektatorët në shkallët e stadiumit, mbrojtësit t’i binin topit dhe jo këmbëve të lojtarëve dhe të loznin futboll dhe jo mundje greko-romake. Siç e sheh qentë e mi janë me shkollë pa diplomë. Unë që e zotëroj mirë gjuhën e qenve, ose siç quhet, “qenishten”, merrem vesh fare mirë me ta. E di ç’më tha një ditë Baloja? Kam dëshirë të ve kandidaturën për kryetar bashkie në zgjedhjet lokale.. Dulja fliste me aq besim për dituritë dhe punën e dobishme të qenve të tij. Pas këtyre shpjegimeve të hollësishme për qentë e tij, s’e mora vesh, kur m’u kthye e më pa ashpër si kau kalin në grazhd e më shfryu: More zotni, mos të kanë vënë që të më pengosh?! Të lutem shumë, mos më pengo se ikin nëpunësit e Bashkisë në ndonjë punë operative e qentë e mi mbeten me gjuhë jashtë, Po s’i zure brenda zyrës nëpunësit kompetentë të kësaj pune, prit t’i marrish si disa hallexhinj që mbajnë shpirtin gjallë me këtë “ndihmë sociale” Në vend të saj marrin përgjigjen: “Në mos e marrsh nga shtatori, prisni tutje nga dhjetori!?” Pasi të kryej këtë punë urgjente, kam edhe një punë tjetër. Të marr pjesë në luftën për jetë e vdekje, me këmbë e me dhëmbë, që do të bëjë Baloja im me shokë kundër qenve rrugaçë, pa zap e pa stap, që kontrollojnë tri herë në ditë kazanët e plehrave. Ti nuk e ke parë kryetarin e qenërisë time, më ka ngjarë mua. Në çdo beteje del fitimtar e i detyron armiqtë t’ia mbathin nga sytë këmbët.. Pastaj më dha dorën me të shpejtë e më tha: – Ika se m’u bë vonë e do të mbetet qenëria ime pa “ndihmë sociale”. Kam besim të madh se qenërisë time do t’i japin “Fletë lavdërimi” për punën e dobishme që bëjnë. Ndërsa Kryetarit Balo çelësin e qytetit!? Këto më molloisi Dule Lushi për qenërinë e tij dhe vrapoi me sa i hanin këmbët drejt Bashkisë.