Ismail H. Xhaferri: Përmbi facebook

744
Sigal

Dita nis e dita mbyllet,
Përmbi facebook të ulur,
Ca seriozë, ca qesharakë,
Ca të mençur, ca trushkulur.

 

Burra si adoleshentë,
(Kohë e re tani ka ardhur),
Ca të tjerë që fshehin moshën,
Ca të rrudhur, ca të zbardhur.

Mjaft të tjerë si filozofë,
I kemi prezent gjithnjë,
Dhe Sokrati i lashtësisë,
Para tyre, është asgjë!

 

Ca me mjekër, ca pa mjekër,
Vaj medet, o vaj medet!
Më shumë filozofë tani,
Sesa në antikitet!

 

Para tyre dhe Ajnshtajni,
Del që është më pak i ditur,
Mendja, shkenca, dituria
Në atdheun tonë ka zbritur!

Eh, ç’po shohim, ç’po lexojmë,
Frymëzimi kë nuk ndezi!
Në darkë, bujk apo blegtor,
Por poet e zë mëngjesi!

 

Shumë poetë e shumë poete,
Radhët mes tyre kanë ngjeshur,
Asnjë rresht s’ka poezi,
Për të qarë e për të qeshur!

 

Shumë poetë e shumë poete,
Ca të rinj e ca të vjetër,
Qajnë për dashuri të vrara,
Qajnë e s’bëjnë asnjë punë tjetër.
 

Nuk mungojnë edhe shkrimtarët,
Shkruaj e shpërnda gjithë ditën,
O e shkreta gjuha shqipe,
Ta zhdukën presjen e pikën!

 

O e mira, gjuha shqipe,
Si duron e s’qan me lot,
Këtë masakër të sotme,
As turku s’ta bëri dot?!

 

Por ka dhe më keq akoma,
Kam një mik që sa herë ulet,
Poston të gjitha çfarë ha,
Nga pilafi tek fasulet.

 

Kam një mik që më ka lodhu,r
Me të shkruar e me zë,
Di gjithçka por s’e kupton
Që në fakt nuk di asgjë.

 

Kam një mik shumë të çuditshëm,
Thotë, jam marangoz me nam,
Por tani kohët e fundit,
Është bërë edhe historian!

 

Ulur përmbi facebook,
Nuk ka gjumë, po vetëm zgjuar,
Mbetën gjithë punët pa bërë,
Mbetën arat pa punuar!

 

Dita nis e dita mbyllet,
Përmbi facebook të ulur,
Ca seriozë, ca qesharakë,
Ca të mençur, ca trushkulur!