Ismail H. Xhaferi: Një dyfek pas bregut ra

752
Sigal

Një dyfek pas bregut ra,

Vallë kush ka dalë për gjah?!

Kush po shkon avash-avash,

Me kobure e kallash?!

 

Brenda “Bllokut” në Tiranë,

Bëjnë çunat kasaphanë,

Tre a katër djem azganë,

Na u vranë për një putanë.

Dolën ca nga anë e anës,

T’i mbrojnë nderin putanës,

Si njësitet guerile,

Luftë me armë e luftë me gjyle.

 

U bënë të çmendurit tok,

Javë për javë luftë në “Bllok”

Gëzon prindi, miku,shoku,

Nëse del i gjallë nga “Blloku”

Një dyfek shkrepet në dorë,

Tetë veta të vrarë në Vlorë,

Se dyfeku nuk është lodër,

Korr në Vlorë e grin në Shkodër…

Një dyfek pas bregut ra,

Një çift, në shtëpi u vra,

Në shtëpi në anë të rrugës,

Thonë i vrau dashnori i çupës.

 

Shkojnë ca trima me dyfek,

Të vjedhin ditën në drekë,

Shkojnë të vjedhin një bankë,

M’u në qendër në Tiranë.

Gjersa vjedhin deputetët,

Pse mos vjedhim ne të shkretët?!

Vidh ministri, vidh gjyqtari,

Vjedh e s’ngopet as zyrtari…

 

Vjedhje bankës s’është e lehtë,

Duhet të jesh trim me fletë,

Të jesh dhe sua rrufjani,

Siç është Ardian Fullani.

 

Bam dyfeku në shtëpi,

Burri vret gruan e tij,

Nuk kupton asgjë mavria,

Ende s’i ka dalë rakia.

 

Shkrep dyfeku sa tund malin,

Se qëllon babai mbi djalin,

Se qëllon vëllai vëllanë,

Për një gardh që kishin pranë.

 

Një dyfek pas bregut ra,

Obobo ç’qe kjo hata!

Një të ri me plumb kanë vrarë,

Se preu një plep në arë.

 

Një dyfek pas bregut ra,

Këtu plot çudira ka,

Gurgullon uji në krua,

Ka dalë njëri kërkon grua.

 

Ka dalë njëri shteg më shteg,

Kërkon grua me dyfek,

(Edhe qesha edhe qava)

Dua vajzën, se ju vrava!

 

Bam,dyfeku atje tutje,

Dy të vrarë se s’i dhanë nuse,

Mendje kokës bën hata,

Se dënim me vdekje s’ka.

 

Një dyfek pas bregut ra,

Marrëzia fund nuk ka,

Këndon njëri në aheng,

Edhe shkojnë e marrin peng.

Plumbi ra mbi peng mavrinë,

E ngatërruan me borxhlinë,

Pa faj ishte, pa faj është,

Por vajti si qen në vreshtë.

 

Bie nata dalëngadalë,

Bëhet luftë në një lokal,

Ca të rinj në tokë shtrirë,

U vranë për një shishe birrë.

 

Një dyfek pas bregut ra,

Mendje kokës bën hata,

Mbeti një njeri i vrarë,

“Pse më pe në sy qëparë”?!

 

Një dyfek pas bregut ra,

Me plumba s’bëhet shaka,

Ra dyfeku prapa malit

Vjehrri vret nusen e djalit.

 

E vrau nusen pa gdhirë

Se nuk kish gatuar mirë.

Një burrë tjetër mu në arë,

Godet babën me sqepar.

 

Një dyfek pas bregut ra,

Vriten njerëz, s’vritet gjah,

Shqipëria e bukura,

Që po soset ca nga ca…