Ilir Beqja: “Në qeverisjen e tretë zotohemi se do të realizojmë ato që thamë për të bërë në qeverisjen e parë”

552
Sigal

INTERVISTA/Projektuesi i programit qeveritar të PS-së Ilir Beqja: “Bëmë ca llogaritje gabim te premtimet”

Si ditë gushti që janë, këmbë e shpirt njeriu nuk gjen, jo vetëm në zyrat e qeverisë në ikje, por  as në qeverisjen e kryeministrit të zgjedhur.  Deputetët e zgjedhur, ngaqë u lodhën shumë në fushatë, i dhanë të drejtë vetvetes, që të rehatohen, paskëtaj,  muaj të tërë, derisa të vijë fushata tjetër zgjedhore. Po edhe ministrat e rinj, sa u dha haberi i emërimit të tyre, ia dhanë vrapit drejt pishinave e ujit të kripur, se e dinë që në shtator, nuk do të ketë më për ata as të diel pushim.  Por këta të gjorë ministra të rinj, u ka kyçur gojën kryeministri i zgjedhur, që deri në shtator, të rrinë sus. Vetëm një dritë e zbehtë duket nga dritarja e katit të dytë, që është ngjitur me selinë e Kryeministrit të zgjedhur. Duke pyetur veten, përse të jetë  harruar drita ndezur, u ngjita të shikoja. Kur hap derën, mbeta me gojë hapur. Nga habia e madhe, natyrisht, që pashë  zotin Ilir Beqja, i vetëm, në atë zyrë, në këtë ditë gushti,  pa asnjë tjetër në krah, i cili  ka hapur fletë gjithandej, e me lapsa me ngjyra, shkruaj në një fletë e shuaj në fletën tjetër, bënte gjithë kohës.

– Zoti Beqja, vetëm ju nuk keni ikur me pushime. Si ndodhi xhanëm? Mos u bëtë pishman, që pranuat të bëheshit ministër i shëndetësisë, meqë nuk e keni hiç profesion?

– Ptu, ptu, larg qoftë, ç’na ndjell këtë të keqe?! Po unë, që jam truri i programit të madh të qeverisë së zgjedhur me votë, bëj ca llogaritje të tjera, se tani, që e morëm pushtetin, punët na dalin me të tjera hesape, nga ato që kishim bërë.

– Si ju dalin punët ndryshe, nga ato që keni premtuar? Ç’është kjo hata e madhe, zoti Beqja?

– Po ca shifra nga paratë. Me sa shoh, tani ca shifra që na dha Fullani, na mungojë shumë para, e me sa shoh, këtë mandat katër vjeçar, nuk do të bëjmë asgjë. Ndaj, kam ca dhimbje koke.

– Këto shifra nuk ua dha që më parë zoti Fullani, atëherë kur hartonit premtimet elektorale?

– Atëkohë, Fullani e kishte lidhur gomarin e vet te qeveria e Berishës, e nuk i besohej se ne do të vinim në pushtet si qeveri e zgjedhur me votë, ndaj nuk na jepte asnjë të dhënë.

A janë të sakta, këto shifra që u jep tani Fullani, zoti Beqja. Se mos ua ka me të hedhur, që t’jua lagë prapë?

– Ia shpreha edhe unë Edit këtë dyshim, se nuk e besoj Fullanin, Po vetë Edi më garantoi, se Fullani iu betua për atë karrige që rri ulur, që këto shifra as Saliut nuk ia ka dhënë. Janë taze të freskëta.

– Tërmet, a ndjeve sot në sabah, zoti Beqja?

– Tërmet? Bah. Unë kam katër ditë e net, këtu mbi këto shkresa, që shkruaj e shuaj shifra e premtime, po tërmet, të betohem, nuk kam dëgjuar. As telebelaja nuk e tha, për Zotin!

– Që nuk e tha telebeleja për tërmetin, të besoj, se janë tërmetet që bën kompania kanadeze “Bankers Petroleum” në puset e naftës.

– U thanë gjë për dëme?

– Viktima jo, po shtëpitë po ua prishin gjithë fshatarëve.

– Bo, bo! Edhe kjo na duhej tani. Si dreqin nuk duruan edhe ca ditë të tjera, ata zotërinj. Më shkelën në besë!

– Kush të shkeli në besë? Cilët nuk duruan, zoti Beqja?

– Po zotërinjtë kanadezë. Kishim bërë marrëveshje, që ca muaj, sa të fillonte punë qeverisja jonë, të rrinin urtë e të mos shqetësonin më fshatarët.

– Po me sa kam dëgjuar nga deputetët socialistë, ata u kanë premtuar fshatarëve që do t’i çojnë në gjyq kanadezët për dëmet që u bënë fshatarëve me tërmetet artificiale të puseve.

– Ato që ke dëgjuar ti, të shkuara e të harruara, tani.

– Vërtet e keni?

– Patjetër. Ato ne i thamë se ishim në opozitë, por jo se e kishim me gjithë mend. Tani që jemi në qeverisje, kemi përgjegjësi më shumë ndaj biznesmenëve, e jo ndaj miletit. Mileti, çfarë kishte për të na dhënë, na i dha më 23 Qershor. Tani, punët më të mëdha, do t’i bëjmë duke bashkëpunuar me biznesmenët e mëdhenj. Dhe, mos harro, që kanadezët në naftë janë kolosë botërorë. Nuk hahemi dot me ata ne.

– Po fshatarët, që do mbeten me duarbosh, nuk do zhgënjehen me ju?

– Ohu, tani është fillimi. Pas katër vjetësh, fshatarët nuk do kenë më kujtesë. Do t’u premtojmë gjëra të tjera, e ata do të na besojnë prapë. Kështu e ka kjo punë.

– Zoti Beqja, po kjo ftesë  për kafe e austriakëve, që kanë blerë Loton Kombëtare, mos ka ardhur gabimisht te ju? Mos duhej të vente të zyra e kryeministrit aktual?

– Jo, jo, nuk ka gabuar adresë, Neve na e kanë dërguar.

– Edi Rama është zotuar se, sa të vijë në pushtet, do t’jua marrë austriakëve Lotarinë Kombëtare, dhe do t’jua kthejë sërish popullit. Njësoj si, asokohe, Enveri, që ua mori fabrikat borgjezëve dhe ua dha popullit.

– Ne vërtet jemi socialistë, por nuk jemi marksistë leninistë, që të shtetëzojmë pronat e borgjezëve. Ju ndoshta e keni keqkuptuar zotimin e zotit Edi.

– Thua? Të më ketë lënë edhe mua kujtesa? Ja, e kam këtu në bllokun tim. Fjalë për fjalë, siç e ka shkruar vetë zoti Edi. “ Lotarinë do t’ja kthejmë sërish popullit”.

– Po, nuk e lexon deri në fund, atë që ka thënë Edi. Kushtin, që duhet për ta shtetëzuar sërish Lotarinë.

-Kë kusht, zoti Beqja? E ka thënë që është skandal i Berishës dhe Bodes që e dhanë Lotarinë Kombëtare për 3 franga të krimbura.

– Kur thamë që është skandal, ne e thamë, se donim të opozitonim Berishën. Por, ne e dinim që nuk do kishim asnjë mundësi që t’jua merrnim austriakëve, ndaj Edi vuri kushtin, në qoftë se është në interes kombëtar. Tani, siç po shikoj ca shifra të reja, që na kanë sjellë vetë austriakët, nuk është edhe kaq kundra interesit kombëtar. Se, tek e fundit, edhe shtetet e tjera europiane, e kanë privatizuar Lotarinë Kombëtare. Tani, që Saliun e shporrëm, nuk do bëjmë revolucionin e Leninit në ekonomi.

– Zoti Beqja, jam në merak, me hidrocentralet që Saliu ua dha turqve, çdo të bëni? Edhe për ato keni thënë se do t’i shtetëzoni. Ata nuk kanë paguar as këstin dhe mos i bëjnë HEC-et tona  shkretëtirë, si limanin e Durrësit?

– Më zure ngushtë. Ja, besomë, këtë po studioj tani. Po shikoj fermanin e zotit Haxhinasto, që si ministër, i ka miratuar. Dhe, besomë, nuk kam fuqi që të zhbëjë dot ato privatizime që ka bërë kolegu im i nderuar. Një veprim i tillë do vinte në dyshim sinqeritetin dhe mirëbesimin politik PS-LSI. Ne, për inat, HEC-et e Komanit e të Fierzës, do t’jua japim miqve tanë, e jo atyre të Saliut.

– Për taksën progresive, sikur më zuri veshi, që do ta shtini zbatimin e saj, andej nga fundi i mandatit të dytë të qeverisjes PS-LSI. E vërtetë?

– Edhe atëherë, të shikojmë. Se na kanë ardhur shumë ultimatume nga biznesmenët e huaj. Ja, lexoji edhe ti, që të bindesh, se ç’na thonë. Siç keni premtuar që do të hiqni taksën biznesit të huaj, ju urdhërojmë që të hiqni edhe taksën biznesit tonë të madh. Ndryshe, ngarkojmë plaçkat e ikim, e do mbeteni ju me hiçin tuaj. Taksë le të paguajë mileti, se do s’do ai, s’ka ku të vejë.

– Zoti Beqja, të paktën, premtimin e Ramës, se popullit  këtej e tutje do t’i shërbehet në spitale pa asnjë qindarkë, besoj se do ta mbani?

– Këtë premtim, ju jap edhe unë fjalën e nderit që do ta mbajmë. Po, nuk zotohem dot, nëse do ta realizojmë mandatin e dytë, pa për këtë katërvjeçar është e pamundur, se jemi në krizë. Shpresoj, se, nëse do jemi ne qeverisje në mandatin e tretë, atëherë, ju jap fjalën time të nderit.

– Në këto shifrat që po hartoni, thoni që do të punësohen vetëm 100.000 militantë në administratë. Po 200.000 të tjerë që premtuar, zoti Beqja?

– Patjetër, që të gjithë do të punësohen një ditë. Në mos mandatin e parë qeverisës, do ketë shanse që të punësohen në mandatin e dytë të qeverisjes tonë. Edhe ata që nuk do të punësohen atëherë, do të ketë shpresa që do t’i punësojmë në mandatin e tretë e të katërt të qeverisjes tonë. Se, do ketë edhe vdekje me bollëk. Me këtë progres që kanë aksidentet e rrugëve tona, i bie që në pak vjet të punësohen të gjithë ata që do mbeten gjallë.