Varfëria dhe stresi çon pacientët drejt vdekjes !

848
Sigal

Humbin jetën 4 pacientë brenda mureve të spitalit, jo prej covid-19 por duke u hedhur nga ballkonet e spitalit. Të pasurit dhe zyrtarët me covid e bëjnë karantinën mes luksit me mjekë në shtëpi ose në spitalet jashtë vendit. Ironizojnë mjekët; Nuk janë spitalet plot, por pseudoreforma e Rilindjes na la pa spitale.

 

Varfëria dhe stresi çon pacientët drejt vdekjes, por jo Covid

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama njoftoi përmes llogarisë së tij në Facebook, se ‘sot do të publikonte pamje ekskluzive nga spitalet COVID, për të treguar betejën që po bëjnë mjekët për të luftuar koronavirusin’. Rama shkruan se sistemi shëndetësor është më i gatshëm se kurrë për të përballuar epideminë globale. Mirëpo, pak orë nga ky status i kryeministrit, nga spitalet COVID u tentua vetëvrasja e radhës e një pacienti të infektuar. Kjo nuk tregon gatishmëri dhe aspak efikasitet nga sistemi shëndetësor, përveçse dështim për të luftuar pandeminë. Dështim sa kohë jeta e qytetarëve nuk mbrohet as kur janë në rrezik shëndetësor nga simptomat e COVID, dhe as kur gjendja shëndetësore ndikon atë psikologjike, duke sjellë situata tragjike si 4 rastet e fundit te spitalet COVID.

Postimi i Ramës: “Nesër në këtë faqe, filmime krejt ekskluzive nga vija e zjarrit, në spitalet Covid, ku sistemi ynë shëndetësor, më i gatshëm se asnjëherë më parë dhe heronjtë tanë me bluza të bardha, si asnjëherë më parë, përballen me dallgët e forta të një epidemie globale, duke mbrojtur e shpëtuar jetë nga kthetrat e Armikut të Padukshëm…”

 Pacienti tentoi vetëvrasjen tek Infektivi

Tjetër ngjarje tragjike te spitalet COVID në vend ditën e djeshme . Një pacient me koronavirus është hedhur nga ballkoni i spitalit Infektiv, ku po trajtohej prej disa ditësh, pasi simptomat e sëmundjes kishin agravuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 të mesditës së djeshme.

Policia raporton se pacienti që është hedhur nga Infektivi është R.B, 69 vjeç. Ai ka mundur të shpëtojë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Kanë qenë kushtet e rënduara psikologjike që kanë shtyrë të moshuarin të tentojë t’i japë fund jetës.

Ky është rasti i katërt tragjik në spitalet COVID të Tiranës dhe i pari që ndodh te spitali Infektiv. Tre rastet e mëparshme janë regjistruar te spitali COVID2 “Shefqet Ndroqi”, ku kanë ndërruar jetë tragjikisht të tre pacientët.

Nga spitalet covid është e pamundur që pacientët të komunikojnë me telefon me familjarët e tyre. Një vendim absurd që vjen nga drejtuesit e spitaleve, gjithashtu askush nuk di si janë kushtet brenda dhe nga jashtë është krijuar një psikozë kolektive

Statistikat

I fundit, vetëm një javë më pare:  52-vjeçari Preng Gjonaj, u hodh nga dritarja e katit të katërt të spitalit duke ndërruar jetë në vend.

Përpara tij kanë ndodhur edhe dy ngjarje të tjera tragjike te i njëjti spital.

Më 2 shtator në mbrëmje, Hasan Mira nga Fullqeti i Klosit, 65 vjeç u vetëhodh nga spitali duke gjetur vdekjen. Pacienti ishte në gjendje të rëndë, por jo i intubuar.

Ndërkohë me 13 gusht, Xhino Koça, 29 vjeç, në gjendje të rënduar psikologjike u hodh gjithashtu nga ky spital dhe fatkeqësisht ndërroi jetë.

Ironia e mjekëve: Nuk janë spitalet plot, nuk kemi fare spitale

Pamjet që vazhdojnë të vijnë nga spitalet Covid janë të frikshme. Ato tregojnë qartë se sistemi po kalon në kolaps, pasi të sëmurët u kuruan nëpër ambulanca.

Por teksa kryeministri Edi Rama pretendon se spitalet janë në rregull, mjekët bëjnë ironi me këtë shprehje.

“Nuk është e vërtetë që spitalet janë plot, e vërteta është që ne nuk kemi spitale,” shkruan mjeku Renato Osmenaj.

Kurse mjeku Ilir Allkja shkruan se Edi Rama mashtroi njerëzit me spitalin fantazmë Covid 4, që duhej të ishte hapur. Sipas tij, rastet me Covid u shtuan kur nisën të vendosen maskat me detyrim.

“Spitali është i vetmi vend ku të sëmurët me COVID-19, me saturim poshtë 90% duhet të trajtohen. Njerëzit s’duhet të kenë frikë nga spitali”. Kështu tha Dr. Pëllumb Pipero.Tani mbetet që t’ju aksesojnë shërbimin spitalor njerëzve në nevojë,” ironizon Allkja.

Përse depresionin covid e kalojnë vetëm qytetarët?

Tragjedia shqiptare me koronavirusin nuk ka fund. Problemit të shtimit të rasteve, tejmbushjes së kapaciteteve spitalore, madje edhe mungesës së ilaçeve nëpër farmaci, i shtohen edhe incidentet e rënda, ku nga dhomat e spitaleve katër pacientë në kohë të ndryshme janë hedhur nga lartësitë në gjendje të rënduar psikologjike duke humbur jetën.

Të gjithë ngrenë pyetjen,  përse po ndodhin vetëvrasjet e pacientëve dhe gjithkush që ka ekspertizë sado të vogël shkencore si psikologë, apo psikiatër, këtë fenomen ia veshin vetë natyrës së sëmundjes. Deri këtu shkojnë, jo më tej, duke u ndalur tek “simptoma”, por jo tek shkaqet që e sjellin.

Nga spitalet covid është e pamundur që pacientët të komunikojnë me telefon me familjarët e tyre. Një vendim absurd që vjen nga drejtuesit e spitaleve, gjithashtu askush nuk di si janë kushtet brenda dhe nga jashtë është krijuar një psikozë kolektive se nëse futesh në spital, gjasat për të dalë i vdekur nuk janë të vogla. Në fakt është jo aq e vërtetë, pasi disa qindra pacientë edhe pse kanë mbërritur në gjendje relativisht të rëndë, janë shëruar.
Po sot ajo që i rëndon më shumë nuk është vetëm e tashmja, por e shkuara e tyre, problemet e përditshme dhe pamundësia për të siguruar aq të ardhura sa të përballojnë një sëmundje të tillë e cila sot kushton në para, por kërkon edhe “miq të fortë” në sistemin e shëndetësisë.

Shumë pacientë që dynden në fund në spitale pasi gjendja u është agravuar,  kanë kaluar nga një kalvar idiotesk që vjen nga sistemi i shëndetësisë. Së pari,  u është dashur që t’i bien numrit të urgjencës disa herë, por çdo herë marrin të njëjtën përgjigje: -që nëse kanë temperaturë, kollë dhe bllokim në frymëmarrje, duhet të izolohen në shtëpi deri kur të vendoset për të kryer tamponët, të cilët janë në një numër të kufizuar.

Nuk kanë para të shkojnë në farmacitë private për të blerë ilaçet, nuk kanë miq të fortë për të mundësuar tamponin në kohë, nuk njohin ndokënd në dy spitalet covid. Në fund, kur gjendja shëndetësore u agravohet, përplasen në dyert e spitalit, por përveç sëmundjes që i rëndon, mendja u trazohet edhe më shumë pikërisht nga problemet e përditshme. Më e rëndë për ta është “sëmundja” e varfërisë.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 6 muaj që ‘po bashkëjetojmë’ me këtë virus, nuk ka ende një skemë mjekimi apo një udhëzim të përditësuar mbi trajtimin e këtyre rasteve, pra, të pacientëve që nuk shfaqin komplikacione. Jo vetëm kaq, mjekët e familjes, në pjesën dërrmuese, për të shmangur kontaktin me pacientët që paraqesin shenja të ngjashme me ato të COVID19,  i orientojnë ata drejt farmacive.

“Pjesa më e madhe e pacientëve ankohen se nuk vizitohen nga mjekët e familjes, por vetëm pyeten në distancë se çfarë shenjash apo shqetësimesh kanë. Në çdo rast, pra, edhe kur dyshojnë për grip stinor, edhe kur dyshojnë për COVID, rekomandojnë përdorimin e antibiotikëve. Gjatë kësaj periudhe, antibiotikët janë përdorur pa kriter”, pohon një farmaciste në kryeqytet.

“Kjo po bëhet edhe nga frika që kanë mjekët, pasi edhe kur mendojnë se mund të jetë një gjendje gripale japin mjekim me antibiotikë për të shmangur komplikacionet në rast se pacienti rezulton i infektuar me COVID”, pohon një tjetër farmaciste.

Gjatë kësaj periudhe, antibiotikët janë përdorur pa kriter. Mjekët e familjes, në pjesën dërrmuese, për të shmangur kontaktin e pacientët që paraqesin shenja të ngjashme me ato të COVID19 i orientojnë ata drejt farmacive

Antibiotikë pa kriter

Por, shqetësimin nga përdorimi pa kriter i antibiotikëve e ka ngritur edhe eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho.

Duke e cilësuar këtë një masakër në mjekësinë shqiptare, doktori apelon për hartimin e protokolleve të mjekimit dhe trajnimin e mjekëve të familjes.

“Ka disa ditë që flas për masakrën që është duke ndodhur në mjekësinë shqiptare, ku çdo pacienti me pak kollë dhe temperaturë i përshkruhet me Messenger trajtimi me 2 antibiotikë, 1 antikoagulant dhe 1 kortizonik. Studime serioze tregojnë se: Antibiotikët e dhënë pa kriter dëmtojnë shëndetin e pacientit dhe kontribuojnë në krijimin e rezistencës antimikrobike, një nga problemet më të mëdha të mjekësisë në shekullin 21. Nevojitet urgjent hartimi i protokolleve që mjekët e familjes të kenë mundësi të mjekojnë dhe monitorojnë pacientët bazuar në nevojat e tyre individuale dhe jo sipas parimit ‘një masë u shkon të gjithëve’! Më pas nevojitet trajnimi i mjekëve, përfshirja e trajtimit anti-COVID në skemën e rimbursimit dhe kontrolli i respektimit të protokolleve për të shmangur katastrofën shëndetësore që po ndodh aktualisht”, ka shkruar doktori në rrjetet sociale.

Të pasurit me Covid  mes luksit në karantinim

Po si është e mundur që asnjë politikan nuk ka kaluar në depresion sa të hidhet nga dritarja e dhomës së spitalit, apo nga ballkoni i apartamentit luksoz ku mund të jetë i karantinuar? Po biznesmenët e njohur që ia hodhën sëmundjes pa problem dhe një ditë të vetme nuk i kapi ankthi?

Këtu ka vend për studim më të thellë sesa pjesa e përciptë që ia veshin vetëm natyrës së koronavirusit. Më i fundit politikan që u konfirmua me covid është Damian Gjiknuri, i cili lajmëroi në rrjetet sociale se ishte prekur dhe u karantinua deri në shërim të plotë. Po ashtu edhe deputetë të tjerë, kryebashkiakë, drejtorë të nivelit të lartë, nëpunës të ndryshëm në tatime, dogana, legalizime apo hipoteka e kanë kaluar këtë “makth covid”, por nuk i kapi ankthi dhe depresioni sa të vetëflijoheshin.

Për ta fjala mungesë e të ardhurave dhe ushqim i përditshëm nuk ekziston, sepse janë majmur aq shumë sa i vetmi “ankth” është se ku do i shpenzojnë shumat e mëdha të cilat nuk kanë ardhur nga rroga e shtetit, por nga korrupsioni, i cili për këtë kategori është “ilaçi” që u zhduk çdo sëmundje.