“Unifi Holding- Vodafone Albania” i “zhvat” miliona lekë shtetit shqiptar për 4 vite rresht

508

“Shqipëria terren i begatë për evazion fiskal, pastrim parash dhe aktivitete të paligjshme të kamufluara si sipërmarrje biznesi”

Sigal

Një bashkëpunim disa vjeçar mes “UNIFI HOLDINGS INC” dhe “Vodafone Albania” i ka shkaktuar dëm në miliona lekë shtetit shqiptar. Një skemë gjigante manipulimi dhe fshehje të ardhurash nga dega në Shqipëri e “UNIFI HOLDINGS INC” që vijonte prej vitesh në sektorin e telekomunikacionit në vend, doli në dritë pas një inspektimi të AKEP-it në vitin 2018. Historia daton që në korrik të vitit 2014,  kohë kur “Unifi”-dega Shqipëri,  nënshkroi një Marrëveshje Interkonjeksioni me “Vodafone-Albania”. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, “Unifi”-dega Shqipëri, merrte përsipër shërbimin e tranzitimit të thirrjeve ndërkombëtare, hyrëse e dalëse, për sipërmarrësin “Vodafone”. Rreth 4 -vite më pas, në vitin 2018,  AKEP-i  kërkon informacion prej kompanisë degë në Shqipëri mbi pasqyrat financiare, e cila në shkresën përcjellëse dhe dokumentacionin e dorëzuar pranë AKEP-it  dhe grupit të inspektimit pretendonte se kjo kompani nuk e kishte ofruar shërbimin e kontraktuar me “Vodafone Albania”.

Por nga inspektimi i kryer nga AKEP-i  rezultoi krejt e kundërta:

“UNIFI HOLDINGS INC” , dega në Shqipëri, ka nënshkruar një Marrëveshje Interkoneksioni Ndërkombëtar të datës 01.07.2014,  me sipërmarrësin “Vodafone Albania sh.a.”. Sipas parashikimeve të kësaj marrëveshje, “UNIFI HOLDINGS INC” dega në Shqipëri,  ka terminuar trafik ndërkombëtar në rrjetin e “Vodafone Albania sh.a.” AKEP-i  në funksion të objektit të inspektimit kërkoi informacion zyrtar dhe sqarime të mëtejshme nga sipërmarrësi “Vodafone Albania sh.a.” i cili nëpërmjet shkresës nr. Prot 1719/12, datë 18.10.2018 , përcolli pranë AKEP-it,  faturat tatimore shitje të vitit 2014, 2015, 2016 dhe 2017,  që sipërmarrësi “Vodafone Albania sh.a.” ka lëshuar në drejtim të sipërmarrësit “Unifi Holdings INC”,  dega Shqipëri,  me nipt K 92430001J,  sëbashku me volumin e minutave dhe shumat e faturimeve. Pas verifikimit të dhënave dhe zbulimit të mashtrimit në miliona të kësaj kompanie,  e cila prej vitesh operonte në Shqipëri pa shlyer detyrimet ndaj shtetit, si dhe operonte pa licencë përreth 6 muaj pas lidhjes së  kontratës me “Vodafone Albania”,  AKEP-i  e gjobit me vlerën 50 milionë lekë dhe dënime plotësuese për sipërmarrësin. Kompania e cila në atë kohë kishte administrator Florian Shatkun, u përpoq të shmangte supervizimin, duke u detyruar të hiqte me urgjencë pajisjet teknike nga zyra e saj në Tiranë dhe pezulloi aktivitetin në gusht 2018,  si një manovër për të shmangur kontrollorët e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) të zhvillonin një inspektim në ambientet e këtij biznesi, pas dyshimeve për praktika të paligjshme të zhvilluara prej saj. Menjëherë pas gjobitjes dhe ngritjes së dyshimeve serioze për mashtrim dhe pastrim parash, çështja referohet në Drejtorinë e Tatimeve dhe Prokurorinë e Tiranës për hetime të mëtejshme lidhur me veprimtarinë tregtare, financiare dhe tatimore të ushtruar nga shoqëria “Unifi Holdings INC” dega Shqipëri,  për vitet 2014, 2015 dhe 2016.

Në raportin përfundimtar sqarohet se:

Kjo çështje është referuar ne datën 27.11.2018 edhe pranë organit të Prokurorisë Tiranë, pasi ka dyshime të arsyeshme që në veprimtarinë e ushtruar nga subjekti “Unifi Holding INC”, dega Shqipëri për vitet 2014, 2015, dhe 2016, mund të ketë shkelje ligjore që përbëjnë element të veprës penale. Organi prokurorisë ne datën 27.12 , ka vendosur mosfillim te procedimit penal për këtë çështje.

Menjëherë pas mbylljes së çështjes nga prokuroria, AKEP-i  ka nisur një sërë shkëmbimesh dokumentacioni për nisjen e një hetimi të thelluar nga organet tatimore, përkatësisht me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë e Hetimit Tatimor, Drejtorinë rajonale Tatimore si dhe Drejtorinë e Kontrollit Tatimor.

Vetëm në 15 korrik të vitit 2019, rreth 1 vit pas kontrollit të ushtruar nga AKEP-i, kompania “Unifi Holding, INC”, dega Shqiperi, dorëzon  në  AKEP,  rishikim të pasqyrave financiare për vitet 2015, 2016 dhe 2017 . Sipas përllogaritjes së detyrimeve nga AKEP-i,  detyrimet që buronin nga rishikimi i tyre për vitet 2015-2017, duke u bazuar në nivelin e pagesave vjetore për secilin vit,  arrinte ne vlerën rreth 1.66 milionë euro.

“Unifi Holding” dhe  Shqipëria  si  “tokë pjellore”
Ndonëse tashmë është fakt që Shqipëria është një nga terrenet më të begata për evazion fiskal, pastrim parash dhe aktivitete të paligjshme të kamufluara si sipërmarrje biznesi, historiku i aktivitetetit tregtar të “UNIFI Holding”  në Shqipëri është shumë interesant, çka nis më herët se bashkëpunimi me  “VODAFONE ALBANIA”.

Sipas raportimeve nga mediat shqiptare, “Unifi Holding INC”-dega Shqipëri,  ka mbërritur në tregun shqiptar në vitin 2009. Dega kishte mbi vete reputacionin e kuruar mirë të kompanisë mëmë, “Unifi Holding llc”, e regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e drejtuar nga Adrian Shatku, një shqiptar nga Peshkopia, i cili ka ngritur biznesin e tij të fuqishëm në Nju Jork. Në profilin e saj në rrjetin “Linkedin”, i cili është i specializuar për biznesin, “Unifi-Holding LLC”,  prezantohet si një prej kompanive kryesore në botë për tranzitimin e thirrjeve telefonike dhe  aktiviteteve të tjera telekomunikacioni, me rreth 100 milionë përdorues aktivë të shërbimeve të saj. Drejtori Ekzekutiv i saj, Adrian Shatku, është intervistuar nga gjigandët mediatikë botërore, si BBC e “forbes.com” për të treguar mbi ecurinë e kompanisë së tij dhe shtrirjen e aktivitetit, sidomos në Afrikë. Në vitin 2009, kompania mëmë “Unifi-Holding” vendos të hapë degën e saj në Shqipëri. Me administrimin e degës së Tiranës ngarkohen Florian Shatku dhe Enkeleda Shatku, dy familjarë të afërt të bosit të madh, Adrian Shatku. Dega Shqiptare hyn fuqishëm  në tregun vendas. Në vitin 2010, Këshilli i Ministrave miratoi, në parim, vendosjen e kabllit nëndetar ndërkombëtare me fibër optike Bari-Durrës. “Unifi holding inc”-dega Shqipëri, u lejua për të kryer studimin përkatës për shtrimin e kabllit. Afati i kësaj leje ishte 12 muaj. Në një vendim të mëvonshëm, të vitit 2011, Këshilli i Ministrave shtyn lejen edhe për dy vjet, deri në vitin 2013. Në janar 2014, Këshilli i Ministrave vendos të shtyjë edhe me 3 vjet të tjera, lejen për studim, të dhënë “Unifi-Holding”-dega Shqipëri.