Shqiptarët “harrojnë” anglishten i “sulen” gjermanishtes

519
Sigal

Emigracioni në rritje dhe lehtësimi i procedurave dhe kushteve për punësimin në Gjermani, përveç ndikimit të lartë ekonomik e social në vendin tonë, ka sjellë ndryshime edhe për sa i përket gjuhëve huaja që përvetësohen nga shqiptarët, teksa po vjen gjithnjë e në rritje numri i atyre që zhvillojnë kurse të gjuhës gjermane. Statistikat tregojnë se gjysma e popullsive në vendet evropiane flasin anglishten si gjuhë të dytë, por a është e njëjtë kjo edhe për vendin tonë? Në bazë të indeksit për aftësinë angleze EPI (Indeksi i aftësisë për komunikimin në gjuhën angleze), Shqipëria rezulton me përqindjen më të lartë për sa i përket njerëzve që nuk flasin anglisht. Pothuajse vetëm 17 për qind e popullsisë e njohin dhe e flasin gjuhën angleze. Gjithashtu, e njëjta situatë është edhe për vendet e Ballkanit. Orjeta Buneci, administratore e qendrës “European Learning Center” tha për “Gazetasi.al” se kërkesat për gjuhën angleze ndër vite janë reduktuar. “Duke marrë shkas nga arsyet e emigracionit të shqiptarëve, vendin e gjuhës angleze e ka zënë gjuha gjermane, pasi njerëzit janë të prirur për të mësuar një gjuhë që do të iu shërbejë. Nëse para disa vitesh mund të kishim katër mësues anglishteje në vendin tonë, tashmë kemi vetëm dy. Gjuha gjermane kryeson pasi është e nevojshme për kontratat e punësimit, që shteti Gjerman po ofron gjatë gjithë kohës,” shprehet Buneci. Ndër të tjera ajo shton se mësuesit e gjermanishtes paguhen shumë në krahasim me të anglishtes dhe janë shumë të kërkuar. Ndërsa të kundërtën pohojnë përfaqësues të qendrës së kurseve Meridian. Ata u shprehën se kërkesat e anglisht janë gjithnjë e në rritje. Sipas tyre raporti mund të mos jetë i vërtetë, duke marrë parasysh se gjuha angleze është primare edhe në shkolla.