Biznesi i vogël në TVSH, kalendar trajnimesh nga tatimet

1423
Frika e problemeve me nisjen e pagesave nga 1 prilli, detyron Drejtorinë e Tatimeve të përgatisë sipërmarrësit
Futja për herë të parë e biznesit të vogël në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) do të shoqërohet nga Tatimet me trajnime në 13 drejtori rajonale. Në një njoftim për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se në këto trajnime mund të marrin pjesë të gjithë bizneset e vogla, përfaqësuesit e tyre apo persona të interesuar për t’u informuar rreth procesit. “Në mbështetje të ligjit “Për TVSH-në në RSH”, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar, i cili hyn në fuqi nga data 1 Prill 2018, është qarkullimi prej 2 milionë lekësh në një vit kalendarik. Të gjithë bizneset që plotësojnë këtë kriter ligjor, përmes këtyre trajnimeve, do të mund të njihen hollësisht me procedurën që duhet të ndjekin në përmbushje të detyrimeve ligjore, konceptet e përgjithshme të TVSH-së, plotësimin dhe afatet e deklarimit të TVSH-së, librave të shitjes dhe blerjes, plotësimin dhe deklarimin e këtyre librave, plotësimi i një fature tatimore etj.”, theksuan tatimet. Kalendari i trajnimeve është konceptuar për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë këtyre bizneseve sipas shtrirjes së tyre gjeografike. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është e gatshme dhe ka të gjithë kapacitetet për të shtuar numrin e trajnimeve nëse kjo do të jetë e nevojshme. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes një pune paraprake ka trajnuar dhe angazhuar ekspertët e saj më të mirë në të gjithë vendin, me synim ofrimin e asistencës dhe informimin sa më të gjerë të të gjithë sipërmarrësve, që do të përfshihen për herë të parë në skemën e TVSH-së. “Çdo subjekt i interesuar për të marrë pjesë në këto trajnime mund të kontaktojë paraprakisht punonjësin përkatës të administratës, përgjegjës për organizimin dhe mbarëvajtjen e trajnimit si dhe për të rezervuar pjesëmarrjen”, thuhet në njoftimin e Tatimeve. Çdo person i tatueshëm duhet të dorëzojë një deklaratë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), që përmban gjithë informacionin e nevojshëm në të cilin bazohet llogaritja e TVSH-së që është bërë e kërkueshme, vlerën e TVSH-së që mund të zbritet, vlerat e tatueshme të veprimeve që lidhen me llogaritjen e TVSH-së së kërkueshme dhe asaj të zbritshme si edhe vlerën e furnizimeve të përjashtuara nga TVSH-ja. Përveç të dhënave që përmban deklarata e TVSH-së, Ministri i Financave përcakton me udhëzim formën dhe përmbajtjen e plotë të deklaratës si dhe përcakton modalitetet e deklarimit të TVSH-së në lidhje me importet. Çdo person i tatueshëm që detyrohet, duhet të dorëzojë një deklaratë të TVSH-së, sipas formës dhe përmbajtjes të përcaktuar. Një deklaratë të tillë duhet të dorëzojë edhe përfaqësuesi tatimor. Me përjashtim të rastit kur, sipas parashikimit ligjor, personi përgjegjës për pagimin e TVSH-së, është përfaqësuesi tatimor, i cili për shërbime të marra jashtë Shqipërisë, TVSH- ja paguhet (auto-ngarkohet) dhe deklarohet nga marrësi i shërbimit person i tatueshëm i regjistruar në Shqipëri. Në rastin kur personi që detyrohet të auto-ngarkojë TVSH-në është një person juridik i pa-tatueshëm, atëherë ai vetëm për qëllime të pagesës së TVSH-së detyrohet të deklarojë dhe paguajë TVSH-në. Personit juridik të pa tatueshëm nuk i lind e drejta të zbresë TVSH-në e auto-ngarkuar, pasi nuk kryen transaksione të tatueshme. Në këtë rast ai është pagues i TVSH-së. Deklarata e TVSH-së dorëzohet në mënyrë elektronike në drejtorinë rajonale tatimore ku tatimpaguesi është i regjistruar jo më vonë se 14 ditë pas përfundimit të periudhës tatimore që deklarohet, përveç kategorisë së tatimpaguesve me qarkullim nga 2 milionë lekë deri në 5 milionë lekë, e cila dorëzohet jo më vonë se data 14 e muajit pasardhës pas tremujorit përkatës.
Sigal