Shqipëria në Samitin e Vjenës, do të kërkojë mbështetje në katër fusha kryesore

698
Liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen në Vjenë më 26 gusht në forumin e dytë të Samitit të Vjenës, i cili do të organizohet nën kujdesin e kancelarit austriak Faymann dhe asaj gjermane Merkel.
Duke folur për pjesmarrjen e Shqipërisë në Samitin e Vjenës Kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati është shprehur se, Shqipëria në këtë Samit do të kërkojë mbështetje në katër fusha kryesore, në infrastrukturën rrugore, në projekte për procesin e infrastrukturës energjetike, kapitalet njerëzore, arsimimi dhe edukimi dhe në fund turizmi.
Gjithashtu, sipas tij pritet që në Tiranë të jetë selia e Fondit të Ballkanit Perëndimor, ku do të synohet përfshija e gjithë vendeve të rajonit në këtë fond me qëllim dhënien e ndihmës në hartimin dhe në financimin e projekteve.
Në Samitin e Vjenës pritet të miratohet platforma për të inkurajuar dhe mbështetur mobilitetin e të rinjve, programet e shkëmbimit dhe të trajnimeve profesionale, duke përfshirë forcimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e kapaciteteve profesionale në fusha si siguria energjetike, transporti, infrastruktura dhe turizmi.
Ministri Bushati ka nënvizuar, Shqipëria do të kërkojë një përqendrim të përpjekjeve të BE-së drejt një strategjie te re të ndërlidhjes energjetike të rajonit
Samiti i Vjenës, axhenda përmban diskutime të përbashkëta, por edhe një ndeshje futbolli
Sipas axhendës së Samitit të Vjenës, më 26 gusht, rreth orës 13:00, parashikohet një panel diskutimi mes ministrave të Integrimit dhe atyre të Jashtëm me temë “Mosmarrëveshjet bilaterale në Ballkanin Perëndimor”.
Ky panel do të pasohet nga nënshkrimi i një marrëveshjeje me karakter kulturor mes Austrisë dhe Kosovës. Dita e parë e samitit do të mbyllet me një ndeshje futbolli mes dy ekipeve që do të quhen “E ardhmja e BE-së” dhe “Ekipi i BE-së”.
Në fushën e blertë austriake ekipin e të “Ardhmes së BE-së” do ta përfaqësojnë kryeministri Edi Rama me dy ministrat e tij, Arban Ahmetaj dhe Ditmir Bushati, nga Bosnja ministri Crbadak, nga Kosova Hashim Thaçi, nga Maqedonia kryeministri Gruevski dhe Serbia kryeministri Vuçiç. Ndeshjen do ta arbitrojë komisioneri Hahn.
Dita e dytë e Samitit do të nisë me diskutimet për ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, ku në panel do të jenë kryeministri Rama, ai serb Vuçiç, komisioneri i Bankës Europiane të Investimeve, Hoyer, komisioneri Hahn dhe presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Chakrabati.
Në orën 10:30, ministrat e Jashtëm të rajonit do të diskutojnë tre çështje: bashkëpunimin rajonal, emigracionin dhe dialogun fetar, përfshi anti-ektremizmin.
Paralelisht me këtë takim do të zhvillohet edhe ai i ministrave të Ekonomisë, nën drejtimin e ministrit austriak të Ekonomisë, Mitterlehner. Në përfundim të Samitit, kancelari austriak Faymann, kancelaria gjermane Merkel, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiç do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Sigal