Shqipëria e zhytur në papunësi. 50% e moshës 16-49 vjeç nuk punojnë

558
Sigal

Shqipëria “e zhytur” në papunësi – Gati gjysma e grup moshës 16-49 vjeç nuk punuan asnjë ditë gjatë 2018-s

Instituti i Statistikave ka realizuar një anketim në kuadër të projektit për gjendjen shëndetësore të popullsisë shqiptare. Sipas anketës rezulton se në vendin tonë gjatë vitit 2018 ekziston një nivel i lartë papunësie. Sipas INSTAT, në vitin e kaluar, 54% e femrave dhe 39% e meshkujve të grup moshës 16-49 vjeç ishin të papunë, duke mos punuar madje asnjë ditë në të gjithë vitin.

Rezultatet e papunësisë në Shqipëri

37% e femrave të grupmoshës 16-49 vjeç raportuan se ishin të punësuara në momentin e anketës, 5% nuk ishin të punësuara, por ishin të punësuara në 12 muajt para studimit, dhe 58% nuk ishin në punë dhe nuk kishin punuar në 12 muajt para studimit. Ndërsa meshkujt raportuan se 39% e tyre nuk ishin në punë gjatë 12-muajve të fundit, 56% ishin të punësuar dhe 5% kanë qenë të punësuar në një periudhë të vitit, pavarësisht se në kohën e pyetësorit ishin të papunë. Ndërmjet 2008 dhe 2018, përqindja e personave të moshës 15-49 vjeç të punësuar në profesione teknike dhe menaxheriale mbeti e pandryshuar për gratë, por u pakësua pak për burrat. Përqindja e grave të punësuara me pagë u rrit nga 60% në 2008 në 82% në 2018, ndërsa përqindja që nuk paguheshin u zvogëlua nga 31% në 10%. Punësimi është një burim i rëndësishëm i të ardhurave që ndikon ecurinë e qëndrueshme të familjes dhe individit. Informacioni mbi profesionet e grave jo vetëm që lejon vlerësimin e burimit të të ardhurave të tyre, por gjithashtu ndikon në fuqizimin e mëtejshëm të tyre.

Sektorët ku janë të punësuar shqiptarët

Duke iu referuar rezultateve të anketës, rreth një e katërta e grave të punësuara 16-49 vjeç (26%) punojnë në pozita profesionale, teknike ose menaxheriale dhe 19% janë në profesione të kualifikuara manuale, 17% janë në shitje dhe shërbime dhe rreth 7% punojnë në punë manualisht të pakualifikuar. Bujqësia zë vetëm 13% të grave të punësuara. Burrat priren të jenë më shpesh të zënë në aktivitete që kërkojnë punë fizike, siç janë profesionet manuale të pakualifikuara (30%) dhe bujqësia (16%). Por shitjet dhe shërbimet gjithashtu zënë një pjesë të konsiderueshme të punësimit të tyre me (18%). Gratë në qytet kanë më shumë gjasa të punojnë në punë profesionale, teknike dhe menaxheriale dhe në punë manuale të kualifikuar (31% dhe 22% respektivisht), ndërsa meshkujt kanë më shumë gjasa të angazhohen në punë të kualifikuar (30%). Në mesin e grave me një universitet ose arsim pasuniversitar, 61% e tyre punojnë në profesion. Një model i ngjashëm është vërejtur me burrat, ku 45% e atyre me një universitet ose punojnë në profesionin e tyre.