Largimi i kompanive të mëdha-Alarm për sigurinë në vend

593
Sigal

Viti 2018, e pa Shqipërinë t’i largoheshin një sërë biznesesh e kompanish të fuqishme të cilën vendosën të përfundonin aktivitetin e tyre në vendin tonë. Arsyet e këtyre “eksodeve” erdhën si pasojë e një sërë problematikash që janë të pranishme në klimën e biznesit tek ne si: korrupsioni, taksat e larta, keqfunksionimi i institucioneve shtetërore, apo dhe moskorrektësia nga ana e qeverisë në raport me kompanitë e fuqishme. Shifrat e publikuara nga firma ligjore CMS për tregun e shitblerjeve sjellin një këmbanë alarmi për pasigurinë e klimës së biznesit në Shqipëri. Në fakt sipas raportit më të fundit të CMS të botuar në bashkëpunim me agjencinë e hulumtimit të tregut EMIS, Shqipëria është vendi i parë në Evropën Juglindore për sa i përket transaksioneve të shit-blerjes gjatë vitit 2018. Sipas raportit, Tregu i shitjeve dhe blerjeve, në vendin tonë, u rrit katërfish në aspektin e volumit të marrëveshjeve. Raporti ofron statistika të marrëveshjeve nga 15 tregje në zhvillim – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Hungaria, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Rusia, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Turqia dhe Ukraina.

Kompanitë më të fuqishme që u larguan nga Shqipëria në vitin 2018

Në Shqipëri, numërohen 20 marrëveshje gjatë 2018, nga ku: 5 janë nga fusha e financës dhe sigurimeve, 3 pasuri e paluajtshme dhe ndërtim, 3 në shitje me pakicë, 2 në edukim, 2 në energji, 2 në sektorin e prodhimit, 1 në media, 1 në minierë, 1 në shërbim. Sipas specifikimeve të raportit, 5 marrëveshjet kryesore të 2018 në Shqipëri ishin: shitja e Societe Generale Albania, shitja e Tirana Bank, shitja e spitalit Hygeia, shitja e NBG Bank Albania, si dhe shitja e Universitetit Neë York Tirana.

Situata në Rajon dhe Botë

Serbia renditet e dyta me një rritje prej 40% në aktivitetin e marrëveshjes, sipas Raportit të Blerjeve e Shitjeve të Europës 2018/19. Vlera e marrëveshjeve të rajonit sheh një rritje prej 12.5% në vit, duke arritur në total 80.5 miliardë euro në vitin 2018. Vëllimi i marrëveshjes, megjithatë, mbeti i paqëndrueshëm me një rënie prej 0.9% nga 2017. Telekomunikacioni dhe Teknologjia e Informacionit ishin sektorët me vlerën më të lartë të marrëveshjeve së përgjithshme, duke arritur në 18.18 miliardë euro, ndërsa pasuria e patundshme mbetet sektori më aktiv me 432 marrëveshje, me 10.8% më shumë se 2017, sipas raportit. Investitori më i madh në botë sipas volumit ishte SHBA (89 marrëveshje), ndërsa Britania e Madhe është investitori më i madh në aspektin e vlerës (9.77 miliardë euro). Rusia ishte investitori më aktiv brenda rajonit, për sa i përket vlerës dhe numrit të marrëveshjeve.

Përfundimet kryesore të raportit:

– Vlera e marrëveshjeve në shtetet në zhvillim të Europës sheh një rritje vjetore prej 12.5% në vit, duke arritur në total 80.5 miliardë euro në vitin 2018

– Vëllimi i marrëveshjeve mbeti praktikisht i pandryshuar, me një rënie prej 0.9% nga 2017

– Rritja më e lartë në veprimtarinë e marrëveshjeve u dëshmua në Shqipëri – deri 300% në volumin e marrëveshjeve – pasuar nga Serbia, e cila pa një rritje prej 40% në aktivitetin e marrëveshjes

– Rusia ishte vendi me numrin më të madh të marrëveshjeve (605) pasuar nga Polonia (323)