Anketa: Punëtorë shqiptarë në marrëdhënie të tensionuara me shefat

623
Sigal

Komisioni Evropian ka hartuar një Anketë të Cilësisë së Jetës, në lidhje me marrëdhëniet në ambientet e punës mes drejtuesve dhe punonjësve. Sipas anketës së KE, rreth 51% e shqiptarëve të pyetur janë përgjigjur se i vlerësojnë marrëdhëniet epror-vartës si shumë të tensionuara, rreth 34% i vlerësojnë disi të tensionuara dhe vetëm 16% janë shprehur se midis tyre nuk ka tension. Ndërsa të ndarë sipas grup–moshave, të rinjtë janë shprehur në përqindje më të lartë se marrëdhëniet midis eprorit dhe vartësit janë shumë të tensionuar, rreth 55% e moshës 18-24 vjeç. Ndërsa për grup–moshat e tjera përqindja ka qenë më e ulët. Po ashtu, edhe individët me të ardhura të ulëta, të cilët i përkasin grupit të parë të të ardhurave, janë përgjigjur në përqindje më të lartë se marrëdhëniet epror-vartës janë shumë të tensionuar.  Shqiptarët i kanë vlerësuar marrëdhëniet epror-vartës si më të tensionuarat në të gjithë Evropën. Në vendet e Bashkimit Evropian përqindja e të pyeturve që i kanë vlerësuar marrëdhëniet midis të punësuarve dhe shefave të tensionuara është 24%, më pak se gjysma e të pyeturve në Shqipëri. Ndërsa 59% i kanë vlerësuar si disi të tensionuara, raporton Monitor. Në vendet e rajonit vërehet se përqindja e njerëzve që i vlerësojnë marrëdhëniet punëmarrës dhe punëdhënës si të tensionuara është relativisht e lartë, duke tejkaluar edhe mesataren Evropiane. Pas Shqipërisë vendi me përqindjen më të lartë është Maqedonia me 47% dhe Serbia me 43%. Ndërsa më e ulët vlerësohet se është në Malin e Zi dhe Turqi me përkatësisht 30% e të anketuarve që kanë thënë se marrëdhëniet drejtues-punonjës janë të tensionuara. Në Evropë përqindjen më të ulët të anketuarve që i kanë vlerësuar marrëdhëniet si të tensionuara e ka Danimarka, me vetëm 4% të të pyeturve.