Michael Granoff: Grabitja në Rinas, është e qartë që përgjegjësia bie mbi…

801
Sigal

Michael Granoff, kreu i Bordit të Fondacionit Shqiparo-Amerikan flet edhe për çështjen e sigurisë të aeroportit të vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë, Nënë Tereza, që ka përfunduar në kronikën e zezë me grabitjen që ka sjellë si pasojë vrasjen e një prej autorëve të dyshuar.

“Siguria e aeroportit lidhet me sigurinë kombëtare të vendit, dhe është e domosdoshme që aeroporti të funksionojë në një mjedis të sigurt. Kur ne ishim operatorë, sa herë që pikasnim një diçka, duhet të njoftonim menjëherë autoritetet”.

Ai flet edhe për rastin e vjedhjes së 2016-ës, kur Fondazioni ishte ende bashkë aksioner.

“Kur ndodhi vjedhja, ne kontaktuam autoritetet në një minutë. Më pas kapja e autoreve shkon te qeveria. Është shumë e qartë se ku ndodhen përgjegjësitë”.

Dhe shton. “Në mënyrë që këto gjera të mos ndodhin, të gjithë aktorët duhet të sigurohen se dinë çfarë duhet të bëhet. Ka patur një problem në sistem dhe nuk duhet të ketë, është e thjeshtë”.

Michael Granoff është ndoshta amerikani që më shumë se gjithë të tjerët ka vizituar Shqipërinë.

“Vij këtu dy herë në vit. Prej 25 vitesh”, thotë ai.

Në agjendë, në këto takime, ka patur gjithmonë ngritjen e infrastrukturës dhe ekonomisë së saj. “një herë vij vetëm, ku takoj njerëz që kanë të bëjnë me projektet tona,  si për shembull me qeverinë, një herë bej një takim me bordin për të diskutuar vendimet që duhet të marrim për të çuar përpara punët e fondacionit.

Takime që Granoff ka respektuar gjithmonë, edhe në vite të errëta të transicionit, edhe pse ai është drejtor ekzekutiv i një fondi miliarder si Pomona Capital, me zyra nga Nju Jorku në Hong Kong. Por për shqiptarët, ai njihet si kryetari i bordit të Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim.

Si biznesmen i rangut ndërkombëtar, si e sheh ai ekonominë botërore?

“Polarizimi dhe mungesa  e besimit që po vërejnë njerëzit në Amerikë dhe Shqipëri janë pjesë e një prirje botërore. Këto prirje janë shqetësuese. Personat në qeveri, biznes por dhe gjithë të tjerët duhet të kuptojnë se çfarë shoqërie dëshirojmë, dhe të veprojmë”. Dhe citon rastin e ekonomisë më të fortë në botë, ajo e vendlindjes së tij.

“Problematikat në Amerikë janë të thella por jo të pazgjidhshme”, thotë ai, duke shtuar se ekonomia amerikane po shkon drejt një rritje të qëndrueshme.  Meritë e politikave të Trump? Këtu mban këmbët në tokë.  “Në ekonominë amerikane, presidenti nuk ka ndikimin që disa mendojnë. Ai përfiton  kur gjërat shkojnë mirë, dhe nuk ka meritë, dhe fajësohet kur gjerat nuk ecin mirë,  dhe nuk e meriton këtë fajësim. E vërteta është që pas krizës financiare botërore Amerika ka qenë në një rrugëtim rritjeje të gjatë, dhe pasi presidenti Trump mori postin e tij ato kishin filluar”.

Kjo, për të është pjesa  e prekshme. E paprekshmja është se “kur ndihesh mirë për ekonominë, siç po ndihen tani në SHBA, fillon e shpenzon më shumë. Kur je pesimist, edhe pse ekonomia është e njëjtë, tërhiqesh. Janë ciklet ekonomike”.

Po rasti i Shqipërisë së vogël, atëherë? “Duhet së pari të shihet konteksti rajonal. Ekonomia në këtë zonë po rritet me ritme të qëndrueshme, edhe pse më pak se në vendet e BE. Shqipëria është pjesë e këtyre dinamikave. Ekonomia po ecën, në përmasa më të pakta, por kjo rritje ka dinamika më të ulta, dhe mundësitë e vendit për të përmbushur nevojat e njerëzve nuk janë të plota”.

Politika, në Shqipëri, ndoshta ndikon në ekonomi më shumë sesa në Shtetet e Bashkuara. “Nuk jam ekspert i politikës shqiptare, por gjatë këtyre 4 ditëve kam takuar kryeministrin, zotin Basha, zotin Berisha dhe të tjerë dhe kam një ide se çfarë mendojnë”, thotë Granoff, që shton se “ nuk mund të ndajmë ekonominë nga politika në këtë rast, në fakt ekonomia po ecën më mirë se situata politike”.

Granoff është i bindur se edhe në këtë rast perceptimi ka shumë të bëj, “sepse njerëzit që duan të investojnë këtu do të bindeshin më shumë nga një klimë optimiste”.

Pra situata politike ndikon. “Përmasat nuk i dimë, por nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhje për kohë të gjatë, jo vetëm do shohim ndikimin në ekonomi, por do ta masim atë”. /A2cnn/