SHISH dhe Antiterrori në alarm/ Mafiozë arabë dhe trafikantë po fshihen nën petkun e bizmenmenëve. Institucionet nisin hetimet

665
Sigal

SHISH dhe Antiterrori në alarm, nisin hetimet për trafikun ndërkombëtar

Provat që u publikuan mbrëmë në Top Story për një rrjet të mirëorganizuar trafikantësh nuk ishin një, apo dy. Nuk kishte të bënte me një rast, apo një person. Por me një rrjet të tërë që vepronte si një mafia e vërtetë, që nis nga Egjipti, apo vendet e tjera të Ligës Arabe.

Fill pas atyre që dolën mbrëmë në pah me zë dhe figurë në Top Story, strukturat hetimore të shtetit shqiptar janë vënë në alarm. Agjentët e Antiterrorit, ata të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe një prokuror i SPAK janë vënë në alarm dhe prej mëngjesit kanë nisur punën hetimore.

Përmes një shkrese të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, e cila është dorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës udhërohet nisja e hetimeve në rrugë operative për trafikantët arabë që veprojnë në Shqipëri, kryesisht në kryeqytet.

Në urdhëresën e firmosur nga Ardi Veliu kërkohet të kontaktohen edhe struktura të tjerë të shtetit shqiptar, si QKB, Inspektoriati i Punës, apo edhe Tatimet.

“Po, kemi nisur hetimet intensive. Faktet ishin një provë se mafiozët arabë që shtiren si biznesmenë kanë rrjetin e tyre të trafikut dhe po hetojmë të gjitha rastet, duke filluar që nga kokat e trafikut që u shfaqën me dëshmi në emisionin Top Story, por edhe për të hetuar sesi kanë mbërritur në Shqipëri” – tha për Gazetën Shqip, një nga shefat e njësisë së Antiterrorit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, që ka marrë tashmë drejtimin e hetimeve.

Pavarësisht kohës kur ka nisur trafiku i arabëve në Shqipëri, hetuesit e kontaktuar thonë se hetimi nuk do të shtrihet për shumë vite, por do të ketë për referencë vitin 2019, duke u bazuar edhe në të dhënat e shfaqur në dokumentarin Top Story.

“Do të përdorim agjentë të infiltruar, për të pasur edhe më shumë prova se ato që kanë bërë publike në Top Story” – tha një inspektor i SHISH i atashuar pranë njësisë antiterror të Policisë, që do të hetojnë mafian arabe që trafikon klandestinë.

Ndërkohë, një tjetër sinjal për hetime intensive është dërguar edhe në Itali. Duke qenë se Policia shqiptare ka një marrëveshje bashkëpunimi për hetime të përbashkëta me Italinë është kërkuar të ketë informacion edhe nga përtej Adriatikut.

Sa gomone janë identifikuar në Itali? Sa persona janë identifikuar si klandestinë ilegalë? Sa prej tyre janë prezantuar me leje qëndrimi të shtetit shqiptar? Këto janë disa prej pyetje që presin një përgjigje italiane, dhe mbi të cilat pala shqiptare do të hedh dritë për rrjetin e gjerë të trafikut ndërkombëtar.

Por, më shumë se një rrjet trafikantësh, problemi qëndron tek elementët terroristë. “Nuk e mohojmë, por nuk mund të pranojmë pa hetuar, dhe pa provuar, nëse elementë terroristë kanë prekur tokën shqiptare. Ne kemi një listë të zezë të personave të ISIS dhe është kërkuar në vijimësi që të ketë një rritje të vigjilencës për këta persona” – tha shefi një nga inspektorët e njësisë së Antiterrorit në Policinë e Tiranës, i kontaktuar në telefon nga Gazeta Shqip.

Ndërsa Shërbimi Informativ Shtetëror, referuar pamjeve dhe fakteve në Top Story sqaron se “Terrorizmi është një kërcënim global dhe lufta ndaj tij është përparësi shumë e rëndësishme për SHISH-in. Ne vlerësojmë se ISIS/DAESH, Al-Kaeda dhe degët apo grupimet e lidhura me to janë mes grupeve terroriste që paraqesin kërcënim potencial për vendin tonë, rajonin e më gjerë.

SHISH-i bashkëpunon ngushtë me institucionet shtetërore, agjencitë ligjzbatuese dhe shërbimet partnere, në kuadër të monitorimit dhe parandalimit të veprimtarive terroriste brenda dhe jashtë vendit. SHISH-i është I fokusuar edhe në monitorimin e përpjekjeve për indoktrinim, radikalizim e rekrutim të shtetasve shqiptarë në këto organizata.

Sipas SHISH, vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor u përdorën, në fillimet e konfliktit në Siri, si rajone për rekrutime, çka solli një numër të lartë Luftëtarëve të Huaj Terroristë (LHT) nga rajoni. ISIS/DAESH dhe Al-Kaeda e kanë shënjestruar në vijimësi rajonin nëpërmjet propagandës, thirrjeve e nxitjeve për akte terroriste.

Niveli i kërcënimit për akte terroriste në rajon vijon të vlerësohet i ulët, por me prirje në rritje, sidomos në prag të ngjarjeve simbolike. Deri tani, në rajon nuk ka pasur akte terroriste të bashkërenduara me pasojë viktima, por nuk kanë munguar nxitjet, organizimet për të tilla, të cilat kanë gjetur terren të përshtatshëm në individë të radikalizuar, të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjeve të tyre.

Vetë SHISH konfirmon se pas atyre që u shfaqën në Top Story nuk është çudi që udhëtimet e Luftëtarëve të Huaj Terroristë nga Shqipëria drejt organizatave terroriste të jenë shtuar.

Por, ajo që vë në dukje SHISH lidhet me vështirësitë në identifikimin e tyre, të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara apo nga mundësimi i kalimeve të jashtëligjshme nga rrjete e individë të përfshirë në trafikun njerëzor.

Për këtë SHISH thotë se po punon me Policinë për të zbardhur rrjetin, apo kokat e rrjetit mafioz të trafikut të arabëve, që përdorin Shqipërinë si vend tranzit.