Raporti i KLSH/ 36 milionë euro dëme vetëm në 6 muaj e parë të 2020

475
Sigal

Kjo kosto vjen si efekt i abuzimit me shpenzimet ose mosrespektimit korrekt të ligjit. Për shkeljet e konstatuara KLSH ka bërë 10 kallëzime dhe indicie penale.

36 milionë euro dëm në buxhetin e shtetit ka konstatuar Kontrolli i lartë i Shtetit pas auditivit të 34 subjekteve. Shkeljet më të mëdha me efekte të konsiderueshme në buxhetin e shtetit lidhen me administrimin e të ardhurave: menaxhimin jo të kujdesshëm në procesin e përdorimit të fondeve publike; keq administrimin e pronës shtetërore ndjekur nga paligjshmëritë procedurale dhe ineficencat në realizimin e procedurave të prokurimit publik, si dhe shkeljet në zbatimin e legjislacionit fiskal.

Raporti i KLSH konstaton se vetëm parregullsitë dhe shkeljet financiare në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera kanë shkaktuar një dëm prej 17.5 milionë euro.

‘Indikatori i dobisë së auditimit është afërsisht 9,8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve, si dhe shkelje të disiplinës buxhetore lidhur me likujdimin e shpenzimeve, keqmenaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor’, thuhet në raportin e KLSH-së.

I njëjti raport konstaton shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale 18.3 milionë.

‘Janë afërsisht 8,5 milionë Euro në fushën e të ardhurave dhe 9,8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve, si dhe shkelje të disiplinës buxhetore lidhur me likuidimin e shpenzimeve, keqmenaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor’, nënvizon raporti i KLSH-së.

Shkeljet më të mëdha janë konstatuar në pjesën e tatim-taksave në vlerën mbi 1 miliardë lekë ndërsa në Dogana ky dëm është mbi 453 milionë lekë. Sa u takon shpenzimeve dëmi më i madh është konstatuar tek investimet me mbi 336 milionë lekë ndërsa në vend të dytë janë shpenzimet për paga, shpërblime dhe sigurime.

KLSH nga auditimet e realizuara për periudhën Janar – Qershor 2020 i ka përcjellë prokurorisë 10 kallëzime dhe indicie penale.