Qeveria fundos bizneset, nga 1 korriku edhe 1200 euro shtesë për kasat dhe punësimin e IT-ve

128
Sigal

Ja kostot në që bien në kurriz të biznesit të vogël për lëshimin e faturave. Si kasat aktuale do të dalin jashtë loje se do të futen sisteme të reja

Rama fundos bizneset, nga 1 korriku 1200 euroshtesë për kasa dhe IT

Biznesi do ta paguajë shtrenjtë fiskalizimin, të vegjëlve do t’u kushtojë më shumë se taksa

Biznesi i vogël edhe i mesëm e ka të pamundur që ta operojë këtë sistem. Kasat që kemi do dalin jashtë loje se do të futen sisteme të reja

Kryeministri Rama u shpreh se i duhet dhe një mandat i tretë për të përmbyllur një proces të suksesshëm siç është fiskalizimi, që sipas tij do rrisë të ardhurat tatimore. Por koston e këtij procesi me sa duket do duhet ta paguajnë bizneset në të gjitha nivelet. Që nga kasat e reja, softueret, tabletat dhe mirëmbajtja që shkojnë deri në 1200 euro shtesë për t’u përshtatur me sistemin e ri. Nga ana tjetër, procedura e koklavitur me gjashtë hapa kërkon dhe shtimin e një punëtori enkas për të lëshuar faturat.

Në fokus të konferencës së djeshme me gazetarët Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Financave Anila Denaj, do kishin procesin e fiskalizimit. Rama tha se i duhet dhe një mandat i tretë pikërisht për të realizuar këtë program, i cili sipas tij do të shtojë të ardhurat në buxhetin e shtetit. Kryeministri tha se do jetë një shtet i tërë i cili operon përmes celularit, dhe do kontrollojë çdo transaksion në kohë reale, në lidhje me marrëdhëniet biznes-shtet, biznes-biznes dhe biznes-konsumator. Kryeministri tha se deri më tani janë më shumë se 500 biznese, që kanë kryesisht marrëdhënie me shtetin që kanë adaptuar këtë sistem.

Kostot

Por ajo që nuk tha kryeministri për suksesin e tij të radhës në lidhje me këtë proces janë kostot me të cilat duhet të përballet biznesi për këtë shpikje të re të qeverisë, e cila me sa duket po shfaq paaftësi në lidhje me mbledhjen e të ardhurave. Kostoja që çdo biznes do të ketë në këtë proces pritet të shkojë në 1200 euro, dhe do ta rëndojë jo pak gjendjen ekonomike të tyre. Nga ana tjetër, për lëshimin e faturave një biznesi sipas specialistëve bizneseve, do i duhet të punësojë një operator shtesë, pasi për lëshimin e faturës fiskale operohet me gjashtë hapa, çka do të thotë një rrogë më vete për të kryer punën e qeverisë. Deri më tani në sistem janë futur vetëm bizneset që operojnë me tenderat shtetërorë por më pas, pas datës 1 korrik në sistem do i duhet të futen të gjitha bizneset e mesme apo të vogla. Deri më 1 shtator ky proces sipas ligjit duhet të ketë përfunduar.

Biznesi

Biznesi i vogël deklaron se e ka të pamundur të mbajë koston financiare të këtij procesi. Nënkryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël Bujar Muço, në një prononcim të datës 13 janar 2021 do shprehej se është e pamundur të përballohet një kosto e tillë, pas një viti të vështirë që kaluam gjatë pandemisë. “Shkon nga 1200 deri në 2 mijë euro. Është një kosto shumë e lartë për t’u përballuar nga biznesi i vogël dhe i mesëm, pas një viti të vështirë që kaluam. Ky është një sistem shumë i ndërlikuar dhe i sofistikuar. Biznesi i vogël edhe i mesëm e ka të pamundur që ta operojë këtë sistem. Kasat që kemi do dalin jashtë loje se do të futen sisteme të reja. Ne jemi dakord me shtetin, le ta modernizojë çdo gjë, por kostoja për biznesin e vogël dhe të mesëm të jetë zero”, -thotë Muço. Një iniciativë e tillë vjen kur nuk janë mbushur ende gjashtë vjet që nga koha kur Rama udhëhoqi një aksion të gjerë për pajisjen me kasa fiskale të biznesit. Një iniciativë u ndërmor dhe nga qeveria Berisha në vitin 2009, dhe bizneset u pajisën të gjitha me kasa fiskale, por me një përjashtim. Vlera e tyre kompensohej në faturën e pagesës së taksave në fund të vitit. Në atë mot, Rama detyroi bizneset e vogla kryesisht të blinin kasa me një vlerë prej 360 deri në 400 euro, ndërkohë që kompanitë e mirëmbajtjes marrin deri në 7 mijë lekë në vit, për kolaudimin e tyre.
Kompanitë

Nga ana e Ministrisë së Financave pretendohet se kasat aktuale mund të adaptohen me sistemin e ri. Por specialistët thonë ndryshe. Sipas tyre ky sistem nuk është eficient. Zbrazja e memories aktuale dhe përshtatja e sistemit të ri, kushton diku te 60 mijë lekë të rinj te kompanitë. Blerja e një kase të re për të adaptuar sistemin e ri pritet të kushtojë rreth 400 euro, ose diku te 50 mijë lekë të rinj. Pa harruar se në sistemin e ri është një komponent i ri shtesë, që janë printerat fiskalë me një kosto deri në 200 euro. Përshtatja e sofëere-ve mund të kushtojë deri në 60 mijë lekë sipas kompanive, dhe mirëmbajtja e tyre ka një kosto të shtuar prej 10 mijë lekësh në vit. Nga ana tjetër, operohet me sistemin “cloud” që kërkon shpejtësi të lartë interneti, apo linjë të dedikuar, pra edhe 2 mijë lekë të rinj çdo muaj për internetin. Së fundmi, është dhe detyrimi bankar për të derdhur dhe paratë e arkës çdo ditë, kjo sidomos për bizneset e mëdha. Revista “Monitor”, më datë 11 tetor 2019 me titull “Biznesi do ta paguajë shtrenjtë fiskalizimin, të vegjëlve do t’u kushtojë më shumë se taksat” shkruan se një biznes i ri, do paguajë minimumi 53.200 lekë dhe maksimumi 140 mijë lekë për përshtatjen e sistemit të ri. Pavarësisht asaj çka thotë qeveria dhe Kryeministri, sërish kleçkat që dalin si pasojë e kësaj nisme të qeverisë janë të mëdha, dhe natyrshëm mund të çojë deri në mbyllje biznesesh. Sistemi i ri i fiskalizimit, është as më shumë e as më pak por një shenjë e paaftësisë së qeverisë për të mbledhur detyrimet tatimore të cilat më pas ia faturon biznesit, kryesisht atij që është në rregull me detyrimet ndaj shtetit. Vetëm vitin e kaluar u mbyllën rreth 38 mijë biznese të vogla në mbarë vendin.