Prof. Alqi Naqellari: Zbatimi i ligjit formalizon ekonominë

850
Që Amerika u bë e tillë si është sot, një nga shtetet më të zhvilluara të botës, me ekonomi të lirë tregu dhe demokraci brilante nuk është numri i ligjeve, paketat ligjore që ka, por është zbatimi i tyre. Dhe zbatim ii tyre nuk është bërë thjesht me urdhra drejtorësh, ministrash, senatorësh apo presidentësh por me ligje. Të jesh shtetas amerikan në çdo vend të botës je i mbrojtur nga shteti amerikan, ai përgjigjet për çdo shtetas që punon, jeton brenda apo jashtë SHBA-ve duke marrë masa drastike. 
Po çfarë kërkon të bëjë Edi Rama, në këto kushte, me veprimet që ka ndërmarrë?
Kryeministri jonë ka marrë përsipër të bëjë atë gjë që nuk e ka bërë asnjë kryeministër dhe asnjë qeveri tjetër. Të detyrojë subjektet ekonomike të zbatojnë ligjin. Shkurt në Shqipëri të funksionojë ligji që edhe Shqipëria më në fund të bëhet Shtet,” të bjerrë era shtet” si të gjithë shtetet e tjera Europiane që edhe ne të kemi më në fund të drejtën të krenohemi kur të themi se jemi shqiptarë. Për këtë unë kam besim te Rama sepse ishte i vetmi që shkatërroi Parkun Rinia, shkatërroi të gjitha ndërtimet buzë Lanës. Ishte i vetmi nga Kryetarët e Bashkisë së Tiranës që vendosi ligjin. Aksioni për pagimin e faturave të energjisë elektrike mund të realizohej dhe u realizua nga kjo qeveri, pavarësisht që edhe qeveritë paraardhëse ishin munduar ta realizonin por që kishin dështuar. Fillimisht Edin e quajtën kriminel, qeveri hajdute, hora e gangsterë. Pa pyesni tani se si e ndjejnë veten qytetarët dhe bizneset nga ai aksion. Edhe ata që paguan thonë” bravo i qoftë”, të gjithë të kënaqur sepse të gjithë paguajnë, nuk ka më tani ca të nënës e ca të njerkës. I tillë do jetë edhe ky aksion që ka ndërmarrë. Do ta shajnë, mallkojnë, mënojnë por në fund, kur biznesi të vendoset në kushte të njëjta konkurrence, dhe çdokush ta ndjejë realisht rritjen ekonomike do thonë “bravo i qoftë”, ky i duhej vendit.
Lufta kundër informalitetit a e ndihmon biznesin?
Po, lufta kundër informalitetit e ndihmon biznesin. Të dhënat që publikohen çdo ditë në shtypin e shkruar na japin një situatë ekonomike alarmante. Në Shqipëri evazioni fiskal i ka kaluar 30-40%. Në këtë grup përfshihen biznese që janë të pa regjistruar, biznese që nuk kanë kasë fiskale, biznese që nuk kanë të regjistruar personat në sigurimet shoqërore, biznese që kanë kasë por i kanë jashtë funksionit, biznese që për tri aktivitete kanë të njëjtin NIPT, etj. Këto shifra që i kemi dëgjuar nga organizma jo qeveritarë por edhe vetë nga PS-ja kur ishte në opozitë na dukeshin shumë të ekzagjeruara, por sot që po i shohim të publikuara nga aksioni i hartimit të ”Hartës së Bizneseve” ato duket se janë një realitet. Kjo reflektohet në dyert e QKR-së ku brenda një dite u regjistruan 2500 biznese. Të gjitha këto dhjetëra mijë biznese të paregjistruara kanë vepruar në treg, në aktivitete të ndryshme. Ato kanë pasur në krah të tyre apo aty afër biznese të tjera të rregullta. Këto biznese të rregullta janë dëmtuar prej tyre sepse kanë bërë konkurrencë të pa ndershme duke mos paguar taksat përkatëse. Në këtë mënyrë këto biznese i kanë shkaktuar ekonomisë një sërë pasojash negative.
a) kanë luftuar biznesin e ndershëm duke ulur shitjet e tij, për diferencë çmimi, dhe për pasojë PBB-në (V.SH), 
b) duke ulur të ardhurat e tij kanë ulur edhe të ardhurat e tatueshme duke ulur vetë të ardhurat nga taksat. Në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti fiskal.
c) aktiviteti i tyre nuk është reflektuar në asnjë vend, për pasojë nuk është përfshirë (aq sa duhet për V.SH) në PBB,
d) nuk kanë paguar taksa, për pasojë kanë ulur të ardhurat në buxhet duke ndikuar negativisht në rritjen ekonomike.
e) kanë bërë konkurrencë të pandershme duke ju bërë presion bizneseve kundërshtare nëpërmjet çmimeve më të ulëta.
Duke u formalizuar do rriten të ardhurat, do vlerësohet realisht PBB-a si dhe do rriten të ardhurat nga taksat. Në përgjithësi do rritet konkurrenca midis firmave të njëjta për mallra me cilësi më të lartë dhe me çmime më të ulta. Në këtë mënyrë formalizimi i bizneseve kthehet në një të mirë publike.

Çfarë do sjellë pajisja me kasa dhe a do ketë biznese që do mbyllen?
Vendosja e kasave fiskale nuk ka filluar sot por ka nisur që në vitet 2007-2008, periudhë kohe kur u miratuan ligjet dhe vendimet përkatëse nga parlamenti dhe qeveria. Këtë e nisi qeveria e partisë demokratike por që nuk mundi ta realizojë me sukses, thjeshtë ajo dështoi në këtë aksion vendimtar për formalizimin e biznesit. U montuan rreth 10-11 mijë të tilla. Tentativa për vendosjen e kasave fiskale solli një reagim të madh nga biznesi, një kundërshtim që u shoqërua me mbylljen e lokaleve dhe me daljen në rrugë. Pasi qeveria këmbënguli në politikën e saj për formalizimin e biznesit problem nuk qe më vendosja apo jo e kasave por kaloi në pagesën vjetore për mirëmbajtjen e tyre.

Problemi i dytë u kthye në problemin kryesor sepse bëheshin dy pagesa në vit me kosto 9400 lekë. Në fakt bëheshin dy pagesa që shkonin 11600 lekë në vit. Në VKM-në e 5 shtatorit të 2012 u vendos 1 pagesë me 4000 lekë. Tregtarët e kasave në këtë periudhë shtuan dhe një pagesë tjetër prej 3000 lekë për mirëmbajtjen e kartës SIM. Ndërsa në vijim ata paguhen për kolaudim, transmetim dhe mirëmbajtje duke e rritur akoma koston deri në 10000 lekë. Vendosja e kasave nuk u shoqërua sipas hartave të biznesit por u la në mënyrë fakultative duke bërë kontrolle në pjesë të caktuara të territorit. Në këtë mënyrë pjesa më e madhe e tregtarëve punonin pa kasa fiskale dhe më shumë se gjysma e atyre që ishin pajisur me kasë fiskale nuk e përdornin atë. Pra informaliteti edhe me vendosjen e kasës fiskale qe në nivele të frikshme. Po kush duhej të pajisej me kasë fiskale? Sipas pikës 1, të VKM Nr.781, datë 14.11.2007:”Tatimpaguesit, të cilët shesin mallra, prodhime apo kryejnë furnizime të shërbimeve në lokale apo njësi të hapura për publikun , për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, janë të detyruar të përdorin pajisje fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe të lëshojnë në mënyrë të detyrueshme , kuponin tatimor”. Sipas Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008,”Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, neneve 54, 55, 56, sqarohet detyrimi dhe kushtet në të cilat tatimpaguesit i përdorin pajisjet fiskale. Në nenin 55, pika 1 thuhet. “Tatimpaguesit, që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, janë të detyruar të fusin dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin në mënyrë të detyrueshme, të kuponit tatimor”.
Këtu shpreh mendimin tim se Kasat Fiskale duhet të jenë Monopoli i Qeverisë dhe jo të tregtohen nga tregtarë të zakonshëm, sepse më shumë do kushtojë kasa sesa do kushtojë pagesa e tatimeve. Tregtarët gjithmonë do gjejnë arsye për të rritur kostot.
A duhet të përdorin pajisje fiskale subjektet tatimpaguese të cilat ushtrojnë aktivitetin e shitjeve të produkteve në tregjet e hapura të lagjeve apo ata që shesin mallra nëpër shtëpia?
Për këtë do të jap një përgjigje të vetë sistemit. PO. Këto subjekte shesin për publikun e gjerë duke i ofruar shitjet e tyre në tregjet e lagjeve apo shtëpi më shtëpi. Ato duhet të pajisen dhe të përdorin pajisje fiskale të lëvizshme dhe të presin kuponin tatimor për çdo shitje të realizuar. Mallrat nga magazina dalin me një faturë tatimore shoqëruese me çmimet e magazinës, me shënimin për shitjet shtëpi më shtëpi, me sasi dhe çmim të mallrave në magazinë dhe pjesa e pa shitur e tyre kthehet në magazinë për tu bërë hyrje po me çmimet e daljes (magazinë) të shoqëruar gjatë rrugës edhe me kopjet e kuponave të shitjeve të realizuara të cilat shërbejnë për efekt kontrolli gjatë rrugës nga organet e kontrollit. Duke pasur aparatin e kasës fiskale me vete mund të shesësh kudo, mjafton të ketë një burim energjie.
Po vetë populli çfarë fitimi ka në ndryshim me biznesin?
Në një ekonomi tregu të lirë katër janë shtyllat që ajo mbështetet, politikat monetare, fiskale, tregtare dhe politikat e konkurencës. Konkurrenca presupozon një situatë në një treg në të cilën shitësit e një produkti apo shërbimi përpiqen në mënyrë të pavarur të tërheqin blerës për të arritur një objektiv të caktuar tregtar, për shembull, fitime, shitje dhe/ose pjesë të tregut. Rivaliteti konkurrues midis firmave mund të ekzistojë në terma të çmimeve, cilësisë, shërbimit, ose një kombinim i tyre dhe faktorëve të tjerë që mund të vlerësojnë klientët. Evazioni fiskal ndikon drejtpërsëdrejti në çmime.
Populli është tërësisht i lidhur me biznesin, kështu nëse fiton biznesi ka fituar edhe populli. 

A është momenti për një nismë të tillë në Shqipëri?
Aksioni i vendosjes së kasave fiskale ka filluar që në 2007-2008. Për gjykimin tim duhej të kishte filluar që në vitin 1996. Sot është vitit 2015 dhe akoma biznesi nuk është paisur plotësisht me aparate të tillë. Po citoj një paragraf nga një prononcim i përfaqësuesit të Konfindustrisë në 2010.“Konfindustria, duke patur parasysh afatin e fundit të 31 dhjetorit 2010, për pajisjen me kasa fiskale të gjithë bizneseve në hapësirën gjeografike të vendit përfshi edhe të ashtuquajturin “biznes i vogël”, kërkon nga ekzekutivi shqiptar, që të zbatoj me çdo kusht dhe pa ngurrim detyrimin ligjor të mësipërm si një nga kushtet e domosdoshme për formalizimin e ekonomisë në tërësi. Njëkohësisht Konfindustria fton gjithë vendimarrjen politike të vendit pa dallim ngjyrash partiake të mbështesë pajisjen e plotë me kasa fiskale të bizneseve si kusht strategjik për normalizimin e ekonomisë kombëtare. Çdo shtyrje e mëtejshme në kohë e pajisjes me kasa fiskale është me pasoja të pallogaritshme të dëmshme për biznesin e ndershëm, konkurueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë kombëtare në tërësi si dhe goditje e pastër në afatgjatë në fuqinë e zbatimit të ligjit. Shqipëria nuk mund të veprojë ndryshe nga vendet e tjera të Bashkimit Europian. Konfindustria vlerëson, se pikërisht në hallkën e ndërprerë të pikës se lidhjes ligjore të tregtisë me pakice/biznes i vogël me konsumatorët fundore/qytetarët, ndodhin të gjitha rrjedhjet e shmangies financiare si edhe lindin trysnitë nga poshtë-sipër për prodhimin e shmangies fiskale në të gjithë procesin tregtar në Shqipëri. Vlerësohet se shmangia fiskale në Shqipëri, ende e kalon masën e papranueshme prej mbi 50% të PBB dhe ka pasoja shkatërruese sidomos për industritë prodhuese të rregullta të vendit, shkatërrimin e konkurrencës me pasoja të drejtpërdrejta në rrënimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë në përgjithësi”. 
Nuk është momenti i duhur, momenti i duhur ka kaluar, kasat fiskale duhesh të ishin montuar që para 20 vitesh. Mungesa e kasave fiskale bën që PBB-ja në Shqipëri të mos jetë e saktë, të ketë shifra të turpshme, gënjeshtra dhe mashtrime për të ruajtur normën e borxhit fiskal ndaj PBB-së. Qeveria aktuale ka trashëguar një sistem të tillë dhe po mundohet që ta shpërbëjë. Nëse do vazhdohet të punohet kështu do arrihet. Është absolutisht e papranueshme që INSTAT të deklarojë se në Shqipëri prodhohen 280 mijë ton grurë dhe 320 mijë ton misër. Këto janë shifrat më skandaloze që unë kam dëgjuar ndonjëherë, prandaj vendosja e kasave fiskale do bëjë që këto çudira shqiptare të ndalen njëherë e mirë. Shkoni nga Shkodra dhe deri në Sarandë dhe më gjeni një koçek misri, sepse misri mbahet në koçekë dhe jo në depo si gruri, misri mbahet në kalli dhe jo në kokërr. Për 320 mijë ton do duheshin me kilometra të tëra koçekë në një kohë që unë nuk kam parë ndonjë prej tyre. Në Shqipëri prodhohet apo nuk prodhohet 1 mijë ton. Misri do pleh, misri do ujë. Para viteve 90 në Lushnje zbrisnin të gjithë studentët e universiteteve dhe gjimnazet për ta vjelë dhe mezi arrinin, po sot kush na qënkan këta që na vjelkan 320 mijë tonë misër. Me këto shifra po të ishim në një vend tjetër këta të INSTAT-it, apo ata agronomët e qarqeve e rretheve, do ishin të gjithë në burg për mashtrim publik. Sa për grurin shifrat janë edhe më qesharake. Mesatarja e rendimentit kalon 40/kv për hektar. Si mund të arrihet një rezultat i tillë kur nuk ka plehra kimikë, organikë, insekticide e pesticide. Nëse kjo do ishte shifër e vërtetë ne do ishim vend eksportues gruri dhe misri. Nëse këto shifra do ishin të vërteta pse duhej të importojmë në 1 vit 270 mijë ton grurë. Sipas këtyre të dhënave në Shqipëri konsumohet 550 mijë ton grurë. Shifrat që unë shkruaj janë e zezë mbi të bardhë, i gjeni në të dhënat e Raporteve Statistikore të Bankës së Shqipërisë dhe në adresën e INSTAT, i gjeni për bukuri edhe në materialet e Ministrisë së Bujqësisë. Kjo shifër do të thotë që çdo shqiptar, pavarësisht nga mosha që ka konsumon në vit 196.4 kg grurë ose 538 gram grurë në ditë, ose 807 gram bukë në ditë. Norma para 90 ka qenë 182 kg kur nuk kishim këto produkte që kemi sot por kishim makarona dhe oriz, lakra dhe presh. Nuk do vazhdoj më me këtë problem sepse meriton një trajtim më vete. Sa për të mbyllur lokalet apo bizneset pavarësisht nga thirrjet e mekura të ndonjë dështaku “ulni qepenat”, qepenat nuk do ulen por do rritet numri i atyre që do ti çelin. Ka ikur koha e qeverisjes si në mall të shqiptarëve. Shqipëria do bëhet.
Sigal