Prodhimi i perimeve dhe frutave u rrit 3-4% më 2021, ulliri me rënie

166
Sigal

Volumet e prodhimit të frutave dhe Perimeve u rriten me 3-4% më 2021 raportoi sot INSTAT.

Në vitin 2021, prodhimi i perimeve është 1.338.218 tonë, duke shënuar rritje vjetore me 3,28%, krahasuar me vitin 2020. Niveli më i lartë i prodhimit të perimeve është në qarqet Fier me 541.792 tonë, Tiranë me 133.579 tonë dhe Berat me 131.830 tonë.

Prodhimi i drithërave në vitin 2021 është 691.353 tonë, duke shënuar rritje me 1,04%, në krahasim me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të drithërave u arrit në qarkun e Fierit me 168.385 tonë, pasuar nga qarqet Elbasan me 98.249 tonë dhe Korçë me 85.094 tonë.

Në vitin 2021, prodhimi i patates është 258.862 tonë, duke u u rritur me 1,56%, në krahasim me vitin 2020. Qarqet që kanë nivelin më të lartë të prodhimit të patates në vend janë, Korça me 63.418 tonë, Fieri me 44.636 tonë dhe Elbasani me 29.986 tonë. Krahasuar me një vit më parë ulje ka shënuar prodhimi i fasules me 12,98%.

Perimet e njoma përfaqësojnë 66,48% të perimeve gjithsej ndjekur nga bostanoret me 24,03% dhe perimet e thata me 9,48%.

Në vitin 2021, u prodhuan 889.693 tonë perime të njoma duke shënuar rritje prej 1,69%, gjithashtu prodhimi i bostanoreve dhe perimeve të thata kanë shënuar një rritje respektivisht me 7,60% dhe 4,11%, krahasuar me vitin 2020. Në grupin e perimeve të njoma, kulturat përfaqësuese, janë domatja me 35,35%, kastraveci 13,28% dhe speci 11,17%. Në grupin e perimeve të thata, qepa e thatë përfaqëson 85,32% ndaj prodhimit gjithsej, ndërsa në grupin e bostanoreve shalqiri përfaqëson 84,25% të prodhimit të këtij grup

Prodhimi i perimeve në serra përfaqëson 21,67% të prodhimit gjithsej të perimeve nga ku 52,00% e këtij prodhimi i përket Qarkut Fier. Në vitin 2021, prodhimi në serra është rritur me 2,64%, krahasuar me një vit më parë ku prodhimi i domates zë 51.9% të prodhimit gjithsej në serra.

Qarku me përqindjen më të lartë të prodhimit të perimeve në serra ndaj prodhimit të perimeve gjithsej është Berati me 64,62% dhe Fieri 27,79%, përqindja më e ulët është shënuar në qarkun Korçe dhe Gjirokastër 0,16% dhe 0,42%.

Prodhimi i pemëve frutore në vitin 2021 është 287.210 tonë duke u rritur me 4,92%, krahasuar me vitin 2020. Niveli më i lartë i prodhimit të pemëve frutore u arrit në qarkun e Korçës me 89.753 tonë pasuar nga qarqet Elbasan me 39.118 tonë dhe Fier me 33.774 tonë. Grupi i pemëve frutore me farë zë 45,43% të prodhimit, peshën kryesore në këtë grup e zë prodhimi i mollëve me 85,25%. Qarku i Korçës zë 66,02% të prodhimit të mollëve gjithsej në vend.

Në grupin e pemëve frutore me bërthamë, peshën më të madhe e zënë prodhimi i kumbullave me 46,33% të prodhimit të këtij grupi, pasuar nga qershitë me 24,80% dhe pjeshkët me 23,18%.

Në grupin e pemëve frutore subtropikale, peshë kryesore zë prodhimi i fiqve me 51,40% pasuar nga shegët me 17,76%. Niveli më i lartë i prodhimit tek pemët frutore arrore është shënuar në Qarkun e Kukësit, peshën kryesore ne kete grup e zënë arrat me 46,37%, pasuar nga gështenjat me 33,96%.

Në vitin 2021, u prodhuan 110.164 tonë ullinj, duke shënuar rënie me 16,52%, krahasuar me një vit më parë.

Niveli më i lartë i prodhimit të ullirit u arrit në qarkun e Fierit me 34.241 tonë pasuar nga qarqet Elbasan me 21.102 tonë dhe Vlorë me 20.298 tonë. Varietet e ullirit për vaj përfaqësojnë 87,60% të prodhimit gjithsej dhe varietetet e ullirit për tavolinë përfaqësojnë 12,40%.

Niveli më i lartë i prodhimit të agrumeve është shënuar në qarkun e Vlorës me 64,41% (32.518 tonë). Prodhimi i agrumeve në vitin 2021 është 50.485 tonë me një rritje prej 2,61%, krahasuar me një vit më parë, ku 65,04% të prodhimit gjithsej të agrumeve e zënë mandarinat. Në 2021, prodhimi i rrushit është 212.011 tonë duke shënuar një rritje me 6,50%, krahasuar me një vit më parë, ky prodhim përfaqësohet nga rrushi i vreshtave me 60,51% dhe rrushi i pjergullave me 39,49%.