Gjykata Supreme në SHBA “trondit” me vendimin e fundit, aborti jo më e drejtë universale. Rrëzohet vendimi 50 vjeçar “Roe v Wade”

158
Sigal

Miliona gra në SHBA do të humbasin të drejtën e abortit, pas vendimit të Gjykatës Supreme për të rrëzuar vendimin 50 vjeçar, që e legalizonte abortin në shkallë vendi duke e bërë atë një të drejtë universale.

Gjykata Supreme vendos të rrëzojë vendimin historik në çështjen Roe v Wade, që në vitin 1973 legalizonte abortin në të gjithë vendin, duke u dhënë grave të drejtë absolute për të abortuar në tremujorin e parë të shtatëzanisë.

Tashmë çdo shtet në SHBA ka të drejtën të vendosë mbi abortin, duke përfshirë edhe ndalim e plotë të tij.

Vendimi i Gjykatës Supreme shihet si një goditje për të drejtat e grave në këtë vend.

Drafti i këtij vendimi rrodhi në media pak muaj më parë, shkaktoi zemëratë dhe nxorri mijëra qytetarë në protesta në shumë shtete të SHBA-ve.

Sipas të dhënave të Planned Parenthood, rreth 36 milionë gra pritet të humbasin të drejtën e abortit.

Roe v Wade dhe Gjykata Supreme sot

Roe v Wade është një vendim i vitti 1973, që i dha grave amerikane të drejtën absolute për të abortuar deri në tremujorin e parë të shtatëzanisë dhe disa të drejta të limituar për të abortuar në tremujorin e dytë.

Aktualisht Gjykata Supreme në SHBA është në shumicë konservatore. Gjashtë nga nëntë gjykatësit aktualë janë caktuar nga presidentë republikanë. Tre prej tyre janë caktuar nga ish Presidenti Donald Trump.

Presidenti Biden ka deklaruar, pas rrjedhjes së draftit muaj më parë në media, se është gati të veprojë, nëse gjyakta do të marrë këtë vendim.

“Unë besoj se e drejta e një gruaje për të zgjedhur është thelbësore. Roe ka qenë ligji ynë për të paktën pesëdhjetë vite, dhe e drejta dhe stabiliteti i ligjit tonë, kërkojnë që ai të mos rrëzohet”, tha Presidenti.