PËRGJIGJA E PLOTË/ FMN kundër amnistisë: Dëmtohet morali tatimor, kartë për dalje nga burgu

882
Sigal

Dy orë pas përfundimit të konferencës për shtyp, misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar u kujdes që mesazhi kryesor i konferencës, ai se FMN është kundër draftit që socialistët pritet të miratojnë në parlament, të përcillej siç duhet. Në një njoftim dërguar mediave, FMN sqaron se e ka shqyrtuar draftin dhe thekson se ky ligj dëmton moralin tatimor duke u kthyer në një kartë për dalje nga burgu për evazorët më të mëdhenj, pasi përfshihet falja e taksave, gjobave dhe dhënia e imunitetit për ta. FMN rendit edhe arsyet pse Shqipëria është ende larg një sistemi për vendosjen e amnistisë fiskale dhe shton se kapacitetet tona janë modeste për të vënë në fuqi një platformë të tillë.

Deklarata e plotë e FMN: 

• Ne shqyrtuam ligjin e propozuar për amnistinë fiskale të nxjerrë për konsultim publik në qershor.

• Projektligji ka të ngjarë të dëmtojë moralin tatimor. Amnistia fiskale mund të konsiderohet si një kartë “dalje nga burgu” për shmangësit e mëdhenj të taksave, sepse përfshin një falje të konsiderueshme të taksave, përveç heqjes së plotë të interesit dhe gjobave dhe dhënies së imunitetit efektiv nga ndjekja penale dhe inspektim i mëtejshëm nga forcat e zbatimit të ligjit për sa i përket burimit të fondeve që do të amnistohen. Qeveria duhet të ndryshojë amnistinë fiskale me një program deklarimi vullnetar (PDV), i cili nuk i përjashton nga të gjitha detyrimet tatimore.

• Një PDV duhet të zbatohet vetëm kur plotësohen disa kushte. (i) Një administratë tatimore moderne, kompetente dhe e mirëinformuar dhe me mjetet e duhura të kontrollit dhe zbatimit të ligjit, dhe kjo aftësi i është demonstruar publikut për të siguruar që ka një rrezik të besueshem zbulimi. Kjo duhet të ekzistojë për të krijuar besimin se shmangësit e taksave që nuk deklarojnë do të ndiqen dhe ndëshkohen dhe se nuk do të ketë një PDV të mëtejshme; (ii) një kornizë efektive per luften kunder pastrimit te parave dhe luften kunder financimit te terrorizmit LPP/LFT që është në gjendje të zbusë rreziqet e PDV.

• Në shumë vende në zhvillim dhe me të ardhura të ulta, parakushtet për një PDV të suksesshme nuk përmbushen. Në rastin e Shqipërisë, ndërsa Drejtoria e Pergjithshme e Tatimve ka bërë progres, kapaciteti i saj i auditimit dhe hetimit mbetet ende i dobët, performanca e saj në mbledhjen e të ardhurave është e ulët, ndërsa shumë vlerësime nga auditimet mbeten të pambledhura, ka akses të pamjaftueshëm automatik në të dhënat e palëve të treta, veçanërisht informacionin e llogarive financiare. Shqipëria ende ka mangësi strategjike për LPP/LFT.