Pandemia rriti ndjeshëm numrin e të papunëve

439
Sigal

Pandemia rriti ndjeshëm numrin e të papunëve, ndwrsa  mungesa e politikave të punësimit detyron të rinjtë të largohen jashtë vendit.

Sa persona humbën punën gjatë Covid-19 dhe sa përfituan nga programi i Qeverisë!

 

Gjatë pandemisë qytetarwt edhe nuk përfituan as pagën e luftës, ndërkohë që rikthimi në punë në të njëjtin sektor ishte i pamundur për shkak të krizës së madhe

Pandemia rriti ndjeshëm numrin e të papunëve për periudhën Mars-Dhjetor 2020, ndërkohë që hapja e vendeve të lira të punës ishte në nivel shumë të ulët. Kjo është konfirmuar si nga Zyra e Punës, ashtu dhe INSTAT, ndërkohë që mungesa e politikave të punësimit, po detyron shumë të rinj të largohen jashtë vendit.

“Të punësuarit” në pandemi

Eridioni ishte një nga të rinjtë e shumtë që e gjeti veten të papunë fill pas nisjes së pandemisë Covid-19 në Shqipëri. Ai është një i ri nga qyteti i Beratit, që prej 5 vjetësh jetonte dhe punonte në Tiranë. Të ardhurat e vetme që kishte ishin paga si agjent turistik në një kompani udhëtimesh në kryeqytet. Mirëpo pas shtrëngimit të masave dhe futjes së vendit në karantinë të plotë, agjencia ku punonte Eridioni u mbyll. Kështu ai dhe kolegët e tij mbetën pa punë. “Për shkak se unë punoja në sektorin turistik, puna ime ishte më e prekura nga të gjitha. Kështu që menjëherë pas urdhrit të mbylljes totale të vendit përfshirë dhe aeroportin ku unë punoja, solli pushimin tim nga puna”, thotë Eridioni, që prej disa muajsh ka emigruar jashtë vendit.

“Në sektorin e turizmit sapo kisha mbushur 5 vjet. Gjatë periudhës së ‘Lockdown’ zyra qëndroi e mbyllur, por mbas disa muajsh u rihap me punonjës të ri dhe orar të reduktuar”, shtoi ai. Mirëpo Eridioni nuk pranoi më të ishte pjesë e stafit që nisi punën, pasi rroga u përgjysmua, duke u bërë e pamjaftueshme për të përballuar jetesën me qira në Tiranë. “Për shkak të situatës të gjitha kompanitë filluan të punonin pas disa muajsh me staf të reduktuar. Si rrjedhojë paga u përgjysmua. Kjo ishte e pamjaftueshme për të jetuar në nivel mesatar si banues me qira në Tiranë”, shprehet Eridioni.

Madje, ai nuk ka përfituar as pagën e luftës, ndërkohë që rikthimi në punë në të njëjtin sektor ishte i pamundur për shkak të krizës së madhe që pësoi sektori i turizmit nga pandemia. “Jo, pagën e luftës nuk e fitova sepse disa kompani turistike nuk përfituan nga ajo, në njërën prej tyre bëja pjesë dhe unë. Për shkak të dëmtimit që mori sektori i turizmit, nuk arrita të gjeja më punë në agjenci turistike”, shprehet i riu, që ka përfunduar studimet për gjuhë të huaja. Avantazhi i njohurive në gjuhët e huaja, duket se ishte një dritare për Eridionin. Ndryshe nga shumë të rinj, që kanë zgjedhur të punojnë në Shqipëri, Eridioni vendosi të largohet nga vendi. “Meqenëse sektori turistik, ku unë jam i specializuar, pësoi goditje të madhe ekonomike, gjithashtu dhe biznese të tjera ku unë mund të gjeja veten ishin të prekura ekonomikisht, gjë që solli rritjen e madhe të papunësisë, më detyroi të drejtoja vëmendjen drejt Evropës”, shprehet i riu, që aktualisht pret të fillojë punë në Gjermani.

Rajonet me numrin më të lartë të papunëve të regjistruar janë Tirana me 17% të totalit, Fieri me 13%, Shkodra me 9%, Durrësi me 8% dhe Kukësi me 8%” sipas  Agjencia Kombëtare e Punës.

Si rasti i Eridionit, ka pasur edhe të rinj të tjerë që kanë humbur punën gjatë pandemisë. Kristi Shenaj punonte si shitëse në një butik për veshje femërore në rrugën “Myslym Shyri”, teksa rrëfen se mbeti e papunë. “Dyqani gjatë pandemisë, në karantinë por edhe pas saj, shkoi thuajse drejt falimentit, por pronarja u detyrua që të qëndrojë vetë, dhe ne dy shitëseve që ishim na hoqi nga puna sepse nuk kishte fuqi financiare për të na paguar, plus blerjet ishin zero nga ana e klientëve. Jam regjistruar tek zyra e punës, por më shumë aty ofrohen punë në call center, rrobaqepësi etj, e jo punë të profesionit tonë. Psh unë kam studiuar ekonomi-biznes por skam gjetur punë asgjëkundi në profesionin tim. Kam më shumë se 6 muaj që jam e papunë, ndërsa zyra e punës nuk është bërë fare e gjallë për të më lajmëruar për ndonjë mundësi, pasi nga e keqja edhe atje do të shkoja nëpër këto punë e zanate të kategorisë së dytë e të tretë”, tha ajo.

E pyetur nëse do t’i rikthehej zanatit të shitëses, Kristi u shpreh se nuk e ka për turp të punojë, por me tregun që është aktualisht, kur kriza financiare duket se po prek fundin në këtë sektor, nuk është aq e lehtë. “Nuk i kam reshtur kërkimet për asnjë moment, madje kam bërë takime e kam çuar cv në disa dyqane, të cilat rezultojnë ende hapur por deri më tani asgjë. Duket se asnjë dyqan nuk ka nevojë të zgjerojë staf. Pastaj me bumin e dyqaneve virtuale online që njohu pandemia, tanimë gjithçka po kthehet në internet”, përfundon ajo.

Pandemia, rritje e madhe e papunësisë

Shifrat zyrtare tregojnë se në vetëm një vit, shkalla e papunësisë u rrit me 17% krahasuar me vitin 2019. Porta Vendore mori të dhëna zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Punës lidhur me numrin e të papunëve të regjistruar në zyrat e punës përgjatë vitit 2020. Shifrat tregojnë se në zyrat e Punës u regjistruan 82,929 të papunë, ose 17% më shumë se në vitin 2019. “Për vitin 2020 rezulton se numri mesatar mujor i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në Zyrat e Punës është 82,921 punëkërkues. Krahasuar me vitin 2019, numri mesatar i të papunëve të regjistruar është me 11,991 punëkërkues ose me 17% më shumë. Rajonet me numrin më të lartë të papunëve të regjistruar janë Tirana me 17% të totalit, Fieri me 13%, Shkodra me 9%, Durrësi me 8% dhe Kukësi me 8%”,thotë Agjencia Kombëtare e Punës.

Por nga ana tjetër, gjatë periudhës mars-dhjetor 2020, numri zyrtar i vendeve të lira të punës të shpallura ka qenë shumë më i ulët në raport me numrin e punëkërkuesve. Kështu, gjatë 9 muajve të pandemisë janë shpallur 18,580 vende të lira pune, me Tiranën që ka numrin më të madh të tyre. “Gjatë periudhës Mars-Dhjetor 2020 u shpallën 18,580 vende të lira pune, ndërsa për gjithë vitin në total ishin 25,141 vendeve të lira të punës. Gjatë vitit 2020, 24% janë shpallur në Tiranë, 14% në Durrës, 13% në Fier dhe 11% në Elbasan” , thuhet gjithashtu nga Agjencia Kombëtare e Punës në përgjigjen të kërkesës për informacion referuar nga Porta Vendore. Ndërkohë, ajo që vihet re është fakti se numri i të papunëve gjatë vitit 2020 ishte afërsisht tre herë më i lartë se numri i vendeve të lira të punës. Konkretisht, gjatë vitit 2020 ishin 25,141 vende të lira pune për 82, 929 të papunë. Pra vendet e lira të punës plotësonin vetëm 30% të kërkesave për punësim.

Një tjetër e dhënë interesante e siguruar nga Agjencia Kombëtare e Punësimit lidhet me grupmoshën më të prekur nga papunësia gjatë pandemisë. Shifrat tregojnë se të rinjtë e moshës 20-24 vjeç ishin grupmosha më e papunë gjatë pandemisë me rreth 56%. Gjithashtu edhe të rinj të tjerë deri në moshën 39-vjeç, duket se e kanë gjetur veten në pjesën më të goditur nga pandemia.

VKM-e e qeverisë nuk i vjen në ndihmë qytetarëve, sidomos minoriteteve egjiptianë dhe romë, pasi targeton punonjësit që janë larguar nga puna për shkak të pandemisë

“Duke krahasuar gjendjen e regjistrit të papunësisë së regjistruar në fillim të Muajit Mars 2020 me fundin e muajit Dhjetor 2020, vihet re se rritja e numrit të të papunëve reflektohet në të gjitha kategoritë e moshave. Konkretisht numri i të papunëve 15-19 vjeç është +13%, 20-24 vjeç +56%, 25-29 vjeç +48%, 30-34 vjeç +50%, 35-39 vjeç +44%, 40-44 vjeç +39%, 45-50 vjeç +34% dhe mbi 50 vjeç +31%”, shprehet Agjencia Kombëtare e Zyrave të Punës.

INSTAT: Papunësia pësoi rritje gjatë muajve mars-dhjetor 2020

Rritjen e papunësisë në vendin tonë, përgjatë pandemisë e ka konfirmuar dhe INSTAT në statistikat zyrtare. Sipas shifrave të INSTAT, gjatë vitit 2020 dolën në total 43 mijë persona të papunë, ose thënë ndryshe papunësia u rrit me 3.4%. Sipas INSTAT, në fundit të vitit 2020 kishte gjithsej 1.23 milionë të punësuar në vend, nga 1.27 milionë në fund të 2019-s.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i të punësuarve ra ndjeshëm në 6 mujorin e parë të vitit, ku në total ishin rreth 50 mijë persona të papunë. Kryesisht këto shifra u regjistruan në tremujorin e dytë, kur karantina bllokoi aktivitetin ekonomik për gati tre muaj. Në tremujorin e tretë, pas hapjes së vendit dhe aktivitetit të turizmit, punësimi u përmirësua ndjeshëm dhe mbi 30 mijë persona u rikthyen në punë. Efektet pozitive të turizmit në tremujorin e tretë u shuan në 3 muajt e fundit të vitit, ku numri i të punësuarve u ul me 20 mijë më pak.

Qeveria, VKM për nxitjen e të papunëve nga Covid-19

Në shtator të vitit të kaluar, Qeveria miratoi një vendim i cili rregullonte procedurat, kriteret dhe rregullat e zbatimit të programit për nxitjen e punësimit për punësimin e personave që mbetën të papunë nga covid-19. Ky vendim u vinte në ndihmë bizneseve që ofronin vende të lira pune për persona që humbën punën për shkak të pandemisë. Sipas programit shteti merr përsipër të subvencionojë bizneset të cilat ofrojnë punë sipas kushteve: “Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për dy muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë dhe të katërt të kontratës. Për programin e punësimit tetëmujor: financimin e pagës në shumë 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për katër muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës. Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj. Për programin e punësimit 12 mujor subvencionon kostot e financimit të sigurimeve të detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100% të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së programit, të kompesuara çdo muaj”, thuhet në VKM-në e miratuar vitin e kaluar.

Papunësia më e lartë tek të rinjtë, sa përfituan nga programet e punësimit?

Agjencia Kombëtare e Punës tregon se një numër i madh të papunësh kanë përfituar nga programet shtetërore të punësimit: pagesa e papunësisë, trajnime profesionale, shërbime orientimi dhe këshillimi. “Përveç rritjes së ndjeshme të numrit të punëkërkuesve të papunë të regjistruar Zyrat e Punësimit, gjatë vitit 2020: trajtuam një numër të lartë aplikimesh nga punëkërkuesit për përfitimin e pagesës së papunësisë, u përfshinë në programet aktive të tregut të punës 31,685 punëkërkues të papunë (23,118 të punësuar, 4,146 pjesëmarrës në programet e nxitjes së punësimit dhe 4,421 punëkërkues të papunë ndoqën kurset e formimit profesional); Shërbime të tjera orientimi dhe këshillimi sipas nevojave specifike të punëkërkuesve të papunë”, thuhet ndër të tjera nga Agjencia Kombëtare e Punës.

Megjithatë, pakënaqësia është e madhe kur flitet për shifrat e të punësuarve sidomos në bazë të VKM-së nga komunitetet vunerabël. Gent Serjani aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian thotë se ky vendim i këshillit të ministrave nuk i ka ardhur aspak në ndihmë.

“Së pari, një numër i ulët i anëtarëve të minoriteteve egjiptianë dhe romë janë të punësuar formalë, të cilët janë të regjistruar si biznese të vogla. Por, me së shumti janë të vetëpunësuar informalë në tregtimin e rrobave të përdorura ose mbledhjen e mbetjeve. Në lidhje me grupin e parë kjo VKM-e nuk i vjen në ndihmë, pasi targeton punonjësit që janë larguar nga puna për shkak të pandemisë.

Politikat stimuluese munguan pasi ajo çfarë ne pamë ishte vetëm mbështetja sociale me një në të ashtuquajturat paga lufte, por një mungesë transparence që sot lexohet si programe jorezultative

Ndërsa grupi i dytë nuk është përfshirë në asnjë VKM-e që u miratua gjatë periudhës së pandemisë. Nisur nga kjo situatë shohim që është e nevojshme, regjistrimi i punonjësve informal nga institucionet shtetërore. Gjithashtu, duhet që nëpërmjet granteve të BE-se ti vihet në ndihmë atyre për tu formalizuar në mënyrë graduale”, shprehet ai.

Kurse Erion Muça, ekspert i punësimit komenton shifrat e INSTAT si rezultate negative të pritshme. “Viti 2020 u mbyll me një rezultat negativ të pritshëm. Nga hulumtimet dhe kërkimet e mia deri në fund të vitit që lamë pas, po të kemi parasysh numrin e lartë të të punësuarve informalë apo të vetëpunësuarve të padeklaruar, ne patëm mbi 100.000 të papunë. Ajo çfarë e bën më të vështirë situatën është informacioni i vazhdueshëm kontradiktor i shifrave të papunësisë nga instancat kompetente dhe mungesa e një plani të qartë dhe të saktë minimalisht afatmesëm për amortizim të këtyre pasojave, por vetëm përkrahje sociale të përkohshme si zgjidhje momentale por jo shumë shpresëdhënëse për rivitalizimin e tregut të punës”, shprehet ai, ndërsa i mëshon faktit që politikat e punësimit duhet të ishin më stimuluese, sidomos në këtë periudhë të vështirë pandemie.

“Në lidhje me politikat stimuluese ato munguan pasi ajo çfarë ne pamë ishte vetëm mbështetja sociale me një impakt relativisht pozitiv në të ashtuquajturat paga lufte, por një mungesë transparence që sot lexohet si programe jorezultative të tilla si garancia sovrane, subvencionim me 1 vit të sigurimeve për të papunët informalë që vetëdeklaroheshin si të tillë apo edhe subvencionimi i pagës minimale dhe sigurimeve për bizneset që do të punësonin të papunët e dalë nga Pandemia, të cilat nuk arritën dot të kenë rezultat e pritshme dhe interesin e parashikuar nga qeveria, pasi në gjykimin tim ishin masa të pastudiuara në raport me precedencat apo me nivelin e meritokracisë dhe besueshmërisë që ka sot ndaj nismave mbështetëse të shtetit, të klasifikuara prej kohësh si tepër selektive”, thotë Erion Muça ekspert i punësimit.