KLSH: Gati 3 koncesione të reja, rritet borxhi, në kaos buxheti

290
Sigal

Në raportin më të fundit mbi auditimet e kryera lidhur me kontratat e Partneritetit Privat-Publik, Kontrolli i Lartë i Shtetit paralajmëron se, shpejt Qeveria do t’i duhet të nisë pagesat për tre koncesione të reja, të cilat mund ta kalojnë këtë zë të buxhetit përtej kufirit prej 5% të të ardhurave tatimore. Në raport, KLSH konstaton edhe parregullsi të tjera, siç është kryerja e pagesave përtej modeleve të caktuara në kontrata.

Pritshmërinë për uljen e të ardhurave tatimore si pasojë e ngjarjeve madhore të tërmetit dhe pandemisë, sjellin një risk të shtuar për respektimin e kufirit të pagesave për koncesionet

 

Sa i takon auditimit të kontratave koncensionare, thekson raporti, është konstatuar kryerja e pagesave për këto kontrata përtej nivelit të miratuar në modelin financiar, duke ndryshuar financimin e tyre edhe në periudha të vështira për buxhetin e shtetit (në të cilat u ndalua kryerja e shumë shpenzimeve publike), siç ishte tërmeti i datës 26.11.2019. Gjithashtu, problematikë ka vijuar të mbetet fakti që këto kontrata nuk regjistrohen në SIFQ në vlerën e tyre të plotë sipas angazhimeve të ndërmarra.

Masat e marra nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Hekurudha Shqiptare lidhur me menaxhimin e transportit hekurudhor në Shqipëri nuk kanë qenë efektive

KLSH ka kërkuar vëmendje të shtuar në administrimin e risqeve që vijnë nga kontratat koncesionare/PPP, në mënyrë që të ruhet kufiri i parashikuar i pagesave të koncesioneve/PPP-ve brenda nivelit 5% të të ardhurave tatimore, duke marrë në konsideratë që, përgjatë viteve të ardhshme nisin pagesat për 3 projekte koncesionare në fushën e infrastrukturës publike dhe, nga ana tjetër, pritshmëritë për rënie të të ardhurave tatimore, si pasojë e ngjarjeve të tërmetit dhe situatës së pandemisë Covid -19.

Ndërkaq, pritshmërinë për uljen e të ardhurave tatimore si pasojë e ngjarjeve madhore të tërmetit dhe pandemisë, sjellin një risk të shtuar për respektimin e kufirit të pagesave për koncesionet/PPP në nivelin e 5% të të ardhurave tatimore, në kushtet kur pagesat faktike rezultojnë në tejkalim të planit të miratuar në kontratën përkatëse, paralajmëron në raport Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Gjendja e mjerueshme e hekurudhave

Kontrolli i Lartë i Shtetit në një nga auditimet e tij të performancës është ndalur gjithashtu  tek situata e hekurudhave e cila cilësohet si e mjerueshme.

Në këtë sektor prej vitesh mungojnë investimet, ndërkohë që miratimi i Kodit Hekurudhor që duhet të shoqërohej me disa akte nënligjore, për të krijuar disa hallka funksionale, nuk janë miratuar në kohë. Sipas KLSH, masat e marra nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Hekurudha Shqiptare SHA, lidhur me menaxhimin e transportit hekurudhor në Shqipëri, nuk kanë qenë efektive.

Ky dokument ndalet edhe tek investimet, ku nënvizohet se ato në sektorin e transportit hekurudhor për periudhën 2016-2019, nuk kanë qenë të mjaftueshme duke mos realizuar disa prej objektivave kryesore të Strategjisë Sektoriale të Transportit 2016-2020.

Situata problematike në sektorin hekurudhor në vend vijon prej vitesh ku investimet kanë qenë minimale ndërkohë që i gjithë rrjeti është tejet i amortizuar. Tashmë vetëm për linjën Tiranë-Durrës dhe zgjatimin e ri në Rinas ka një plan konkret që po zbatohet me mbështetjen e BERZH. Qeveria ka nënshkruar kontratën me kompaninë italiane “INC. spa”, e cila do të zbatojë projektin e rehabilitimit dhe ndërtimit të linjës së re.

Gjithsej kostoja totale e projektit është 92.1 milionë euro, nga të cilat 35.5 milionë euro grant mbulohet nga Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe 36.9 milionë euro është i mbuluar nga kredia e BERZH, ndërsa pjesa e mbetur do financohet nga qeveria shqiptare.