Paketa fiskale 2015, Cani: Nxisim përpunim të naftës e kromit në vend

648
Sigal

TIRANE – Në mbledhjen e sotme Komisioni i Ekonomisë diskutoi sot sërish në lidhje me buxhetin e vitit 2015 dhe më konkretisht për Paketën Fiskale. Ministri i Financave Shkëlqim Cani tha se në paketën fiskale të vitit të ardhshëm janë parashikuar të gjenerohen 16 miliardë lekë, dhe ku përparësi do të kenë sektorët e naftës, kromit dhe bujqësisë.
 
Sipas Canit, paketa fiskale synon zgjerimin e bazës, si një kërkesë e kahershme e biznesit, mbrojtje të konsumatorit si dhe të reformave të thella. Në këtë kontekst Ministri i Financave theksoi se paketa e vtit të ardhshëm adreson kërkesat e biznesit si dhe është në mbështetje të tij.
 
“Paketa fiskale pritet të gjenerojë 16 miliardë lekë, një pjesë e tyre duhet të mbështetet në një performancë më të mirë të organeve fiskale, në mirëkuptim dhe bashkëpunim me vetë biznesin. Paketa ka 14 masa në tërësi, ku 3 masa gjenerojnë të ardhura, ndërsa 11 krijojnë lehtësira për konsumatorin. Natyrisht që paketa fiskale synon në radhë të parë në zgjerim të bazës, kërkesë kjo e kahershme e të gjithë biznesit të ndershëm. Së dyti është në mbrojtje të konsumatorit. Së treti mbron dhe mbështet reforma të thella dhe të gjëra. Unë do ta konsideroja këtë si një buxhet në mbështetje të biznesit. Kjo paketë fiskale adreson kërkesat e biznesit. ” tha Cani

Sa i përket 3 sektorëve prioritarë në paketën fiskale, nafta, kromi dhe bujqësia, Cani nënvizoi se kjo është bazuar mbi faktin se përpunimi i tyre brenda vendit deri në një masë të caktuar do të gjenerojë të ardhura për buxhetin e shtetit si dhe për hapjen e vendeve të punës.

“Mbështetje në këtë paketë kanë gjetur nafta, kromi, dhe bujqësia që ka një paketë të veçantë më tërësore. Këto tre sektorë kanë qenë dhe janë ata që kanë prioritet në ekonominë shqiptare. Ne jemi bazuar në një parim të qartë që prodhomi i tokës dhe nëntokës të mos dalë jashtë por të përpunohet në një masë të caktuar në mënyrë që ekonomia shqiptare të gjenerojë sa më shumë të ardhura brenda vendit. Në këtë mënyrë kemi mundësinë e punësimit të një mase sa më të gjerë të popullsisë.” tha Cani i cili shtoi më tej se pavarësisht vështirësive, synohet që në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar një ulje e borxhit publik dhe e defiçitit.