Sigal

Sektori energjetik në vendin tonë po kalon një situatë të vështirë, për sa i përket prodhimit të energjisë elektrike, e cila ka detyruar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ta sigurojë energjinë nëpërmjet importit. Situata e dobët e prodhimit vendas qoftë nga ana e Korporatës Elektro-energjetike Shqiptare (KESH) qoftë nga prodhuesit me përparësi, kanë bërë që OSHEE të zhvillonte negociata për sigurimin e një sasie energjie në të paktën gjashtë faza. Sipas burimeve, kompania e shpërndarjes po importon rreth 70 për qind të energjisë që konsumohet dhe 30 për qind është prodhim në vend. “Korporata Elektroenergjetike Shqiptare furnizon pjesën kryesore të asaj që ne marrim nga tregu vendas, ndërkohë që prodhuesit me përparësi shfaqin një situatë shumë të dobët, sepse për shkak të kushteve të motit, lumenjtë kanë ngrirë dhe prodhimi është në nivele minimale. Përgjithësisht arrijmë të marrim vetëm 1 mijë mega në ditë nga ky grup dhe këtu përfshihet edhe hidrocentrali i Ashtës” konfirmuan të njëjtat burime. Deri më tani, OSHEE ka shpenzuar 30 milionë euro pa TVSH për të siguruar furnizimin gjatë janarit. Sasia e kontraktuar është 329 mijë mwh energji. Kjo shifër pritet që të rritet edhe më tej duke pasur parasysh që ende nuk janë mbyllur të gjitha procedurat për furnizimin deri në fund të muajit. “OSHEE bleu 250 MW në bandë (furnizim 24 orë në 31 ditë kalendarike) përmes një procedure që u mbajt në fund të dhjetorit. Pjesa ekstra që nevojitet për të plotësuar kërkesën në vend po prokurohet javë pas jave edhe në marrëveshje me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare në mënyrë që nëse ka një përmirësim të situatës hidrike dhe më shumë prodhim, ne të arrijmë të marrim më shumë sasi nga prodhuesi publik. Kjo na eviton surpriza të tjera që mund të lidhen me kontaktimin e një sasie energjie të konsiderueshme dhe me çmim më të lartë dhe pastaj penalitete nëse kërkohet anulim” konfirmuan të njëjtat burime. Blerja e fundit e OSHEE ishte për periudhën 11-17 janar, një procedurë e ndarë në dy lote. Në lotin e parë një sasi prej 20,160.00 Mwh e konvertuar në vlerë monetare 1.79 mln euro, me një çmim mesatar prej 88.67 euro/Mwh dhe në lotin e dytë 52,500 Mwh e konvertuar në vlerë monetare 5.4 mln euro, me një çmim mesatar prej 103.81 euro/Mwh.