Italia do të hapë dyert për 80 mijë emigrantë të rinj ekstrakomunitarë.Shteti fqinj pritet të aprovojë së shpejti vendimin për pranimin e rreth 80 mijë emigrantëve të rinj për motive pune, punësim sezonal apo punë autonome. Drafti ligjor për këtë fluks të ri emigrantësh do të miratohet brenda muajit dhjetor të 2021 e po punohet nga disa ministri të kabinetit Draghi e në veçanti nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Punës.
Fluksi i kësaj kuote të re emigrantësh do të jetë për vendet ekstrakomunitare si Shqipëria, Bosnja, Hercegovina, Tunizia, Algjeria, Bangladeshi etj.
Emigratët e rinj kërkohen të punësohen në sektorin e autotransportit, prodhimit, ndërtimit, hoteleri-turizëm, bujqësi. Një kuotë i është rezervuar emigrantëve që kanë kryer kurse profesionale të specializuara në vendet e tyre të origjinës.
Ky vendim ka shkaktuar debate politike brenda qeverisë italiane. Është Partia Lega e cila kërkon të analizojë çdo detaj të këtij dekreti të cilin e quan momentalisht të panevojshëm për shkak se Covid 19 ka shkaktuar një rëndesë ekonomike për shtetin italian.
“Janë gati 3 milionë qytetarë që marrin pagën e ndihmës për shkak të papunësisë e varfërisë me një kosto rreth 9 miliardë euro në vit për arkën e shtetit e çdo ditë zbarkojnë në brigjet italiane me dhjetra qindra emigrantë përmes Mesdheut”, ka deklaruar nënsekretari i shtetit për Ministrinë e Brendshme, legisti Nicola Molteni.
“Në këtë moment të hapësh kufijtë për emigrantë të rinj është një vendim i nxituar”, ka thënë ai.
Ky numër i ri emigrantësh që brenda këtij viti pritet të hyjë në Itali është gati trefish më shumë se ai i një viti më parë.
Profesionistët po ikin jashtë
Edhe pse Shqipëria pritet të ketë një rritje ekonomike prej 6.7% në fund të këtij viti, e cila vjen si një rimëkëmbje e fortë pas pandemisë, shifrat e papunësisë vijojnë të jenë mjaft të larta.Por, ndryshe nga herët e tjera, papunësia në Shqipëri kësaj radhe po ndikohet edhe nga faktorë të jashtëm. Një prej tyre është punësimi në vendet e Europës me kontrata afatgjata si dhe paratë që vijnë nga diaspora sipas agjentes së punësimit:
“Po vërehet një kërkesë shumë e lartë e kompanive kryesisht nga vende si Hungaria, Polonia apo Çekia. Personat e kualifikuar të këtyre vendeve po synojnë të punësohen në Gjermani dhe këto vende po drejtohen në Shqipëri apo rajon për të gjetur forcë punëtore. Një fenomen tjetër që e ndikon shuam Shqipërinë në rritjen e papunësisë në këndvështrimin tonë janë edhe remitancat që vijën nga jashtë. Zgjidhet më mirë të mos punojnë, se të mos paguhen aty ku dëshirojnë të paguhen. ”
Nga krahu tjetër një fenomen i ri po ndodh në tregun shqiptar, ku shumë të rinj po punojnë për kompani teknologjike nga shtëpia
“Një boom apo një kërkesë shumë të lartë ka marrë pjesa e softuerëve apo platformave të ndryshme online. Natyrisht Shqipëria është një vend që ka potencial për këtë trend të ri kërkese në fushën e punësimit. ”
Në interesimin pranë disa agjencive të punësimit në kryeqytet, tregohet se shifrat e aplikimeve për tu punësuar jashtë vendit kalojnë 3 mijë përgjatë 2021-it. Sipas të dhënave nga agjencitë më së shumti largohen të pakualifikuarit në masën 52%, ndërsa në vendin e dytë qëndron stafi mjekësor, si infermierë dhe mjekë me 36%. Përqindja më e madhe e grupmoshave për aplikim janë ato nga 25-35 vjeç./tch



















