Nënshkruhet marrëveshja e amenduar me “Shell” për naftën

563
Sigal

Ditën e djeshme u bë nënshkrimi i dokumentit të rishikuar të marrëveshjes për kërkimin e naftës në Bllokun 2 dhe 3 me kompaninë Shell, i cili i garanton shtetit shqiptar përfitim që në fuçinë e parë të naftës që del nga nëntoka. “Marrëveshja hidrokarbure për kërkimin dhe prodhim në Bllokun 4 mes shtetit shqiptar dhe Shell në vitin 2017, shënoi vendosjen e një standardi të ri cilësor në këtë sektor, si në aspektin teknik ashtu edhe në atë financiar. Në këtë marrëveshje sigurohet respektimi i plotë dhe  balancimi mes palëve, duke rritur kështu përfitimet e shtetit shqiptar, krahasuar me marrëveshjet e mëparshme” u shpreh në këtë ceremoni Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Sipas saj nënshkrimi i kësaj marrëveshje cilësohet si një arritje, në drejtim të rritjes së sektorit të hidrokarbureve në vend. Ndërkohë, përfaqësuesi i Shell nënvizoi se kompania  është prezent në Shqipëri prej 2012, dhe aktiviteti vit pas viti ka ardhur në rritje. “Këtë vit do të operojmë Bllokun 4. Zotohemi të japim një kontribut pozitiv ndaj Shqipërisë dhe ky kontribut vjen përmes tatimit dhe taksave, por jo vetëm kaq, por edhe punësimit të individëve lokalë. Çdo ditë ne bëjmë biznes me 200 nënkontraktorë shqiptarë, në mënyrë të tërthortë kemi 300 punonjës lokalë që mbështesin projektet tona. Për nga natyra projektet e gazit dhe naftës kërkojnë kohë. Kjo do të thotë që ende kemi shpime pusesh, para se të hyjmë në përfitimin komercial të mundshëm. Kjo kontratë siguron që përfitimet e palës shqiptare do të jenë direkte që në fuçinë e parë që do të nxirret. Kur bën një investim shumëdekadësh dhe shumëmiliardësh kërkon garanci dhe kjo kontratë e ofron këtë.” – deklaroi përfaqësuesi i Shell.