Shitja e call center, COMDATA S.p.A blen 85 për qind të aksioneve CC TIRANA SHPK

1638
Sigal

Shitblerja e bizneseve duket se ka përfshirë edhe kompanitë call center. Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se së fundmi pranë saj është paraqitur një kërkesë që kërkon autorizimin e këtij institucioni për blerjen e 85 për qind të kuotave të shoqërisë CC Tirana sh.p.k nga COMDATA S.P.A një kërkesë kjo e bërë qysh në maj të këtij viti. Sipas njoftimit të Konkurrencës blerësi COMDATA SPA, është një shoqëri e themeluar në mënyrë të rregullt dhe ekzistuese sipas ligjeve të Italisë, e cila ofron shërbime “outsourcing” të proceseve të biznesit lidhur me zgjidhjet e menaxhimit të marrëdhënieve me klientët. Kjo kompani aktualisht nuk operon në Shqipëri. Shitësi i kuotave është Sestante Holding SRL, një shoqëri e themeluar në mënyrë të rregullt dhe ekzistuese sipas ligjeve të Italisë. Transaksioni i mësipërm njoftohet pranë Autoritetit pasi shoqëria Sestante Holding SRL, nëpërmjet kontrollit të shoqërisë Intercom Data Service SHPK dhe We Web SHPK, realizon të ardhura në tregun shqiptar. Nga ana tjetër Intercom Data Service SHPK, është një shoqëri e themeluar në mënyrë të rregullt dhe ekzistuese sipas ligjeve të Shqipërisë, IDS zotërohet 100% nga shoqëria Sestante Srl dhe është pjesë e marrëveshjes së shitblerjes. Por cili është objekti i aktivitetit të shoqërisë kuotat e së cilës janë shitur në nivelin 85 për qind. “CC Tirana SHPK, është themeluar sipas legjislacionit shqiptar me ortak te vetëm shoqërinë Sestante Srl. Objekti i aktivitetit: ofrimi i të gjitha shërbimeve që lidhen me Call Centre dhe Contact Center dhe aktivitet “Back Office”, në fushën e kujdesit ndaj klientit, tele-marketingut apo tele-selling (shitjeve nëpërmjet telefonit) inbound dhe outbound duke përfshirë gjithashtu edhe përpunimin e të dhënave të shoqërive të tjera dhe/ose enteve publike” vlerëson Konkurrenca. Njoftimi në faqen e Autoritetit është bërë për efekt të palëve të interesuara që mund të kenë komente dhe qëndrime mbi transaksionin e njoftuar.