Në prag të zgjedhjeve vendore, Bashkitë ulin ritmin e mbledhjes së të ardhurave

561
Sigal

Pushteti vendor akumuloi 10% më pak taksa se 1 vit më parë. Efekti kryesor i rënies, taksa e ndërtimeve

Teksa zgjedhjet e reja lokale do zhvillohen për pak muaj, ritmi i rritjes së të ardhurave që bashkitë mbledhin nga taksat dhe tarifat ka shënuar ngadalësim 9 muajt e parë të vitit. Sipas të dhënave të publikuara nga portali financatvendore.al, në fund të nëntë muajve të parë të vitit 2018, të ardhurat nga burimet e veta vendore (taksa dhe tarifa vendore, veprimtari me asetet dhe të tjera) regjistruan në terma nominalë rreth 17.2 miliard lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të hyrat buxhetore nga burimet e veta rezultojnë rreth 532.6 milionë lekë më të larta ose në rritje me rreth 3.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e të ardhurave nga burimet e veta vendore u përcaktua gjerësisht nga ecuria pozitive e të ardhurave nga tarifat vendore. Kategoria e taksave vendore, kontribuoi negativisht në performancën e përgjithshme të të ardhurave nga burime të veta vendore.

Në total, të ardhurat nga taksat vendore shënuan një nivel prej rreth 9.7 miliard lekë, nivel ky rreth 9.9% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ngushtimi vjetor i të ardhurave nga taksat vendore u përcaktua kryesisht nga rënia e të hyrave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja. Të hyrat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, pas një rritje të theksuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, shënuan një nivel prej rreth 3.75 miliard lekë, në rënie me rreth 15.7% në terma vjetorë. Ndonëse në nivel disi më të ulët, të ardhurat nga kjo taksë përfaqësojnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për bashkitë në vend. Në nivel bashkie, rënia e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u udhëhoq nga bashkia Tiranë e cila ka mbledhur rreth 674.8 milionë lekë më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, duke e ulur njëkohësisht dhe kontributin e saj ndaj totalit nga të mbledhur nga 71.4% në nëntëmujorin e vitit 2017 në 66.6% të të njëjtës periudhë të vitit 2018. Në bashkinë Durrës, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë rezultojnë të jenë tkurrur ndjeshëm krahasuar me nivelin e shënuar në nëntëmujorin e vitit 2017, përkatësisht nga rreth 314.6 milionë lekë në rreth 176.8 milionë lekë. Një tjetër burim i rëndësishëm të ardhurash për buxhetin vendor përfaqësohet nga të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme. Në nëntëmujorin e vitit 2018, të ardhurat nga kjo taksë regjistruan një vlerë prej rreth 3.6 miliard lekë, në rritje me rreth 6.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Gjatë periudhës së konsideruar, të gjitha kategoritë e taksës mbi pasuritë e paluajtshme shënuan zhvillime pozitive. Të ardhurat nga taksa e ndërtesës kanë vijojnë të ndjekin prirje pozitive dhe shënuan një nivel prej rreth 3.2 miliard lekë gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2018, në rritje me rreth 5.8% në terma vjetorë. Pas një periudhe tranzitore, fillim viti 2019 pritet të jetë dhe momenti kur të gjitha bashkitë në vend do të aplikojnë taksën e pronës sipas metodologjisë së re, bazuar në komunikimet në media të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore gjithashtu rezultuan në rritje vjetore me rreth 13.2% në terma vjetorë. Të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël regjistruan një vlerë prej 308 milionë lekë, me një rritje prej 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2017. Në terma afatgjatë dhe në vijim të ndryshimeve të ndërmarra, të ardhurat nga kjo taksë vijojnë të ulin në mënyrë progresive kontributin e tyre në totalin e të ardhurave nga burime të veta vendore. Të ardhurat nga tarifat vendore rezultojnë të kenë pasur një performancë të mirë në nëntëmujorin e parë të vitit 2018. Në terma nominalë, tarifat vendore kontribuan në të ardhurat vendore me rreth 7.4 miliard lekë, në rritje me rreth 26.4% në terma vjetorë. Rritja e të ardhurave nga tarifat vendore u përcaktua gjerësisht nga zhvillimet pozitive në të tre kategoritë kryesore: tarifat për shërbimet publike, për zënien dhe përdorimin hapësirës publike dhe tarifat administrative. Në fund të nëntëmujorit, të ardhurat nga tarifat e shërbimeve publike shënuan një nivel prej rreth 3.8 miliard lekë, në rritje me rreth 27.9% në terma vjetorë. Rolin kryesor në zgjerimin e të ardhurave në këtë kategori e zënë të ardhurat nga tarifa e aplikuar për pastrimin dhe higjienën (rreth 88.5%). Tarifa për zënien dhe përdorimin e hapësirës publike dhe të fasadave gjithashtu ka pësuar një rritje të konsiderueshme në periudhën në analizë duke shënuar një vlerë prej rreth 1 miliardë lekë, nivel thuajse ky i dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nëse do të shikonim performancën e zërave specifikë, rezulton se të ardhurat nga tarifa për zënien e hapësirës publike për qëllime biznesi (bare dhe restorante) zënë peshën më të lartë me rreth 53.6% të totalit, ndjekur nga të ardhurat nga tarifa për parkingjet (37.5%) dhe tarifa e reklamës (8.9%). Lidhur me të ardhurat nga tarifa për parkingjet, vlen për t’u përmendur fakti se vetëm bashkia Tiranë mbledh rreth 81.7% të të ardhurave totale nga kjo tarifë. Në këtë drejtim, bashkitë e tjera të mëdha, qendër qarku, nuk kanë pasur të njëjtën performancë, ndonëse kanë potencial (duke konsideruar numrin e popullsisë dhe të automjeteve)./Monitor