Pallatet pa hipotekë, ja 13 dokumentet për reggisrim

836
Sigal

 

Agjencia e Kadastës publikon 13 dokumentet tekniko-ligjore që banorët duhet të plotësojnë për banesat e tyre, dyqanet, garazhdet etj, të cilat kanë mbetur të pa hipotekuara për shkak të detyrimeve që kanë pasur ndërtuesit e objekteve. Kërkesat do të plotësohen nga individët dhe do të depozitohen nga administratori i pallatit, apo objekteve të tjera kolektive. Ja lista e plotë e dokumenteve për regjistrim

 

Individët në pronësi të apartamenteve të paregjistruara në hipotekë, për shkak të mosndjekjes të procedurave nga ndërtuesit duhet të plotësojnë dokumentacionin tekniko-ligjor për mbylljen e procesit. Agjencia Shtetërore e Kadastrës njofton se për zgjidhjen e ngërçit të krijuar ndër vite, banorët nuk mund të paraqesin kërkesat për regjistrim në mënyrë individuale, por nëpërmjet personit të zgjedhur, i cili do të luajë rolin e administratorit të procesit. Legalizimi i apartamenteve të braktisura nga investitori, nuk mund të nisë nga ana e  Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), nëse nuk është dorëzuar mbi 80% e dokumentacionit të gjithë godinës. Agjencia e kadastrës sqaron se personi i autorizuar, duhet të hartojë listën e saktë të  banorëve  posedues  dhe  pronarë legjitimë  të apartamenteve,  njësive apo garazheve, ndarë sipas kateve, renditur sipas radhës, si dhe numrin rendor fizik të pronës që posedojnë. Në dy vitet e fundit ka përfunduar regjistrimi në hipotekë për 160 objekte.

Lista e dokumenteve për regjistrim

1.Përcaktimi i personit –administratorit të procesi

Përfaqësuesi i zgjedhur nga banorët duhet të jetë i autorizuar me prokurë. Si i tillë mund të caktohet administratori i pallatit, avokat, individ i besuar nga qytetarët, etj. Ai do te luajë rolin e administratorit të procesit, do të mbajë kontaktin me institucionin/institucionet si dhe banorët, paralelisht, për të koordinuar bashkëpunimin, mbledhjen e dokumentacionit të nevojshëm, për të përfaqësuar qytetarët në takime sipas nevojës, etj.

2.Lista e banorëve

Personi i autorizuar, duhet të hartojë listën e saktë të  banorëve  posedues  dhe  pronarë legjitimë  të apartamenteve, njësive apo garazheve, ndarë sipas kateve, renditur sipas radhës, si dhe numrin rendor fizik të pronës që posedojnë.

3.Kopje të vetëdeklarimeve/kontratave

Personi i autorizuar, duhet të mbledhë nga qytetarët që ai përfaqëson, të gjitha vetëdeklarimet, kontratat e porosisë së banorëve, si dhe çdo akt tjetër noterial që lidhet me pronën e poseduar. Që të  fillojë procedura e legalizimit nga ana e ASHK, duhet që minimalisht të jenë mbledhur mbi 80% e dokumentacionit të të gjithë godinës.

4.Kopje të ID

Personi  i  autorizuar,  duhet  të  mbledhë  kopje  të kartave të identitetit të personit/personave që kane kryer  blerjen,  d.m.th që kanë firmosur kontratën e porosisë, në momentin e blerjes.

5.Çertificatë familjare të blerësit, në momentin e blerjes

Personi  i  autorizuar,  duhet  të  mbledhë  të  gjithë certifikatat familjare të personit/personave që kane kryer  blerjen,  d.m.th  që  kanë  firmosur  kontratën  e porosisë, në momentin e blerjes.

6.Kalimet mbi pronësinë, njësinë e poseduar

Personi  i  autorizuar, duhet  të  mbledhë  dhe  të administrojë   në   dokumentacionin   e   dorëzuar, kontratat  të  cilat  kanë  realizuar  shitje  në  palë  të treta.  Pra,  të  sigurohet  përfituesi  final  juridikisht  i vlefshëm, i njësisë, apartamentit apo garazhit.

7.Projekti i miratuar

Personi  i  autorizuar, duhet  të  dorëzojë  në  format dixhital (ne DËG), projektin e përpunuar sipas lejes së miratuar në njësinë vendore përkatëse. Kopja e projektit    mund    të    tërhiqet    nga bashkia/komuna, për ta përpunuar nga format letre në format dixhital.

8.Projekti i gjendjes ekzistuese

Personi  i  autorizuar, duhet  të  dorëzojë  në  format dixhital  (në  DËG),  projektin  e  përpunuar  sipas gjendjes ekzistuese sot. Në këtë dokument, do të paraqiten të gjitha ndryshimet e mundshme, që ka pësuar objekti nga leja   e   miratuar,   duke   reflektuar   sipërfaqet   e shtuara,   sipërfaqet   e   mbyllura,   ndryshimet e destinacionit.

9.Projekti i pallatit pa leje ndërtimi

Personi i autorizuar,  duhet  të  dorëzoje  në  format dixhital (ne DËG), projektin e pallatit të ndërtuar pa leje.

10.Tabela e sipërfaqeve Personi  i  autorizuar, duhet  të  konfirmojë  se,  së bashku  me  projektin  e  zbatuar,  të  jetë  dorëzuar edhe  tabela e sipërfaqeve në çdo  kuotë,  me ndryshimet që janë realizuar nga projekti i miratuar me leje ndërtimi.

11.Akt-ekspertiza e qëndrueshmërisë së objektit. Personi  i  autorizuar,  duhet  të  dorëzoje akt ekspertizën  për  qëndrueshmërinë  e  objektit,  të hartuar  dhe  firmosur  nga  inxhinier  konstruktor  i licensuar. Së bashku me akt-ekspertizën,  duhet  të  jenë  të bashkëlidhura licensa  e  vlefshme  juridikisht,  e noteruar, (studio apo individ, qoftë). Akti  realizohet  një  i  vetëm  për  të  gjithë  godinën, pavarësisht se sa prej banorëve kanë paguar apo jo për realizimin e aktit. Nëse  do  të  disponohet,  dokument  i  vlefshëm juridikisht, konsiderohet edhe deklarata noteriale e konstruktorit,     zbatuesit     të     punimeve     dhe investitorit, ku sigurohet se objekti i zbatuar është konstruktivisht i qëndrueshëm edhe pas ndryshimeve në zbatim.

12.Akt marrëveshje midis ndërtuesit dhe pronarëve të truallit. Personi i autorizuar, duhet të saktësojë   dhe sigurojë  nëse,  përfitues  në  leje  legalizimi  brenda godinës, janë edhe pronarët e truallit, apo trashëgimtare të tyre. Nëse në dokumentacionin poseduar nga ASHK, kontrata e sipërmarrjes është në   mungesë, pronarët e truallit duhet të dorëzojnë kopje të akt-marrëveshjes  ose  kontratës  së  sipërmarrjes,  si dhe çfarëdo akti tjetër notarial, i cili ka lidhje me këtë zhvillim.

13.Akte noteriale

Çfarëdo akti notarial, që lidhet me posedimin dhe pronësinë, është mirë të  depozitohet si dokumentacion shtesë,  për të qartësuar gjendjen juridike.