Monopolet, Lati: Duhet ndaluar abuzimi me pozitën dominuese

815
Sigal

Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi raportin e Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2013

Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi dje raportin e Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2013. Në mbledhje ishte e pranishme dhe kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, znj. Lindita Lati, e cila i është përgjigjur pyetjeve të bëra nga deputetët pas raportimit të parë bërë rreth një javë më parë në këtë komision. Duke marrë fjalën gjatë mbledhjes, znj. Lati deklaroi se, Autoriteti Konkurrencës ka ndërhyrë nëpërmjet procedurave investigative apo edhe monitoruese në tregjet e miellit, importit të grurit dhe prodhimit të miellit. “Kemi hetuar në tregun e prodhimit të bukës në disa qarqe në momentet, kur ka pasur ndjeshmëri për rritje çmimi të pajustifikuara, sikurse edhe në tregun e importit të prodhimit dhe të tregtimit të shumicë të vajit vegjetal, të cilat janë produktet bazë dhe në të gjitha rastet ne kemi adresuar, vendosur dhe përdorur instrumentet që na jep ligji. Që mund të jenë gjobat, në rastin e miellit dhe të bukës, sikurse kemi vazhduar monitorimet apo kemi adresuar shqetësimet e tregut duke identifikuar strukturat e tregut nga njëra anë apo tipologjitë e lëvizjeve të çmimeve nga ana tjetër në tregun e vajit vegjetal”, u shpreh Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës.

Sipas znj. Lati edhe në tregun e hidrokarbureve si një nga produktet bazë për vetë tipologjinë e strukturës ekonomike të vendit, Autoriteti i Konkurrencës është ndalur disa herë, duke filluar që nga viti 2009 nëpërmjet një hetimi të përgjithshëm, duke vazhduar me një hetim specifik kundrejt ARMO-s për abuzim me pozitën dominuese në vitin 2010. “Faktikisht në periudhën për të cilën po flasim ne jemi akoma në procedurë hetimore sa i përket produktit të hidrokarbureve, duke përfshirë importin, prodhimin dhe tregtimin të tyre”, shtoi znj. Lati.

Monopolet

Ndërkaq, Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës u ndal edhe çështja e monopoleve në treg, duke shpjeguar aspektet ligjore dhe detyrimet që ka institucioni. “Monopoli është një strukturë tregu dhe monopoli nuk është i ndaluar në bazë të ligjit, por efektet që sjell në treg monopoli në mënyrë të domosdoshme duhet të shikohen dhe të kontrollohen nga Autoriteti i Konkurrencës, duke ndaluar abuzimin me pozitën dominuese dhe ka një sërë vendimesh të AK, të cilat kanë adresuar si në tregje të rregulluara ashtu edhe në tregje të parregulluara. Monopolet krijohen nga shteti në interesin publik, parimisht, pra do të thotë që shteti në kushtet kur nuk ofron dot një shërbimin e vet me cilësi dhe me kostot e dëshiruara, atëherë i drejtohet privatit duke ia dhënë këto të drejta ekskluzive”, tha ndër të tjera znj. Lati.

Bode: Telefonia celulare marrëveshje horizontale

Ndërsa, nënkryetari i komisionit, z. Ridvan Bode renditi disa shqetësime që kanë të bëjnë me tregun e që duhet të marrë sipas tij në konsideratë Autoriteti i Konkurrencës. “Tregu i telefonisë celulare mbetet një problem dhe vështirësia për të hyrë në këtë treg tashmë është e jashtëzakonshme dhe kjo shpeshherë, sepse dyshohet për marrëveshje horizontale në këtë treg, që nuk është i fragmentizuar në mënyrë të mjaftueshme dhe kjo e bën konkurrencën disi të vështirë. Mendoj që duhet të jetë një prioritet për mbikëqyrje. Edhe tregu i hidrokarbureve është me përmasa të mëdha në xhiron ekonomike, një sektor që ngërthen interesa private të biznesit por edhe interesave të buxheteve familjare. Përcaktimi shpesh i çmimeve në këtë treg nuk dëshmon një elasticitet që shpjegohet në mënyrë ekonomike”, theksoi z. Bode.

Braçe: Entet rregullatore të mos shpërfillin rekomandimet e AK-së

Kryetari i Komisionit, z. Erjon Braçe tha se, në përfundim të diskutimeve komisioni do t’i adresohet Kuvendit me një rezolutë lidhur me veprimtaritë e Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2013. Gjithashtu, u shpreh z. Braçe, është e papranueshme që sistemi gjyqësor zbeh progresin dhe cilësinë e vendimeve të Autoritetit të Konkurrencës për gjobitjen e kompanive nëpërmjet zvarritjes së proceseve gjyqësore dhe kërkoi informacionin nga Autoriteti i Konkurrencës për të informuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë për këtë problematikë. “Ne do të adresojmë shqetësimin e rëndësishëm të bashkëpunimit të Autoritetit të Konkurrencës veçanërisht me entet e tjera rregullatore, që mbulojnë fusha të rëndësishme apo mbulojnë rregullime në tregje të rëndësishme siç janë tregjet e energjisë elektrike, tregjet e komunikimeve elektronike dhe postare, kryesisht apo edhe më gjerë se sa kaq. Është e patolerueshme që rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës të shpërfillen për vite të tëra me radha nga entet rregullatore respektive. Ne do të bëjmë ç’është e mundur apo të garantojë që rekomandimet të zbatohen deri në fund në të mirë të lirisë ekonomike, të lirisë së tregut dhe të konsumatorëve. Së dyti, bashkëpunimin me organe të tjera të rëndësishme siç janë organe fiskale apo autoritet të tjera që kontrollojnë cilësinë e mallrave apo shërbimeve që janë në treg”, përfundoi kryetari i komisionit, z. Erjon Braçe.