Barak Obama: Kufijtë e Europës nuk mund të ndryshohen me forcë

468
Sigal

Presidenti amerikan: Rasti i Ukrainës nuk është si Kosova. Populli kosovar po brutalizohej nga Serbia

Presidenti Obama thotë se ai beson se demokracia dhe shteti i së drejtës do të triumfojnë në Ukrainë. Ai i bëri komentet të mërkurën mbrëma në Pallatin e Arteve të Bukura të Brukselit, pas takimeve me zyrtarë të Bashkimit Europian dhe të NATO-s. Ai tha se fuqitë perëndimore nuk kanë ndonjë plan që të përpiqen për ta nxjerrë Rusinë nga Krimea me forcë. Por ai shtoi se me kalimin e kohës, në qoftë se Perëndimi qëndron i bashkuar, Rusia do të kuptojë se ajo nuk mund të përdorë forcë brutale për të arritur qëllimet e saj. Presidenti tha se, kufijtë e Europës nuk mund të ndryshohen me forcë. SHBA dhe NATO-ja,- tha ai,- nuk kërkojnë ndonjë konflikt me Rusinë. Duke iu referuar sigurisë së Ukrainës, ai tha se kjo nuk është një luftë tjetër e ftohtë, por SHBA-të dhe Europa duhet t’i mbrojnë aleatët e tyre. Presidenti përmendi Kosovën dhe argumentoi se nuk mund të bëhen paralelizma mes Kosovës dhe rastit të Krimesë:

“Në mbrojtje të veprimeve të tyre, udhëheqësit rusë kanë përdorur Kosovën si një precedent, një shembull, siç thonë ata, që flet për ndërhyrjen e Perëndimit në punët e një vendi të vogël, ashtu si po bëjnë ata tani. Por NATO-ja ndërhyri vetëm pasi populli i Kosovës po brutalizohej në mënyrë sistematike dhe po vritej për vite me radhë. Dhe Kosova u shkëput nga Serbia vetëm pas një referendumi, i cili u organizua jo jashtë kufijve të së drejtës ndërkombëtare, por në bashkëpunim të kujdesshëm me Kombet e Bashkuara dhe me fqinjët e Kosovës. Ajo që ndodhi në Krime as që i afrohej kësaj” ,-tha Presidenti Obama.