Miratohet programi 5-vjeçar, BB 1.2 mld $ Shqipërisë deri në 2019

420
Banka Botërore njoftoi miratimin e një Programi të ri 5 vjecar 2015-2019 me Shqipërinë, Kuadri i Partneritetit, i cili parashikon një hua deri në 1.2 miliard dollarë për të mbështetur synimet e vendit për arritjen e një rritjeje të ekuilibruar dhe për integrimin europian. Bordi i Drejtorëve ekzekutivë, mirëpriti përparimet e fundit në zbatimin e refromave makro-fiskale dhe strukturore, ndërsa konstatoi vendosmërinë e fortë të qeverisë ndaj këtyre reformave të pritura prej kohësh.
Programi i ri është në linjë me objektivin e dyfishtë të Bankës Botërore për uljen e varfërisë dhe rritjen e shpërndarë të begatisë. “Banka do të rrisë dhe do të thellojë mbështetjen e saj ndaj reformave në Shqipëri që kanë për qëllim qëndrueshmërinë makrofinanciare, nxitjen e rritjes së sektorit privat dhe krijimin e një qeverisjeje të përgjegjshme. Rruga e ndjekur për reformat dhe rezultatet inkurajuese përbëjnë shtysën për rritjen e nivelit të mbështetjes së Bankës Botërore për vendin”, nënvizon një deklaratë e Bankës.
“Shqipëria ka një mundësi historike për t’u ndarë nga e shkuara dhe të përshpejtojë ecjen e saj drejt begatisë dhe integrimit europian. Kuadri i ri i Partneritetit me Shqipërinë i përgjigjet kësaj mundësie dhe mbështet përparësitë e vendit”, tha Ellen Goldstein, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Europën Juglindore, duke shtuar se “ne urojmë që të vazhdojë ecuria e reformave dhe zbatimi efektiv i tyre, në mënyrë që të arrihen rezultat në të mirë të qytetarëve shqiptarë”.
Programi i ri mbështet tre fusha. E para ka të bëjë me qëndrueshmërinë fiskale dhe stabilitetin financiar, për të cilën Banka do të mbështesë masat për përmirësimin e konsolidimit fiskal, forcimin e menaxhimit të investimeve publike në sektorin e Transportit, dhe përmirësimin e stabilitetit financiar.
Fusha e dytë është ajo e nxitjes së rritjes së sektorit privat, për të cilën Banka Botërore do të ofrojë mbështetje për rritjen e konkurrencës dhe krijimin e vendeve të punës, dhe për reduktimin e pengesave në klimën e biznesin dhe te boshllëqeve infrastrukturore, sic janë kryesisht ato në sektorin e energjisë.
Fusha e tretë ka të bëjë me forcimin e menaxhimit të sektorit publik dhe të shërbimeve. Mbështetja e Bankës Botërore synon krijimin e besimit të qytetarëve te qeverisja, forcimin e shërbimeve dhe të ofrimit të tyre si dhe aksesin ndaj shërbimeve më të nevojshme.
“IFC-ja do të mbështesë sektorët strategjikë në Shqipëri, si infrastruktura dhe energjia, përmes Partneritetit Publik Privat në shërbimet e konsulencës dhe investimeve, do të ndihmojë forcimin e mbështetjes së sektorit bankar nga Ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe industrive të orientuara drejt eksporteve, si dhe të do të ndihmojë në përmirësimin e klimës së investimeve për tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, shpjegoi Tomasz Telma, Drejtor i IFC-së për Europës dhe Azinë Qëndrore.
Aktualisht Banka Botërore ka në zbatim në Shqipëri tetë projekte me një vlerë të përgjithshme prej 512 milion dollarësh / Zeri i Amerikes/