Mark Rica: Pse Shqipëria ende nuk ka bursë, ndërkohë që edhe Mali i Zi ka?

42
Sigal

Mark RICA
Ekonomist -Audit

Çfarë është bursa dhe pse ka rëndësi për zhvillimin ekonomik?

Në një Europë ku tregjet financiare janë bërë themel për zhvillimin ekonomik, Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të mbeten vendet e vetme në Europë pa një bursë funksionale. Mungesa e një platforme ku kompanitë të mund të mbledhin kapital dhe qytetarët të investojnë përfitime afatgjata ka sjellë anomali e pasiguri në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Edhe Mali i Zi, me një sipërfaqe prej 13.812 km. katrorë dhe një popullsi prej 617 mijë banorë ka një treg kapitali. (Por edhe mikroshtetet si San Marino, Andorra, Lihtenshtajni, Monako, Vatikani, që nuk kanë bursa të veta për shkak të përmasave të vogla të ekonomisë, ato janë të mbështetura në tregjet financiare të vendeve fqinje si Italia, Franca, dhe Zvicra).

Si qytetar dhe si ekonomist me përvojë mbi 50 vjeçare, ndjej keqardhje që vendi im renditet në listën e vendeve më të prapambetura në botë, si Koreja e Veriut, Afganistani dhe Kuba, që nuk kanë bursë.

Në Shqipëri, ku kreditimi është ende i ngushtë dhe me kushte të vështira, një Bursë efektive do të shërbente si kanal alternativ për financim, veçanërisht për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, që shpesh përballen me mungesë kapitali për zgjerim.

Çfarë është Bursa:

Bursa (nga latinishtja;- “trastë” apo “qese”) është një treg i organizuar për aksionet, huanë, valutën, apo mallra të caktuara. Bursa është një vend ku shoqëritë aksionare, ndërmarrjet dhe firma të ndryshme private drejtohen për të ngritur fondin e investimeve dhe siguruar kapitalet e tyre. Pra me një fjalë, bursa është një institucion financiar ku blihen dhe shiten aksione, obligacione dhe instrumente të tjera financiare.  Ajo u shërben njëkohësisht kompanive dhe investitorëve që kërkojnë më shumë fitime dhe vetë ekonomisë, që dëshiron transparencë dhe formalizim.

Bursat e para në Europë janë krijuar që në Mesjetë. Ja disa prej tyre:  1. Në vitin 1531, në Antwerp, të Belgjikës u ngrit bursa e parë zyrtare në Europë, ku për herë të parë u vendosën rregulla të strukturuara për këmbimin e letrave me vlerë dhe mallrave. 2. Në vitin 1602, në Amsterdam Stock Exchange u themelua bursa e parë moderne në botë, nga Kompania Holandeze VOC.  3. London Stock Exchange në Londër në vitin 1801 4. Paris Bourse në Francë në 1724.

Këto bursa kanë qenë të lidhura ngushtë me lulëzimin e kolonializmit, tregtisë ndërkombëtare dhe kapitalizmit në Europë.

Në vendet e zhvilluara, sot bursat konsiderohen “zemrat e financave”. Aty krijohen pasuri, aty zhvillohen ndërmarrje dhe gjenerohen ide të reja ekonomike.

Për të kuptuar më mirë fuqinë ekonomike të bursave, bazuar në të dhënat e kapitalizimit të tregut, të ofruara nga Federata Botërore e Shkëmbimeve për vitin 2022 (e në vazhdim) sqarojmë se numri total i bursave të njohura (stock exchanges) në botë është rreth 250, por ato që kanë një rëndësi të veçantë ekonomike dhe janë pjesë e organizatave si WFE janë rreth 70 bursa të mëdha që përfaqësojnë shumicën e kapitalit global të tregut.

Po publikoj listën e 9 bursave më të mëdha në botë, me kapacitet triliona dollare.

1.- NYSE (Neë York Stock Exchange) – SHBA. Ajo ka 2400 kompani të listuara. NYSE është   themeluar në vitin 1792. Që nga viti 2022, kapaciteti i tregut i të gjitha kompanive të listuara në NYSE është afërsisht 26.64 trilion dollarë.

 2.- NASDAQ ((apo Shoqata Kombëtare e Kuotimeve të Automatizuara të Tregtarëve të Letrave me Vlerë) në New York City. Ajo u krijua në vitin 1971. Është tregu i parë i aksioneve i tregtuar elektronikisht në të gjithë botën me një kapital total prej 23.46 trilion dollarë.  (Kompanitë e mëdha të teknologjisë me peshë të rëndë si Microsoft, Google, Facebook, Tesla, Amazon, Apple, janë të listuara në këtë bursë.)

3.- Tokyo Stock Exchange – Japoni, e cila njihet edhe si Tosho, e vendosur në Tokio, Japoni dhe është krijuar në vitin 1878. Ajo ka më shumë se 3500 kompani të listuara. Kapitalizimi kumulativ i tregut është më shumë se 6,795 trilion dollarë. Këtu predominojnë bisneset japoneze si; Honda, Toyota, Suzuki, Sony, Mitsubishi dhe shumë të tjerë.

4.- Shanghai Stock Exchange – Kinë ( apo Bursa e Shangait SSE), është bursa më e madhe në Azi. Ajo është krijuar në vitin 1866, por themelet e saj moderne u hodhën në vitin 1990.  SSE ka më shumë se 1450 kompani publike të listuara në platformën e saj, kapitalizimi i kombinuar i tregut të të cilave është rreth 7, 63 trilion dollarë.

5.- Euronext, një bursë e integruar që përfshin Francën, Holandën, Belgjikën, Italinë, Portugalinë, Norvegjinë etj. Konsiderohet si bursa më e madhe në Evropë. Ajo  ndodhet në Amsterdam, Holandë dhe ka më shumë se 1300 kompani të listuara në platformën e saj me një kapitalizim total tregu prej më shumë se 7,33 trilion dollarë. Vëllimi mesatar total mujor është afërsisht 174 miliardë dollarë.

6.- London Stock Exchange, (LSE) Mbretëria e Bashkuar. Është një nga bursat më të vjetra në botë, e krijuar në 1698. Janë rreth 3000 kompani të listuara në Bursën e Londrës me një kapitalizim tregu të kombinuar prej më shumë se 4.05 trilion dollarë.

7.- Bursa e Hong Kongut (HKSE), e themeluar në vitin 1891, me më shumë se 2300 kompani të listuara ku qarkullohen më shumë se 6,13 trilion dollarë.

8.- Bursa e Shenzhenit në Kinë (kriuar në dhjetor 1990) dhe ka më shumë se 1400 kompani të listuara në platformën e saj me një vlerë totale të kapitalizimit të tregut prej rreth 5.74 trilion dollarë.

9.-Bursa e Bombeit BSE, e themeluar në 1875 në Azi. BSE e vendosur në Mumbai ka më shumë se 5 500 kompani të listuara në platformën e saj. Kapitalizimi total i tregut të BSE është më i madh se 3,96 trilion dollarë…

Në Europë, pothuajse të gjitha shtetet kanë një bursë të tyre. Gjithsej operojnë 35 bursa, përfshirë edhe ato të vogla kombëtare ose rajonale.

Edhe vendet e vogla ballkanike si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, kanë krijuar bursat e tyre funksionale për tregjet e kapitalit.

Në këtë kuadër, ngritja e një burse funksionale, nuk është thjeshtë një hap ekonomik, por një domosdoshmëri për përmbushjen e standardeve që kërkon BE. Shqipëria, duke mos pasur një treg aktiv kapitalesh, po përbën një boshllëk serioz në arkitekturën e saj financiare.

Vetëm Shqipëria dhe Kosova kanë mbetur jashtë loje.!!!

Edhe në Shqipëri, per herë të parë në korrikun e vitit 1994 u krijua Bursa e Tiranës (BT). Si në asnjë vend tjetër të botës, (duke eksperimentuar si në çdo fushë), u krijua kjo bursë, si një departament i Bankës së Shqipërisë (BSH) me synim shkëputjen pas një periudhe të caktuar kohore. Aktiviteti kryesor i BT-së përfshinte organizimin e tregut primar dhe sekondar për letrat me vlerë të borxhit afatshkurtër qeveritar (bonot e thesarit). Ajo u shkëput përfundimisht nga BSH në muajin korrik 2002, për t’u krijuar, e më pas për të funksionuar si një shoqëri e pavarur aksionere me kapital shtetëror. Në vitin 2003, BT mori nga Komisioni i Letrave me Vlerë (sot AMF) liçencën përfundimtare për të operuar si një treg i rregulluar për letrat me vlerë. Megjithatë, për arsye nga më të ndryshmet, ajo nuk arriti kurrë të bëhej një partner i besueshëm për biznesin shqiptar duke mbetur thjesht një koncept juridik….

Në vitin 2015, u krijua  ALSE (Albanian Securities Exchange). Kjo u realizua me mbështetjen e Bankës Credins, me qëllim krijimin e një platforme elektronike tregtimi në pronësi private, që do të bënte të mundur përputhjen e ofertës dhe kërkesës për letra me vlerë në Shqipëri. Në vitin 2016 kësaj iniciative iu shtuan edhe dy institucione të tjera financiare; AK Invest dhe Banka Amerikane e Investimeve. Me vendimin nr. 88, datë 03.07.2017, Bordi i AMF liçencoi shoqërinë “Bursa Shqiptare e Titujve ALSE” sh.a., si bursa e parë shqiptare me kapital privat e liçencuar në vend e fokusuar vetëm në tregtimin e bonove të thesarit. Tregtimi zyrtar i Titujve të Borxhit Qeveritar (Bono Thesari dhe Obligacione Thesari) në Bursën ALSE, ka nisur për herë të parë në shkurt 2018.

Në këtë bursë, rezulton se deri më sot, asnjë kompani shqiptare nuk është listuar në të.

Disa arsye pse mungon Bursa në Shqipëri?

Ka shumë arsye, por këtu po rendisë pesë arsye kryesore se pse mungon bursa në Shqipëri:

  1. Realisht në Shqipëri, sot pak kompani janë të gatshme të hapen për investitorët. Sipas Raportit të INSTAT, në Shqipëri operojnë 162 mijë ndërmarrje aktive. (Aktualisht në vend operojnë 6.938 ndërmarrje të huaja ose me bashkëpronar shqiptar, nga ku 43,6% e tyre janë me origjinë nga Italia, 7,5% nga Kosova dhe 5,8% nga Turqia)

Sipas raportit të Eurostat, 56 % e të punësuarve në Shqipëri, rezultojnë si të vetëpunësuar; ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Evropian është 14.6 %. Sipas një analize të “Scan Intel” në vitin 2025 , bisneset e vogla (me 1- 4 punonjës)  përbëjnë 86 % të ndërmarrjeve aktive, shumica prej të cilave figurojnë si bisnese familjare.

  1. Në Shqipëri mungon kultura për investime financiare. Pas traumës së firmave piramidale, shumë shqiptarë i shmangin investimet financiare.
  2. Dominimi i kredive bankare sipas ekspertëve të ekonomisë, bisneset mbështeten te bankat dhe nuk kërkojnë financim në tregje alternative.
  3. Mungesa e besimit. Transparenca e ulët dhe informaliteti nuk i japin siguri investitorëve. Meqë po flasim për transparencë, a mund të imagjinohet që disa investitor strategjik, që ndërtojnë kulla 40-50 katëshe, apo resorte turistike në bregdet, kanë të rregjistruar vetëm 6-10 punonjës, (se gjoja punojnë me nënkontraktor???).

Nga një studim i kryer, në tremujorin e tretë të vitit 2022, rezulton se: Nga 1.3 milion të punësuar, vetëm 53.8 % paguanin sigurime shoqërore. Më e rëndë është situata për të punësuarit në bujqësi, pasi nga 461.680 të punësuarve në këtë sektor, vetëm 58 mijë paguajnë sigurime…etj.

Pra, pa u formalizuar tregu i punës, ku të gjithë punonjësit të jenë të mbrojtur nga skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, nuk mund të diskutohet për besim e transparencë në tregjet financiare (bursa).

  1. Paaftësi institucionale. Autoritetet shtetërore (dhe ato financiare) nuk e kanë parë bursën si përparësi të zhvillimit ekonomik. Fqinjët kanë bërë hapa përpara. Siç përmendëm edhe Mali i Zi ka bursën e tij që nga viti 1990. Po kështu Serbia, Maqedonia e Veriut etj.

Shqipëria, ndonëse me ekonomi më të madhe se disa prej këtyre vendeve, ka mbetur mbrapa.

Rëndësia e ngritjes së bursës në Shqipëri në kuadër të antarësimit në BE.

Shqipëria ndodhet në një moment kyç të zhvillimit të saj ekonomik dhe institucional, me synimin për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

Në këtë kuadër, ngritja e një burse funksionale, nuk është thjeshtë një hap ekonomik, por një domosdoshmëri për përmbushjen e standardeve që kërkon BE. Shqipëria, duke mos pasur një treg aktiv kapitalesh, po përbën një boshllëk serioz në arkitekturën e saj financiare.

Bursa, si instrument i zhvillimit ekonomik, (për tregun e kapitaleve) përbën një prej shtyllave të çdo ekonomie moderne. Ajo u ofron bisneseve mundësinë për të mbledhur kapital përmes shitjes së aksioneve, apo obligacioneve, pa qenë të varura vetëm nga kredia bankare.

Në Shqipëri, ku kreditimi është ende i ngushtë dhe me kushte të vështira, një Bursë efektive do të shërbente si kanal alternativ për financim, veçanërisht për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, që shpesh përballen me mungesë kapitali për zgjerim.

Harmonizimi me standardet e BE-së, Bashkimi Europian kërkon që vendet kandidate të përmbushin kriteret e Kopenhagenit, ndër të cilat është edhe ekzistenca e një ekonomie tregu funksionale. Ngritja e një burse nuk është vetëm çështje financiare, por edhe e transparencës, qeverisjes së mirë dhe mbrojtjes së investitorëve. Aksionet publike dhe raportimi i detyruar financiar janë garanci që përmirësojnë klimën e biznesit dhe rrisin besimin e investitorëve, vendas dhe të huaj. Formalizimi dhe lufta kundër informalitetit, një nga sfidat kryesore të ekonomisë shqiptare, është informaliteti i lartë.

Bursa do të ndikonte pozitivisht në formalizimin e ekonomisë, pasi kompanitë që synojnë listimin duhet të jenë transparente dhe të çertifikuara sipas standardeve ndërkombëtare. Ngritja e bursës do të ndihmonte në zhvillimin e një kulture të investimit tek qytetarët. Ajo do të krijonte mundësi që individët të investojnë kursimet e tyre në mënyrë produktive, duke kontribuar në zhvillimin e bisneseve dhe duke përfituar nga rritja e tyre ekonomike. Gjithashtu, do të gjeneronte vende të reja pune në sektorin financiar: brokerë, analistë, konsulentë, auditues etj.

Bursa është një nga shtyllat që forcon infrastrukturën financiare dhe i afron vendet kandidate me praktikat më të mira të BE-së.

Si përfundim.

– Ngritja e bursës në Shqipëri nuk duhet parë si një luks, apo si një projekt i së ardhmes së largët, por si një element kyç për integrimin europian, për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe ndërtimin e një sistemi financiar funksional. Pa një bursë funksionale, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet në kufijtë e një ekonomie të nëndheshme, e varur nga remitancat, kreditimi i kufizuar dhe mungesa e transparencës.

-Meqënëse jemi në kulmin e fushatës zgjedhore, ju politikanë “mendje-ndritur”, parashtroni në platformat tuaja madhështore për zhvillimin e ekonomisë edhe ndonjë premtim për ngritjen e Bursës së Tiranës.