Ministria e Financave: PPP nuk janë instrumente borxhi

1045
Sigal

Prononcim i Ministrisë së Financave

 PPP-të nuk janë instrumente borxhi

Ministria e Financave, në një prononcim të posaçëm për “Monitor”, pohon se dhënia me koncesion/PPP e një pune, shërbimi apo vepre, nuk është një instrument borxhi, por një alternativë që përzgjidhet nëse ofron vlerën më të mirë për para. Financat pohojnë se aktualisht, janë duke u asistuar nga Banka Botërore në lidhje me implementimin e procesit të monitorimit të ecurisë dhe zbatueshmërisë së kontratave të koncesionit/PPP me qëllim minimizimin e risqeve fiskale që burojnë nga këto kontrata.

A llogariten koncesionet PPP si borxh?

Referuar kuadrit ligjor për koncesionet/PPP, dhënia me koncesion/PPP e një pune, shërbimi apo vepre nuk është një instrument borxhi, por një alternativë e njohur edhe ndërkombëtarisht, e cila përzgjidhet nëse ofron vlerën më të mirë për para, në përputhje me dispozitat e ligjit 125/2013 “Për koncesionet/PPP”, të ndryshuar.

A ka propozuar Ministria e Financave dhe Ekonomisë variante të tjera të leverdishmërisë, si prokurimi publik për të shmangur rreziqet që vijnë nga zbatimi i kontratave PPP?

Ministria e Financave dhe Ekonomisë për çdo projekt që paraqitet për vlerësim apo miratim tek ajo, në përmbushje të detyrave të saj të përcaktuara në ligjin 125/2013 “Për koncesionet/PPP”, të ndryshuar dhe aktet nënligjore për Koncesionet /PPP, verifikon nëse ky krahasim është pjesë e studimit të fizibilitetit dhe nëse është argumentuar që metoda koncesion/PPP është më e leverdishme se prokurimi publik.

Si realizohen procedurat e dhënies me koncesion dhe në çfarë monedhe?

Procedura e dhënies me koncesion/PPP është një procedurë konkurruese, e cila shpallet në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik dhe është e hapur për të gjithë operatorët ekonomikë shqiptarë dhe të huaj dhe që zhvillohet në përputhje me parimet dhe parashikimet e ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Në Prokurimin Publik”, të ndryshuar.

Si do të monitorohen këto kontrata dhe rreziqet që mund të vijnë prej tyre?

Aktualisht, Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke u asistuar nga Banka Botërore në lidhje me implementimin e procesit të monitorimit të ecurisë dhe zbatueshmërisë së kontratave të koncesionit/PPP, me qëllim minimizimin e risqeve fiskale që burojnë nga këto kontrata.

Koncesionet dhe PPP-të

Ministria e Financave vlerëson dhe miraton paraprakisht të gjitha projektet koncesionare dhe të Partneritetit Publik-Privat (PPP), si edhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale. Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik-Privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit. Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik-Privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.” Për vitin 2019, kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat koneesionare/PPP, prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit 2018, është rreth 20.97 miliardë. Për vitin 2019, pagesat vjetore neto që parashikohen të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare apo PPP, kapin vlerën rreth 12.7 miliard lekë. Rrjedhimisht, në buxhetin 2019 është respektuar kufizimi ligjor i sipërcituar në zbatim të rregullit fiskal respektiv, pasi vlera e parashikuar prej 12.7 miliardë lekë për pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare apo PPP për vitin 2019, përbën vetëm 3% të totalit të të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2018, prej 419.4 miliardë lekë.

Gjatë vitit 2018, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka intensifikuar monitorimin e performancës financiare të kontratave koncesionare/PPP-ve me mbështetje buxhetore. Për sa i përket ecurisë faktike të pagesave koncesionare, për periudhën janar-shtator 2018 dhe pritshmëritë deri në fund të vitit 2018, në vijim jepet një tablo përmbledhëse:

  • Fondet buxhetore të planifikuara për vitin 2018, me destinacion mbështetjen nga buxheti për kontratat koncesionare/PPP, janë në total 7.37 miliardë lekë. Nga këto, 2.85 miliardë lekë janë investime dhe 4.5 miliardë lekë shpenzime korente.
  • Kundrejt faktit të vitit 2017 që kapi vlerën 6.5 miliardë lekë, plani 2018 rezulton rreth 13.2% më i lartë ose 858.7 milionë lekë më shumë.
  • Pagesat faktike në total për 9-mujorin 2018, rezultojnë 6.4 miliardë lekë ose 79.3% e planit vjetor 2018.

2 miliardë euro do të paguajnë taksapaguesit shqiptarë për koncesionet 2019-20134

83 % është borxhi i përgjithshëm i Shtetit, nëse llogariten edhe 2 miliardë euro faturat e koncesioneve

230 miliardë lekë do të paguhen për 14 koncesione deri në 2024

460 miliardë lekë do të paguhen deri në 20146 për 3 inceneratorët e Elbasanit, Fieriot dhe Tiranës