Ministri Mete takohet me përfaqësues të BB, diskutohet mbi rritjen e mbështetjes për kapitalin njerëzor

22
Sigal

Ministri i Financave, z. Ervin Mete, zhvilloi një takim me Drejtorin Rajonal të Bankës Botërore, z. Michal Rutkowski, Menaxherin për Shqipërinë, z. Emanuel Salinas dhe përfaqësues të tjerë të lartë të BB.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi në drejtim të mbështetjes që Banka Botërore synon të japë në lidhje me punësimin, aftësimin, rritjen e përfshirjes sociale, si edhe investimin në kapitalin njerëzor.  Ministri Mete vlerësoi mbështetjen dhe ekspertizën e Bankës Botërore sa i përket fushave që lidhen me mbrojtjen sociale, me fokus punësimin dhe rritjen e përfshirjes sociale.

Palët vlerësuan rëndësinë e avancimit të dialogut, si edhe analizimit të komponentëve të mbrojtjes sociale, ku Banka Botërore shprehu gadishmërinë për të ofruar asistencën e saj.  Disa nga fushat ku pritet të fokusohet bashkëpunimi në të ardhmen janë  përmirësimi i aftësivetë të rriturve në moshë pune, duke i ofruar atyre trajnime dhe shërbime të punësimit, rritja e mundësive për arsimim për fëmijët e familjeve në nevojë, si edhe ndërmarrja e një qasje reformuese ndaj skemës së pensioneve, për përmirësimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të saj.

Në fund të takimit, palët ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në drejtim të mbështetjes së kapitalit njerëzor, përmes rritjes së aftësimit, punësimit dhe mbrojtjes sociale.