Shqiptarët në mbijetesë dhe nën kthetrat e drogës

463
Sigal

Sondazhi m ë i fundit tregon se 59% deklarojnë se kanë anuluar pushimet për shkak të varfërisë dhe mungesës së bukës së gojës

Zyra Botërore e Drogave: Shqipëria kampione për prodhimin e kanabisit dhe e treta në botë për përdorimin e kokainës

Sondazhi: 59% e shqiptarëve anulojnë pushimet, shkak varfëria

Pasiguria e krijuar nga Covid-19 duket se ka prishuar planet e shumë shqiptarëve për të shkuar me pushime këtë vit. Por më shumë sesa frika, arsyeja kryesore lidhet me pamundësinë ekonomike.


Sipas një sondazhi të “Idrapoll.com,” komunitieti online i anketimeve nga “IDRA Research & Consulting”, gati 59% e shqiptarëve shprehen se nuk do të bëjnë pushime sivjet.
Vetëm 8% e atyre që nuk do të shkojnë me pushime ndalohen nga frika e COVID-19 e cila lidhet ngushtë me shëndetin.
Pjesa më e madhe e tyre që nuk do të shkojnë me pushime sepse nuk kanë mundësi ekonomike, 29%
Rezultatet tregojnë se pavarësisht situatës ekonomike apo frikës nga infektimi me COVID-19 rreth 36% shqiptarëve deklarojnë se po presin të shkojnë me pushime gjatë muajve korrik-gusht-shtator. Ka edhe nga ata që tashmë i kanë përfunduar pushimet, rreth 2 %.
Më tej, vërehet edhe një pjesë e qytetarëve që po presin lirimin e lëvizjes drejt destinacioneve turistike jashtë Shqipërisë për të shijuar pushimet jashtë vendit.
Nga arsyet që i pengojnë shqiptarët për të shkuar me pushime këtë vit, vetëm 8% e atyre që nuk do të shkojnë me pushime ndalohen nga frika e COVID-19 e cila lidhet ngushtë me shëndetin. Kjo kategori e qytetarëve e konsiderojnë COVID-19 si arsyen kryesore për të anuluar pushimet e kësaj vere. Pjesa tjetër prej 51% që nuk do të bëjnë pushime këtë vit përmendin arsyet e lidhura me detyrimet që kanë me punën, familjen e tjera si dhe arsyen e lidhur me mundësitë ekonomike.
Duke shkuar në detaje, rreth 22% deklarojnë se kanë angazhime të tjera pune apo familjare, çfarë ua bën të pamundur të gjejnë kohën për të shkuar me pushime sivjet. Anketa ve në dukje se pjesa më e madhe e tyre që nuk do të shkojnë me pushime janë ata që nuk kanë mundësi ekonomike, 29% (nuk do të shkojnë me pushime sivjet kryesisht për shkak të pamundësisë ekonomike).
“Idra” thekson se rezultati sipas të cilit gjendja ekonomike ngelet shqetësimi kryesor i shqiptarëve në këto muaj është mbështetur edhe nga anketa të tjera të mëparshme që ka realizuar “Idrapoll.com”
Ky anketim është realizuar nëpërmjet një kampioni përfaqësues për moshën nga 18 deri në 54 vjeç. Pjesë e këtij sondazhi u bënë 1017 të anketuar me anë të panelit të anketimeve online “Idrapoll.com”. Toleranca e gabimit për këtë anketim është 3.1% me një interval besueshmërie 95%.

Harta e Zyrës Botërore të Drogave: Shqipëria titullin kampion për prodhimin e kanabisit dhe në top treshen -përdorim kokaine

Shqipëria, me përdorimin më të lartë të kokainës në botë

Shqipëria përveçse ka namin e zyrtarizuar tashmë nga studime se është një nga prodhuesit kryesorë të kanabisit, rezulton ti shtohet sipas të dhënave të publikuara nga Harta e Zyrës Botërore të Drogave, edhe titulli kampion në vend të tretë në botë, për përdorimin e kokainës

 

Shqipëria renditet e treta në botë për përdorimin e kokainës, në nivele të njëjta me Australinë dhe Kanadanë, sipas hartës së përditësuar të raportit botëror të drogave 2020, një publikimin i Zyrës së Kombeve të Bashkuara kundër Drogave (UNODC-United Nations Office on Drugs and Crime). Shqipëria ka zbritur në vend të tretë, nga i pari që ishte dy vjet më parë, pasi të dhënat e përditësuara kanë ngjitur në krye të përdoruesve Britaninë e Madhe dhe më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas të dhënave të publikuara në hartë, që për Shqipërinë i referohen ende vitit 2014, prevalenca e përdorimit të kokainës për moshat 15-64 vjeç, që mat përqindjen e personave që e kanë konsumuar të paktën një herë  atë, është 2.5%.

Britania e Madhe, me të dhënat e përditësuara për 2018-n, ka një prevalencë prej 2.92%, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë këtë tregues në 2.6%.

Për kanabisin, Shqipëria ndonëse është nga prodhuesit kryesorë, është një përdorues mesatar, me një prevalencë prej 5.4% (sërish të dhënat e 2014-s). Konsumi më i lartë në rajon është në Maqedoni (6.6%), ndërsa në Europë rekordin e mbajnë Franca, Italia, Spanja (10-11%). Në botë, rekord për përdorim të kanabisit mban Izraeli (prevalencë 27%), e ndjekur nga SHBA (19.4%).

Për përdorimin e drogave të tjera, si amfitamina, ekstazi, vendi ynë ka një konsum minimal, ndërsa rekordin në botë e mban Holanda.

Një produkt, ku Shqipëria renditet si përdorues  relativisht i lartë është ai i qetësuesve dhe sedativëve, me një prevalencë prej 8.5%. Në fakt, e gjithë Europa Qendrore dhe Lindore ka një konsum të lartë të qetësuesve, ku rekordin e mbajnë Çekia (19.5%) dhe Kroacia (17.4%). Në SHBA, prevalenca e përdorimit të qetësuesve është 2.9%.

Raporti thotë se përdorimi i drogës në të gjithë botën ka qenë në rritje, për sa i përket numrit të përgjithshëm dhe peshës së popullsisë në botë që përdor drogë. Në vitin 2009, kishte 210 milionë përdorues të vlerësuar, që përfaqësonin 4.8% të popullsisë globale të moshës 15-64 vjeç, krahasuar me 269 milionë përdorues të vlerësuar në 2018, ose 5.3% të popullsisë.

Kanabisi është substanca më e përdorur. Rreth 192 milionë njerëz përdorën kanabis në 2018, duke e bërë drogën më të konsumuar në mbarë botën.

I njëjti raport specifikonte se Shqipëria dhe Holanda janë dy shtetet kryesore në Europë që përmenden më shpesh për periudhën 2014-2018 si shtete të origjinës, nisjes dhe tranzitit të barit të kanabisit. Sipas raportit, analiza e të dhënave direkte dhe indirekte për periudhën 2010–2018 tregon për një sërë vendesh që ka të ngjarë të kenë kultivim domethënës të kanabisit në raport me shtete të tjera në të njëjtin rajon dhe nënrajon. Për Europën Juglindore, sërish përmendet vetëm Shqipëria. Ndërsa në Europën Perëndimore përmenden Holanda, Italia, Mbretëria e Bashkuar (plus Irlanda e Veriut), Spanja dhe Belgjika.

Ndërsa për rrëshirën e kanabisit (substanca që nxirret pas presimit të kanabisit), Shqipëria renditet e gjashta në botë për të njëjtën periudhë, sipas një grafiku të publikuar në raport, që rendit “Shtetet kryesore të origjinës së rrëshirës së kanabisit, sipas raportimeve nga shtetet anëtare, 2014-2018”. Shqipëria renditet pas Marokut, Afganistanit, Pakistanit, Libanit dhe Iranit, ndërsa është para Holandës dhe Spanjës. Kjo renditje është bazuar numrin e rasteve të përmendura në një pyetësor vjetor që UNODC ka bërë me 68 vende.