Ministeriali në Tiranë, ministri Mete: Integrimi në SEPA-s, mundësi unike për Ballkan Perëndimor, ul ndjeshëm kostot e pagesave dhe mbështet tregtinë

57
Sigal

Ballkani Perëndimor drejt Sistemit Europian të Pagesave (SEPA), ishte fokusi i Ministerialit që mblodhi sot në Tiranë Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ministeriali u zhvillua në pararendje të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së për Planin e Ri të Rritjes së Komisionit të BE-së. Ky Plan Rritjeje ka identifikuar aksesin në SEPA (Single European Payment Area) si një nga mundësitë që vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë përpara finalizimit të procesit të anëtarësimit, me përmbushjen e kushteve.

NOA

Ministri i Financave Ervin Mete, gjatë fjalës së mbajtur në Ministerialin e zhvilluar në Tiranë, u shpreh se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA do të sillte përfitime të konsiderueshme ekonomike për rajonin.

Hapja e SEPA-s për anëtarët jo të BE-së, si pjesë e Planit të Ri të Rritjes së Komisionit të BE-së, përfaqëson një mundësi unike për Ballkanin Perëndimor që të ulë ndjeshëm kostot e pagesave brenda rajonit dhe me BE-në dhe në të njëjtën kohë mund të konsiderohet si një mjet monitorimi për Bashkimin Europian për identifikimin e gatishmërisë dhe vullnetit tonë për të qenë pjesë e familjes europiane. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë shumë të ndërlidhura me Bashkimin Europian, prandaj është e një rëndësie të madhe për ne që të synojmë krijimin e lidhjeve efikase të pagesave ndërkufitare,” u shpreh ai.

Zoti Mete nënvizoi se Bashkimi Europian është partneri më i madh tregtar për Shqipërinë dhe vendet e rajonit, e po ashtu burimi më i madh i investimeve të huaja direkte dhe flukseve të tjera financiare.

Mbi 70 për qind e eksporteve nga Ballkani Perëndimor shkon në vendet anëtare të BE-së. BE-ja është gjithashtu burimi më i madh i investimeve të huaja direkte në rajon. Ajo përbën rreth 70% të totalit të IHD-ve në Ballkanin Perëndimor. Gjatë dy dekadave të fundit, IHD-të kanë qenë një shtytës kryesor i rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor duke promovuar integrimin në zinxhirët e vlerave europiane, duke krijuar vende të reja pune dhe duke futur teknologji të reja. Më tej, pothuajse një e pesta e popullsisë së Ballkanit Perëndimor jeton jashtë vendit dhe shumica e tyre ndodhet në vendet e BE-së. Në këtë kontekst, edhe remitancat luajnë një rol të rëndësishëm për ekonomitë tona. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, kosto për të dërguar remitanca për shembull në rastin e Shqipërisë përllogaritet mesatarisht në 8.7% dhe vlerësohet se me përfshirjen në SEPA emigrantët dhe familjet e tyre mund të kursejnë në mënyrë domethënëse,” deklaroi Ministri i Financave Ervin Mete.

Ministri shtoi se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Ballkanit në SEPA jep akses në sisteme moderne pagesash, më efikase dhe më të sigurta. “Përafrimi i sistemeve tona të pagesave me ato të vendeve europiane, do të rrisë atraktivitetin tonë si destinacion investimi. Investitorët do të kenë besim më të madh në stabilitetin dhe efikasitetin e sistemit tonë financiar. Ai krijon po ashtu një fushë loje të barabartë për të gjithë vizitorët europianë që vijnë, të cilët do të përballen me atribute të ngjashme pagese për sa i përket kostos, kohës dhe sigurisë, si në vendin e tyre. Turizmi po bëhet një nga faktorët kryesorë të rritjes së PBB-së në dy vitet e fundit. Sigurimi i pagesave të thjeshta, të shpejta dhe të besueshme ndërkufitare do ta mbështesë më tej këtë sektor,” tha më tej ministri.

“Digjitalizimi i pagesave, shtoi më tej ai, – është plotësues i zbatimit të Agjendës së Përbashkët Digjitale të rajonit tonë. “Sistemet e pagesave mund të jenë një rrugëdalje për t’i bërë gjashtë ekonomitë tona më gjerësisht dixhitale. Rëndësia strategjike e ekonomisë dixhitale nuk mund të mbivlerësohet dhe për këtë arsye ajo është bërë prioritet i politikave tona kombëtare,” nënvizoi ministri Mete.

Ministri i Financave siguroi se Shqipëria është tashmë e përgatitur në përmbushjen e legjislacionit bazë të BE-së për transaksionet e SEPA-s dhe ka përafruar gjerësisht kuadrin e saj ligjor me Direktivat e BE-së në lidhje me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Për më tepër, që nga tetori i vitit të kaluar, Shqipëria nuk është nën mbikëqyrjen e Task Forcës së Veprimit Financiar.

Banka Botërore po mbështet përmes asistencës teknike vendet e Ballkanit Perëndimor për të përmbushur kushtet e nevojshme për aplikimin dhe anëtarësimin eventual në Sistemin Europian të Pagesave.