Curri: Si po i luftojmë skemat mashtruese

504
Sigal

Flet Xhavit Curri, Zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z. Xhavit Curri, në një intervistë për “Monitor” sqaron se disa prej ndryshimeve në ligjin për procedurën tatimore u mbyllën shtegun disa prej mashtrimeve më të shpeshta që has administrata tatimore. Ndryshimet, sipas z. Curri, do të disiplinojnë tatimpaguesit, do të përmirësojnë marrëdhënien me administratën tatimore, si dhe do të ulin informalitetin.

Paketa e re Fiskale solli disa ndryshime në ligjin për procedurën tatimore, një prej të cilëve ishte edhe kufizimi i numrit të NIPT-ve që mund të hapë një person fizik. Për se u mor kjo masë?

Lidhur me procedurat tatimore janë dy gjëra të rëndësishme përveç të tjerave:

Së pari, është hedhur hapi që personat fizikë, të cilët do të ushtrojnë disa veprimtari ekonomike, mund të regjistrohen vetëm një herë, çka do të thotë që numri i identifikimit për ta është unik.

Sigurisht ato nuk do të pengohen për të ushtruar veprimtarinë në disa adresa apo në disa lloje biznesi, por numri i tyre i identifikimit në këto adresa apo veprimtari do të jetë unik. Pra, një person fizik nuk do të marrë më shumë se një NIPT. Ajo që ndodhte në praktikën e deritanishme është që një person fizik mund të merrte disa NIPT-e dhe sa herë përballej me administratën, për shkak të një kontrolli apo me verifikimet në terren, këta tatimpagues mbyllnin veprimtarinë në njërin prej NIPT-eve dhe vazhdonin veprimtarinë në NIPT-in tjetër, që mund ta krijonin apo e kishin krijuar. Kjo ishte një skemë mashtruese e përdorur gjerësisht, por që lejohej edhe nga legjislacioni fiskal. Ishte një shmangie e qëllimshme, por e lejuar nga hapësira ligjore. Për t’i prerë rrugën këtyre fenomeneve, duke rënë dakord edhe me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në marrëveshje edhe me Qendrën Kombëtare të Biznesit, ne ndërmorëm këtë ndryshim ligjor, i cili disiplinon, rregullon dhe përmirëson mënyrën e ushtrimit të aktivitetit, por ndihmon edhe administratën tatimore për ta vënë në kontroll këtë skemë mashtruese që sa herë një tatimpagues të ketë një detyrim pa paguar, apo kishte një problematikë të caktuar, ai bënte këtë lojën e hapjeve dhe mbylljeve të bizneseve.

Është për t’u theksuar se këta persona fizikë, sigurisht, nuk kufizohen në të drejtën e tyre për të ushtruar këto veprimtari siç dëshirojnë, që ato të kenë disa vende të ushtrimit të aktivitetit. N.q.s. një individ ka një bar-restorant dhe do të hapë një tjetër në një vend tjetër, nuk cenohet, por ai mund të ketë vetë një numër identifikimi dhe mund të hapë adresa sekondare

Keni bërë një vlerësim paraprak për numrin e personave që kanë më shumë se një NIPT. Si do të procedohet?

Kjo ka më shumë vlerë për personat fizikë që do të regjistrohen këtej e tutje. Sigurisht ka vlerë edhe për ata që janë persona fizikë dhe kanë shumë vende biznesi, shumë NIPT-e të regjistruar. Sa herë administrata i konstaton, do të detyrohen që të mbajnë vetëm një NIPT. Nëse do të konstatohet, atij do t’i kërkohet që të mbyllë NIPT-et dhe sigurisht do të duhet që të paguajë të gjithë detyrimet që duhet të paguajë, ose do t’i kalojë te NIPT-i që do të mbajë, ose do të duhet që të mbyllë të gjithë detyrimet para se të mbyllë NIPT-et. Ndryshim i rëndësishëm i procedurës tatimore është kalimi në status pasiv i tatimpaguesve. Tatimpaguesi është në të drejtën e tij, por paraprakisht duhet të paguajë detyrimet tatimore. Edhe kjo është masë antishmangie. Shumë tatimpagues për t’ju shmangur detyrimeve tatimore, vendosnin të kalonin subjektin në statusin pasiv. Pezullimi ishte pa asnjë kusht. Duke pezulluar aktivitetin, ato shmangin pagesën në kohë të detyrimit tatimor. Kësaj skeme iu mbyll njëherë e mirë shtegu. Këta tatimpagues janë të detyruar që para se të kalojnë në statusin pasiv të paguajnë detyrimet. Mendoj se kjo ndihmon në klimën e të bërit biznes se në fund të fundit, ndihmon tatimpaguesit që të përshtatë sjelljen e tij dhe që të mësohet me disiplinën tatimore, pra të mos ketë mundësi që të notojë në informalitet. Ne kemi krijuar kushtet dhe u kemi ardhur në ndihmë të gjithë tatimpaguesve, ne publikojnë në mënyrë të përditshme listën e përditësuar të tatimpaguesve dhe një biznes e ka të lehtë që konsultohet me faqen tonë ueb dhe mund të shikojë listën e tatimpaguesve që janë në status pasiv. Ai do të ndeshet me penalitet në rast se konstatohet se ka hyrë në transaksion me bizneset në pasiv.

 Skema mashtruese

Ajo që ndodhte në praktikën e deritanishme është që një person fizik mund të merrte disa NIPT-e dhe sa herë përballej me administratën, për shkak të një kontrolli apo me verifikimet në terren, këta tatimpagues mbyllnin veprimtarinë në njërin prej NIPT-eve dhe vazhdonin veprimtarinë në NIPT-in tjetër, që mund ta krijonin apo e kishin krijuar. Kjo ishte një skemë mashtruese e përdorur gjerësisht, por që lejohej edhe nga legjislacioni fiskal. Ishte një shmangie e qëllimshme, por e lejuar nga hapësira ligjore.